Ndihmës trajneri i Kosovës në hendboll sulmon fizikisht portierin 18-vjeçar
Kombëtarja e Kosovës U-20 në hendboll më 27 qershor ka filluar përgatitjet për Kampionatin Europian që do të mbahet në Bullgari. Megjithatë, më 6 korrik gjatë stërvitjeve ka ndodhur një skandal i madh, ku ndihmës trajneri, Leonard Culaj, ka sulmuar fizikisht portierin e talentuar, Menot Pozhegu. Në lidhur me këtë rast Gazeta Metro ka arritur të siguroj e-mailin e dërguar të Pozhegut në drejtim të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) dhe deklaratën e tij në Policinë e Kosovës.
Dëshira e portierit të talentuar të Kosovës, Menot Pozhegu, për t’i arritur majat me Kombëtaren e Kosovës në Hendboll mund të ndërpritet në moshën 18 vjeçare, nëse nuk do të merren masa ndaj ndihmës trajnerit, Leonard Culaj, siç thotë ai në e-mailin e dërguar në FHK.
Ky veprim skandaloz ka ndodhur më 6 korrik rreth orës 12:00 në grumbullimin e Kombëtares së Kosovës në hendboll, ku gjatë stërvitjeve në mënyrë krejtësisht të paarsyeshme ndihmës-trajneri, Leonard Culaj, e ka goditur me dy duart në fytyrë portierin 18-vjeçar.
Portieri Pozhegu në deklaratën e tij në Policinë e Kosovës ka treguar se ngjarja kishte ndodhur pasi ishin duke zhvilluar ushtrimet që topi të mos bie në tokë dhe gjatë këtyre aktiviteteve, ekipit para tyre i kishte rënë topi dhe ndihmës trajneri nuk kishte fishkëllyer për ndërprerje të lojës. Por, kur kishte ardhur radha e ekipit, ku bënte pjesë edhe Menot Pozhegu, në momentin që kishte rënë topi në tokë, ndihmës trajneri Culaj e kishte ndërprerë lojën.
Dhe, në këtë moment 18-vjeçari i kishte thënë në formë shakaje siç thotë ai: ”Pse trajner për ata nuk e ndërpreve lojën e për neve po.”
Pas kësaj fjalie shumë njerëzore të portierit, siç thuhet në deklarimin e tij, kishte ardhur reagimi skandaloz i ndihmës trajneri Leonard Culaj, i cili është afruar atij dhe i ka thënë: ”Shuj mos fol”, dhe pastaj e ka goditur me të dy duart në fytyrë rrëfen portieri Pozhegu.
Pas goditjes ai e kishte kapur për krahu dhe siç thotë Pozhegu ju ishte drejtuar në mënyrë kërcënuese me fjalët: ”Eja dalim jashtë të tregoj diçka.” Ndërsa, pas kësaj portieri i kishe thënë që t’ia lëshoj krahun dhe ta lërë të qetë.
Të gjithë këtë ngjarje e ka parë nga afër edhe krye trajneri, Taib Kabashi, i cili ju ishte afruar Pozhegut dhe i kishte thënë të shkoj në dhomë dhe të qetësohet sepse do të mbajnë një mbledhje për këtë rast.
Në mbledhjen e mbajtur në ora 13:45 ishte vendosur edhe pezullimi i përkohshëm i portierit Menot Pozhegut që të mos jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës deri pas festës së Bajramit, edhe pse Pozhegu në këtë rast ishte viktima.
Rreth këtij rasti Pozhegu ka deklaruar që dëshmitarë janë edhe bashkëlojtarët e tij të skuadrës, të cilës kanë qenë aty kur ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje.
Ai rreth këtij incidenti ka dërguar edhe një ankesë në FHK në drejtim të Kryetarit të Federatës, Eugen Saraqini dhe Sekretarit, Izet Gjinovci, ku iu ka treguar të gjithë ngjarjen e 6 korrikut.
Pozhegu ka paralajmëruar se nëse nuk merren masa ndaj ndihmës trajnerit, Culaj, ai nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në kampionatin që mbahet në Bullgari dhe do largohet nga çdo aktivitet në Superligën e Kosovës në Hendboll.
”Nëse nuk do të jem pjesë e përfaqësueses së Kosovës në kampionatin që mbahet në Bullgari dhe nëse nuk merren masa ndaj ndihmës trajnerit të lartë përmendur për ushtrim të dhunës, vendimi im personal dhe i paluhatshëm do të jetë largimi nga çdo aktivitet në Superligën e Kosovës në Hendboll”, ka thënë tutje Pozhegu.
Duhet theksuar se, 18-vjeçari është pjesë e skuadrës së Prishtinës të ekipit të parë në Superligën e Kosovës, ndërsa hapat e parë të karrierës i kishte marrë te Vëllaznimi. Ai kishte qenë edhe titullar i padiskutueshëm në formacionin e Kombëtares U-19. /gazetametro