16-vjeçari i plagosur në Istog, dërgohet për trajtim në Pediatri

16-vjeçari i plagosur në Istog, dërgohet për trajtim në Pediatri

16-vjeçari i plagosur ka përfunduar operimin dhe nga Emergjenca është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK).

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar drejtori i Emergjencës, Naser Syla. Ai tha se operimi ka përfunduar, mirëpo gjendja e 16-vjeçarit vazhdon të jetë e rëndë.

“Ka shku për trajtim në njësi intensive në Pediatri. Gjendja është e rëndë”, tregoi Syla.

Në anën tjetër, lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës e ka arrestuar një zyrtar policor në Dubravë të Istogut, i cili dyshohet se e plagosi aksidentalisht në kokë të miturin, të cilin e ka familjar.

“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, ka konfirmuar IPK-ja.

Sipas IPK-së, personi i plagosur është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë.

Shpërndaje në: