Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter thotë se dhënia e ‘dritës së gjelbër’ që Katari ta organizojë Botërorin ishte gabim
Ish-presidenti i FIFA-s Sepp Blatter thotë se vendimi për t’i dhënë Kupën e Botës 2022 Katarit ishte një gabim.
86 vjeçari, ishte president i FIFA-s kur Katarit iu dha e drejta për të organizuar Botërorin dhe kjo u vendos në vitin 2010, shkruan BBC, përcjellë Periskopi.
Katari është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj marrëdhënieve të të njëjtit seks, historikut të të drejtave të njeriut dhe trajtimit të punëtorëve.
“Është një vend shumë i vogël. Futbolli dhe Kupa e Botës janë shumë të mëdha për të,” tha ai për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”.
Kupa Botërore e Katarit, e para që do të organizohet në Lindjen e Mesme në historinë 92-vjeçare të turneut dhe e para gjatë dimrit në vendet evropiane, fillon nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor.
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s votoi 14-8 për Katarin që të organizojë turneun përpara Shteteve të Bashkuara, në të njëjtën kohë Rusisë iu dha evenimenti i vitit 2018.
Blatter thotë se ai votoi për Shtetet e Bashkuara dhe fajëson presidentin e atëhershëm të UEFA-s, Michel Platini për ndryshimin e votave në favor të Katarit.
“Ishte një zgjedhje e keqe dhe unë isha përgjegjës për këtë si president në atë kohë,” tha ai.
“Falë katër votave të Platinit dhe ekipit të tij [UEFA], Kupa e Botës shkoi në Katar dhe jo në Shtetet e Bashkuara. Kjo është e vërteta”, tha ai.
Blatter tha gjithashtu se FIFA kishte rregulluar kriteret e përdorura për të zgjedhur vendet pritëse në vitin 2012, pasi u ngritën shqetësimet në lidhje me trajtimin e punëtorëve atje që ndërtonin stadiumet e Kupës së Botës në Katar.
Kujtojmë se Blatter kaloi 17 vjet si president i FIFA-s, por u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2015 për akuzat se ai organizoi në mënyrë të paligjshme një transferim prej 2 milionë frangash zvicerane (2.19 milion dollarë) te Platini, i cili gjithashtu u detyrua të jepte dorëheqjen nga pozicioni i tij në FIFA./Periskopi/