1925/2017: Nazim Gafurri dhe Lista Srpska
“Një ditë njerëzimi do të luaj me ligjin, porsi fëmijët me objektet e papërdorshme, jo për t’ua kthyer vlefshmërinë ligjore, por për t’i çliruar nga ajo, për ndonjë të mirë (të caktuar)”
Është ky ekstraktim nga “State of Exception” i filozofit dhe juristit italian Giorgio Agamben që për mendimin tim më së miri e përshkruan natyrën e përdorimit utilitar të ligjit, gjatë gjithë historisë njerëzore, pa bërë këtu përjashtim as të sotmen e rrjedhimisht as relacionet e shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: jeta i parapriu dhe i paraprin organizimit të njeriut në formacione të bashkësisë, më vonë edhe të shoqërisë, e së këndejmi edhe të së drejtës. Të menduarit e drejtësisë përkatësisht kanonizimi janë shpikje e vetëdijes mbi impulset e jetës. Pra shpikje e abstragimit, e racios. Ndërsa jeta pulson e gjallon me tërë dalldinë e saj, vetëdija na del si një këmishë e prerë ngushtë që mëton t’i bije “tamam” jetës, respektivisht njeriut si zgjatim i natyrës. Pra përpiqet të jetë si ai petku që nëna mundohet me detyrim t’ia veshë fëmiut refuzues.
Ndaj edhe s’gabohemi nëse pyetemi, athua cila ka qenë ndjenja e tërë atyre burokratëve juristë serbë e francezë që hiç më larg se para 4 e ca muajsh janë përballur me procedurën maratonike të mbajtje-gjykimit të Haradinajt në Francë, njeriut që sot është kryeministër me lejen e shtetit që kërkoi ekstradimin e tij? Apo edhe e juristëve tanë? Para 4 muajsh unë si autor i këtyre rreshtave dhe ju si lexues kemi qenë persona juridik-fizik pa ndonjë problem me shtetin serb ndërsa kryeministri i këtyre orëve akuzohej për krime lufte. Kurse sot, po të kryej ndonjë preshevar ndonjë delikt a krim ndaj ndonjë serbi brenda territorit të Kosovës – e të vazhdojë të fshihet brenda Kosovës – Serbia do të të duhej të kërkonte ekstradimin e tij nga qeveria Haradinaj. Pra nga ai që para 4 muajsh e donte në birucë. Ironike a po jo? Rrumpallë fuqish, pushtetesh e pozicionesh në më pak se 5 muaj, në një kohë kur jeta të tëra përkushtohen në studimin e ligjeve (këtu në asnjë mënyrë nuk po përçmoj punën juristëve veçse po parashtroj dallimin) – që 18 vite paslufte dikush ish Ministri i kabinetit të Millosheviqit me ish komandantin gueril të UÇK-së të jenë kryeministra.
Zaten është veçse periudha post 2015 e këndej ajo që e ka rikthyer edhe një herë me goxha potencë rëndesën e relacionit politik shqiptaro-serb. Të paktën që prej marsit 2004. Kjo për faktin që gjithë çka e ka pasuar marsin e atij viti, ka qenë një lloj ngutie e implantimeve më shumë juridike se sa politike nga jashtë (përfshirë këtu edhe shpalljen e pavarësisë) në një territor që pas Afganistanit e Irakut nisi të shihej si më dytësor në rendin amerikan të ditës. Preferoj të shkruaj edhe ndarazi: 1) nguti, 2) implantim, 3) më shumë juridike se politike, 4) veprim nga jashtë. Decentralizimi, Raporti i Kai Aides, nisja e negociatave që i paraprinë shpalljes së pavarësisë, loja me fjalët “status i ardhshëm” e “status final” dhe vetë Pakoja e Ahtisaarit, janë vetëm disa nga shembujt kryesor në këtë drejtim. Pra raste tipike kur preokupimet e njerëzve në Graçanicë a Pejë injorohen, për t’i lënë vendin vendimeve që merren për ta në tryezat peshërënda larg Kosovës e Serbisë. Ç’është e vërteta një BE teknokratësh e papërvojë me Ballkanin dhe jo-unike në politikën e saj të jashtme, s’jepte shenja se do të mund t’i hapte rrugë zgjidhjes së nyjës shqiptaro-serbe. Siç edhe një OKB-je që ani pse përbën(te) kokën e organizatave ndërkombëtare më parë denjonte të priste tensionim për ta thirrur Këshillin e saj për ndonjë gjë Kosovën sesa që i shihej marifeti për ndonjë të hairit, teksa dinte vetëm të përsëriste Rezolutën 1224. Vetëm rikthimi amerikan tek investimi që kishte bërë më 1999 në intervalin 2005-2008, do i hapte rrugë një relaksimi kah shpallja e pavarësisë. E megjithatë ky rikthim amerikan krahas me entuziazmin e një brumi njerëzish që sapo kishin kaluar nga stadi i ish-refugjatit në atë të banorit (e asnjëherë qytetarit) nuk ishte i mjaftueshëm për një farkatim politik të një populli/shoqërie politike. Ironia është se edhe Serbia si trashëgimtare e një shteti që ishte bombarduar, armë të vetme të diskursit të saj post ’99, kishte shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Ajo pandërprerë thirrej në atë se si se bombardimet e NATO-s e shkelën ligjin ndërkombëtar (gjë që qëndron), ndërkohë që lidhej fort për belit të Rezolutës 1244. Krejt kjo përgjatë një kohe kur realisht i qe mpakur potenca politike e ndryshimit/rikthimit të gjendjes në favorin e saj.
Edhe negociatat e fascilituara nga BE-ja që nga 2011-ta u dëshmuan një ripërsëritje e lodhur e ndërrmarësive të mëhershme. Të mos harrohet se ato nisën në një kontekst kohor/historik të vlugut të ri të zhvillimeve me goxha peshë në hartën ndërkombëtare: e ashtuquajtura “Pranverë Arabe”, Siria, kriza e refugjatëve, negociatat e Perëndimit me Iranin, Ukraina, Brexiti, rritja e elektoratit të djathtë në Europë (forcimi i Lë Penit në Francë etj.) dhe së fundi fitorja e Trump-it në SHBA, ishin vetëm disa nga preokupimet me të cilat burokracia gati manuale europiane u detyrua të përballet në intervalin kohor të zhvillimit të negociatave Kosovë-Serbi, e që s’do mend se këto kauza i mbipeshuan kauzat xhuxhe ballkanike.
Pra në njërën ana zhvillime marramendëse politike në fotografinë e madhe, kurse në anën tjetër premtime “ndihmuese”, “rrugëtuese”, “paqëtuese” në relatat BE-Ballkan. Një Homs që dridh njerëzimin e lëre më ligjin ndërkombëtar, 3 orë larg me aeroplan nga Prishtina, e në anën tjetër një Prishtinë që e shtyn ditën në ngatërrime juridike me rreshtime një pas një para Gjykatës Kushtetuese. Krejt kjo në një kohë kur përshtypja që del nga ligjërimi veçse juridik, rutinor e burokratik i negociatave (alla: “shkoi Thaçi u takua si gjithnjë me këtë e atë”) përkundër ndryshimeve kozmetike a jo-kozmetike në terren, s’ofron gjë tjetër pos limontisë së ditëve kur Miterandi priste një tufë shqiptarësh në banesën e tij. Jo rastësisht më shumë bujë në terren bënë ikjet nga vendi gjatë vitit 2014 e 2015 (e që nuk duhen parë shkoqitur nga lëvizjet tjera migrative drejt Europës) si dhe deklarata e Jabllanoviqit (direktësia e saj), sesa marrëveshjet në fjalë të dala nga zyre të ftohta, të cilat në fakt prodhojnë të kundërtën e premtimit që fascilitimi juridik ndihmuaka relaksimin politik.
Këtu edhe fshihet strofulli i ngatërrimit të sensitivës politike në rrjetëzimet e kurthurimet mpakëse juridike. Ahtisaar që vije me Pako. Shpallje e pavarësisë që dosido peshon(te) politikisht, por që siç u tha erdhi nga ngutia e ripërkujtimit amerikan për “çështjen e pakryer” se sa nga ndonjë vetëdije e lartë politike vendore. Kushtetutë e cila në ditën e shkruarjes s’trazoi as limontinë e ditës e lëre më të jetë cak i arrirë i ndonjë “geisti” në kuptimin hegelian të fjalës. Prandaj edhe gjallim më të madh në vend përbëjnë droni i lëshuar në një ndeshje futbolli, idetë për ndarje e bashkime, deklarata e Jabllanoviqit, çështja e Asociacionit e Demarkacionit, çështja e ushtrisë etj., sesa vorbullat me letra të dala nga negocimet, marrëveshjet etj.
E ironia e fundit e historisë që Vuçiq e Haradinaj të jenë kryeministra e madje që ky i fundit ta varë fatin e qeverisë së tij nga partia-zgjatim i Beogradit, është vetëm se një lajmërim i ri-ardhjes të politikës përmbi telat me gjemba të barrikadave juridike-funksionaliste që Bashkësia Ndërkombëtare ka ngritur mes Kosovës e Serbisë pas 99-tës. Natyrisht se dioptritë e të dy nacionalizmave në këtë punë shohin tradhti që shoqërohet me shumë mallkime. Por realiteti është rezistent dhe i ndryshëm përballë nacionalizmave edhe kur këta kanë pak por edhe atëherë kur kanë shumë të drejtë. Por kësaj radhe lavjerrësi i realitetit flet për rifutje të ndikimit direkt të Beogradit në çështjet drejtuese të vendit dhe lajthitje të Kosovës edhe nga ajo tendencë e vagët për subjektivitet më të madh.
Kjo sepse kur shikohet në restrospektivë edhe pse mund të gjesh raste kur edhe shqiptarët kanë kushtëzuar Beogradin (p.sh. në kohën e Mbretërisë SKS, Partia Radikale Serbe e Pashiqit s’pati arritur të formoj qeveri pa votat e Xhemijetit të myslimanëve shqiptarë) sërish kjo më shumë përkonte me teknikalitete numrash pa ndonjë risk a cenim të subjektivitetit të një shteti nga shteti fqinj, sepse shtet Kosove s’kishte gjëkundi ndërkohë që Serbi kishte që nga 1830-tat. Madje Pashiqi posa shfrytëzoi Xhemijetin për interesa të tij, dërgoi ekspeditën e Punisha Rashiqit që vrau Nazim Gafurrin. Sot 92 vite pas kësaj ngjarje kushtëzimet përmes partisë-zgjatim janë ndërhyrje direkte në tentativën e Kosovës për subjektivitet shtetëror. Tanimë jo në formën kur një shtet që formalisht s’është vetëm serb vret përfaqësues politik të partisë së etnisë tjetër që e kushtëzoi, po në formën kur shteti që sot quhet qartazi vetëm Serbi kushtëzon formimin e qeverisë së shtetit nëntëvjeçar Kosovë, 18 vite pas vrasjeve që nuk u pasuan me të paktën një kërkim-falje. Koha është horizont i qenies e atmosferë ushqyese thuhet diku. Leximi i kontekstit shqiptaro-serb vetëm nën dioptri klauzolash, nenesh, marrëveshjesh etj., të implantuara nga kronopolitikat e jashtme vepruese, duke anashkaluar historinë (natyrisht pa u bërë rob i saj), është idiotizëm. Koha pra dhe mësimi nga ajo, e jo ligji. Sa për ligj, edhe Millosheviqi e ka pasur një të vetin madje edhe pasi që Agamben e shpalli lojë fëmijësh.