SPAK nis verifikimet për kontratën e lobimit të PD në SHBA, reagon Partia Demokratike
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë ka nisur zyrtarisht verifikimet lidhur me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Periskopi.
Sipas një njoftimi zyrtar, veprimet e para hetimore janë ndërmarrë pas publikimit të marrëveshjes që parashikon një pagesë prej 250 mijë dollarësh në muaj për një periudhë dyvjeçare.
Kontrata është lidhur ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe kompanisë amerikane “Continental Strategy”, me seli në SHBA.
Ajo është firmosur nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, që jeton në New York, dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit të shërbimeve.
Pas nisjes së verifikimeve, Partia Demokratike reagoi duke e cilësuar këtë veprim si të motivuar politikisht dhe të diktuar nga mazhoranca.



