150 nga fshati i drejtorit, 47 me diploma false – pranohen 220 punonjës të rinj në KEK
Një proces i dyshimtë i punësimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është finalizuar sot me pranimin në punë të 220 punonjësve të rinj.
Kartelat e anëtarësimit të punonjësve të rinj janë shpërndarë sot në një ceremoni në të cilën mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti i ndau disa nga kartelat e të punësuarve të rinj.
150 nga të punësuarit janë me origjinë nga fshati Bardh i Madh i Fushë Kosovës, bashkë-fshatar të ushtruesit të detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri, ka mësuar Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda korporatës.
Ndërsa, 47 nga 220 të pranuarit në punë kanë aplikuar me diploma false të shkollës së mesme profesionale.
A.A, A.Sh, A.Zh, A.I, A.G, A.G, B.R, B.F, B.I, B.M, B.J, B.H, E.V, E.H, E.H, F.Zh, N.F, K.S, V.M, F.M, I.B, F.M, J.H, V.H, E.M, Sh.M N.C, D.Th, M.B, Sh.K, B.M, F.Ll, H.M, E.B, I.K, M.A, S.A, Gj.Rr, M.J, K.Z, R.M, N.J, F.M, L.M, R.B, S.C dhe S.H dyshohet se kanë falsifikuar diplomat për të konkurruar në KEK.
Të gjithë i kanë marrë sot kartelat e tyre të punësimit.
Sipas dëshmive që posedon Paparaci, Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”, institucioni i vetëm në Obiliq në të cilin nxënësit mund të diplomojnë për xehetari, ka vërtetuar se diplomat me të cilat kanë aplikuar kandidatët në konkursin e KEK-ut, nuk janë lëshuar nga ky institucion.
Vetë drejtori i shkollës “Ismail Dumoshi” ka konfirmuar se ka pasur raste kur kandidatët kanë aplikuar me diploma të falsifikuara.
Jakup Hashani, drejtor i SHMLP “Ismail Dumoshi” në Obiliq, ka thënë se pas verifikimit të diplomave që ia ka kërkuar KEK-u, kanë figuruar kandidatë të cilët nuk kanë qenë të pajisur me diplomë.
“Po, ka”, ka thënë Hashani shkurtimisht për Paparacin.
Ky konkurs është hapur në shtator të këtij viti për pozitat: “manipulues i shiritave transportues”, “manipulues i hinkës fushore” dhe “manipulues i kabinës II”.
I hapur disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, konkursi dyshohet se është përdorur nga pushteti qendror për punësime në baza partiake siç ka ndodhur në të kaluarën me punësime në ndërmarrjet publike, në kohë fushatash zgjedhore.
Një pjesë e madhe të pranuarve në punë kanë afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me deputetin e pushtetit nga Obiliqi, Halil Thaçi, i cili dyshohet për përfshirje në këtë proces.
Keqpërdorimet e dyshuara në konkurset e KEK-ut nuk përbëjnë rast të izoluar, por vazhdimësi të së kaluarës. Shkelje të rënda për punësime në baza partiake dhe nepotiste ishin zbuluar edhe në një konkurs tjetër të KEK-ut në vitin 2022.
Asokohe, rreth një vit pas ngjitjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, aktivistë dhe familjarë të afërt me komisionin vlerësues ishin punësuar në një konkurs të dyshimtë të KEK-ut.
Siç kishte raportuar Paparaci, pesë anëtarë të komisionit vlerësues, përfshirë këtu edhe zyrtarin kryesor të auditimit, kishin punësuar djemtë ose vëllezërit e tyre.
Në atë konkurs ishin punësuar edhe militantë të partisë dhe familjarë të anëtarëve të LVV-së. /Paparaci.com