Trump dhe ndikimet e tij në proceset ekonomike të Kosovës

Trump dhe ndikimet e tij në proceset ekonomike të Kosovës

Zgjedhja e Donald Trump president për mandatin e dytë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pritet të ketë ndikime pozitive në proceset ekonomike të Kosovës.

Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë, të cilët shprehin optimizëm se mund të riaktivizohet marrëveshja për normalizim ekonomik e cila ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për KosovaPress se gjatë mandatit të parë të Trump, fokusi ka qenë tek normalizimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo sipas tij ndikon në tërheqjen e investimeve. Derisa Zeka beson se ky do të mbetet një prioritet edhe pas vitit 2025, pas ardhjes sërish në pushtet të këtij të Trump.

“Duke pasur parasysh që gjatë administratës së parë të tij një rendësi e madhe i është dhënë aspektit të normalizimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjithmonë me synimin që të zgjidhet kjo çështje e cila në një mënyrë ose tjetër pengon edhe tërheqjen e investimeve amerikane dhe investimeve tjera të huaja, atëherë pashmangshëm që pres që ky do të jetë edhe fokusi pas janarit të vitit 2025. Pra, pas ardhjes sërish në pushtet ose marrjes së mandatit të ri nga ana e presidentit Trump”, thotë Zeka.

Ndërsa, ai thekson se vazhdojnë të mirëpresin marrëveshjen e vitit 2020, i cili thotë se ka dispozita të mira të cilat qojnë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila do të përfundonte me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Oda Ekonomike Amerikane në mënyrë të vazhdueshme përgjatë këtyre katër viteve të fundit i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të 4 shtatorit të vitit 2020, fatkeqësisht as interesi i Qeverisë së Kosovës, rrjedhimisht pastaj as i akterve tjerë nuk ka qenë në zbatimin e dispozitave të kësaj marrëveshje. Por, ne e patëm mirëpritur marrëveshjen në vitin 2020, dhe akoma besojmë që marrëveshja ka dispozita të mira të cilat do të ndihmonin që përmes normalizimit ekonomik të dyja shtetet dhe Kosova dhe Serbia të arrinin të zgjidhnin edhe problemet tjera të cilat i kanë, të cilat mundësojnë ose qojnë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila do të përfundonte me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, nënvizon Zeka.

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Florin Lata thotë se ka mundësi që marrëveshja e 2020 të riaktivizohet, nëse ka vullnet nga SHBA-të, presidenti Trump.

“Është e mundshme që të riaktivizohet, sepse, nuk ka pas ndonjë zhvillim të madh i cili mund të ketë ndikim, që ajo marrëveshje të konsiderohet e pavlefshme. Pra, nëse do të ekzistojë një vullnet nga SHBA-të, presidenti Trump, besoj se do të ulën sërish në tavolinë. Përfshirja e SHBA-ve në mënyrë direkte do të ketë efekt më pozitiv dhe përshpejtues për gjetjen e një zgjedhje të përhershme me Serbinë”, shprehet Lata.

Ndërsa, thotë se zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve pritet të ndikojë në ekonominë e vendit.

“Sigurisht se një pjesë e madhe e investimeve të cilat vinë në Kosovë janë edhe nga ShBA-të dhe ndihma të cilën japin përmes programeve ka një ndikim pozitiv. Pra, vet Gjykata Komerciale është themeluar mbi bazën e një ndihme të madhe të programeve të USAID-it. Prandaj sigurisht që mund të ketë ndikim. Shpresojmë që ndihma amerikane nuk do të ndalet”, thotë Lata.

Në anën tjetër, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj po ashtu thotë se me presidentin Trump pritet të ketë ndikim edhe në ekonominë e vendit.

“Shenjat e para ekonomike më të marrë lajmin për fitoren e Trump ishin në nivel botëror si tek ulja e çmimeve të derivateve, tek fuqizimi i dollarit e po ashtu edhe tek tregjet financiare. Kjo është në nivel global, dhe padyshim se e ka impaktin edhe në nivel rajonal, dhe në Kosovë. Ndërsa, në nivel të Kosovës, kur flasim për impakt ekonomik, ka mundësi të ndikojë në temat e lartëpërmendura…Ndërsa, kur flasim për marrëveshjet e 2020, vlerësoj se ato të cilat kanë interes ekonomik, vlerësoj se janë të mirëseardhura për shtetin e Kosovës, dhe asgjë nuk do të ishte dëm të jetesoheshishin”, thotë Kadrijaj.

Kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale Donald Trump, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara duke siguruar rreth 276 vota të Kolegjit Elektoral.

Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht zëvendëspresidente e Amerikës dhe republikani Donald Trump, i cili ishte president nga viti 2017 deri më 2021.

Ndërkaq, fitoren e Trumpit e kanë përshëndetur lider botërorë. Edhe në Kosovë Trumpi u urua nga liderë institucional e partiak.

Kosova ka gëzuar përkrahjen e SHBA-së, ndër vite, pavarësisht kush ka qenë në krye të saj.

Marrëveshja e 4 shtatorit të vitit 2020:

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar në më 4 shtator të vitit 2020 marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Pikat e përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar nga pala kosovare:

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

-Autostradën e paqes

-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë

-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

-Projekte shtesë dypalëshe

-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.

Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.

Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.

Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.

Shpërndaje në: