182 mijë banesa të pabanuara në Kosovë

Të dhëna të reja nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2024 ka publikuar Agjencia e Statistikave. Bazuar në to, në të gjithë Kosovën janë 182 mijë e 849 banesa që janë të pabanuara.
E kjo shifër është për mbi 83 mijë më e lartë sesa ka qenë në regjistrimin paraprak të popullsisë, që është realizuar më 2011-n.
Saktësisht 182 mijë e 849 është numri i banesave që janë të pabanuara në të gjithë Kosovën, kanë treguar të dhënat më të fundit nga regjistrimi i popullsisë i 2024-s, të cilat i ka publikuar Agjencia e Statistikave (ASK).
Bazuar në këto të dhëna, komuna e Prishtinës e ka numrin më të madh të banesave të pabanuara, gjithsej 25 mijë e 195 sosh, e pasuar nga ajo e Prizreni me 16 mijë e 842 dhe Ferizaj, me 15 mijë e 228.
Krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011, shifra e banesave të pabanuara është rritur për 83 mijë e 041.
Sipas ASK-së, të dhënat e fundit ofrojnë pasqyrë të detajuar mbi ndryshimet demografike në Kosovë.
“Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi popullsinë, grupmoshat, gjininë dhe ekonomitë familjare, duke ndihmuar në analizimin e ndryshimeve demografike ndër vite. Këto të dhëna ofrojnë karakteristika për vendbanimet, statusin e aftësisë së kufizuar, ndërtesat, banesat e ekonomitë familjare si dhe edukimin”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Krahas atyre për banesa, të dhënat e reja të ASK-së tregojnë edhe për numrin e ndërtesave të reja që kanë së paku një banesë të banueshme.
Sipas statistikave, të këtilla në nivel vendi janë 274 mijë e 116. Edhe kjo shifër, krahasuar me regjistrimin e popullsisë të 2011-s është rritur për 26 mijë e 167 njësi.
Rritje krahasuar me 13 vjet më parë ka edhe në numrin e përgjithshëm të banesave. Derisa më 2011 kanë qenë 312 mijë e 711, në të dhënat e regjistrimit të vitit të shkuar figurojnë 556 mijë e 779 sosh.
Agjencia e Statistikave, në dhjetor të vitit të shkuar ka publikuar rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë. Bazuar në këto rezultate, Kosova ka 1,602,515 banorë rezidentë.
Kjo shifër, krahasuar me regjistrimin e 2011-s, është për rreth 150 mijë banorë më e ulët.