Kosova e BE-ja mbajnë takim për të pagjeturit, Lajçaku thotë se do të raportohet konstruktiviteti i Prishtinës
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka njoftuar se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Hoti tha se delegacioni i Kosovës i ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar dhe se ka marrë njoftim nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak se do të raportohet konstruktiviteti i palës kosovare.
“Delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së”, tha Hoti.
Më tej, ai tha se Kosova vazhdon të kërkojë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, teksa shtoi se shpreson në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira.
Gjatë ditës është raportuar se pala serbe është larguar nga bisedimet e Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit pas mbylljes së institucioneve paralele serbe në disa lokacione në Kosovë.