Petkoviq i reagon Sveçlës: E vetmja gjë që mund të bësh është të mburresh në rrjetet sociale
Kryenegociatori i Serbisë për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili paralajmëroi burgosjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nëse ai do të hyjë në vend pa marrë leje.
Petkoviq tha se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u ul për të folur me Vuçiqin në Bruksel, ndërsa thotë se Sveçla i frikësohet posterave me imazhin e presidentit serb.
“Tani Sveçla i frikësohet edhe një posteri me imazhin e Aleksandar Vuçiqit që dikush e ka ngjitur, ndaj kërcënon se do ta arrestojë! E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”, shkroi Petkoviq në “X”.
Sveçla paralajmëroi burgosjen e Vuçiqit, ndërsa komentoi në Facebook vendosjen e disa posterëve në veri të vendit me dedikim për Vuçiqin ku thuhej “komandan suprem, po të presim”.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla.