Të tregosh apo jo? Kjo është çështja…Dhunë, seks, fekale – në kinema ka pasur gjithçka. Megjithatë shfaqja për disa javë resht e filmit  “Smolensk” nga Antoni Krauze në ndërrimin e viteve ia doli që zgjojë interes të madh jo vetëm tek tifozët gjermanë të kinemasë. Fillimisht ambasadori polak u përpoq pa sukses, që të organizonte një prezantim zyrtar të filmit. Kur më në fund “klubi i të dështuarve polakë”, i njohur për spektaklet satirike të themeluesve të tij, anoncoi shfaqjen e filmit, disa menduan, se kjo është një shaka e shëmtuar.

Por çfarë është kaq kontroverse për ta shfaqur këtë film? Le të kujtojmë: “Smolensk” është një rrëfim fiktiv për zbardhjen gazetareske të katastrofës së avionit qeveritar polak në vitin 2010. Atëherë gjetën vdekjen presidenti dhe gruaja e tij si dhe një sërë politikanësh e ushtarakësh të nivelit të lartë të Polonisë. Kineastët lenë të nënkuptohet se kjo ka të bëjë me një sulm të rusëve.

Lidhur me dobësitë e filmit është shkruar mjaft. Kur unë e pashë atë, pata përshtypjen, se me të synohet diçka tjetër: “Smolensk” është një përpunim i traumës.

Një traumë është një lëndim psikik, i shkaktuar prej një përjetimi tronditës. Shpesh kjo shkakton gjendje të vazhdueshme frike. Nuk ka kuptim, t’i sqarosh një njeriu të traumatizuar, se ai nuk duhet të ketë frikë, ose se ai flet marrëzi. Në trajtimin e traumës u kushtohesh emocioneve. Ato nuk drejtohen nga logjika dhe nga argumentat racionale.

Trauma kolektive polake, për mendimin tim, që shpreh filmi, shkon përtej tragjedisë së Smolenskut. Ajo shpreh një frikë të hershme nga Rusia, e në një perspektivë më të gjerë edhe nga Gjermania. Eshtë frika e një kombi mesatarisht të madh europian nga izolimi në një botë, që perceptohet si një luftë e pafundme e fuqive të mëdha. Shumë polakë e ndiejnë, që vendi i tyre është shumë i dobët, jo vetëm, për ta fituar këtë luftë, por edhe për ta mbijetuar atë.

Sigurisht para pak kohësh mbërritja e ushtarëve amerikanë të NATO-s, që do të dislokohen afagjatë në Poloni, shkaktoi entuziazëm si tek përkrahësit ashtu edhe tek kundërshtarët e qeverisë aktuale. Ushtria e SHBA-së duhet të jetë garant për sigurinë, që Polonia nuk e ka pasur asnjëherë.

Për mua tanket, që qarkullojnë në atdheun tim, nuk janë një shenjë e mirë.  Sigurisht që nuk duhet të kujtojmë, se në sa vende të botës ka qenë e dislokuar ushtria e SHBA-së e pastaj është tërhequr. Por ngjashëm si me “Smolensk” edhe këtu nuk kemi të bëjmë me racionalen, por me emocionet.

Trauma – e si i bëhet më tej?

Në tekstin tim të fundit unë shkruajta për EUtopie [Deutsche Welle, 28.10.2016] – një model politik, në të cilin identiteti, e kaluara dhe identifikimi kolektiv zhvillohen në një nivel rajonal. Politika ndërkombëtare, siguria dhe ekonomia në të kundërt janë kompetenca europiane.

Europa si republikë sipas politologes Ulrike Guérot do të thotë barazi e qytetarëve para ligjit dhe drejtësi sociale në të gjithë kontinentin. Shtetet nacionale, që gjithsesi nuk po ia dalin me traumën e qytetarëve të tyre, do të humbisnin të drejtën e ekzistencës.  A nuk është frika e polakëve nga fqinjët pasojë e një narracioni kombëtar, në të cilin kombi mesatarisht i madh përballet me kombet shumë më të fuqishme dhe me numër të madh popullsie? Nëse u referohesh rajoneve, a nuk do të zhdukej vetvetiu Polonia?

Por që projekti Europa të ketë sukses, duhet që emocionet të trajtohen si një element i barazvlefshëm. Se si bëhet kjo, e shpjegon koncepti i komunikimit pa dhunë i Marshall Rosenberg-ut. Psikologu që ka ndërruar jetë më 2015 për vite me radhë ka mbledhur eksperiencë në klinikën e tij me punën e mediacionit në konflikt në Palestinë dhe në Ballkan.

Rosenberg propozon, që në një konflikt duhet të heqësh dorë nga konstatimi, se kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë. Në vend të kësaj vëmendja duhet përqendruar tek ndjenjat vetiake: duhet folur për to, duhen verifikuar ato, cilat janë nevojat vetiake (dhe ato të kolektivit) dhe ato duhet të formulohen si dëshirë ndaj palës tjetër. E po kështu edhe anasjelltas.

Ta pranojmë, ky mund të jetë një proces i mundimshëm. Por ndihmon që të largosh frikërat. Nga përvoja e Rosenberg-ut rezulton gjithashtu, që falë kësaj metodike shpesh arrin të përftosh një realitet më të mirë. Një realitet që u afrohet ëndrrave tona. A nuk i shërben kjo politikës, që të përmbushë kushtet për plotësimin e ëndrrave të qytetarëve të vet?  Por sidoqoftë jo për të përshkallëzuar konfliktet me ndihmën e tankeve!

Ndoshta kjo tingëllon banale, por nëse kryerebelëve të tërbuar u kundërvihesh me empati, ata janë shpesh të gatshëm që të të përgjigjen po me empati e madje edhe ta përçojnë atë tek të tjerët. Tek e fundit të gjithë ne jemi njerëz.

Ta tregosh apo mos ta tregosh? Kjo është çështja…

Unë besoj, që shprehja e ndjenjave është e nevojshme në politikë. Ndrydhja e tyre vetëm sa ua thjeshtëzon populistëve që të na manipulojnë ne. Bota e ideologjizuar prej tyre duket kësisoj si një luftë e vazhdueshme për jetë a vdekje, dhe qeveritë e shteteve nacionale mund (edhe më tej)të nxisin një palë europiane kundër një pale tjetër.

Në këtë kuptim është mirë, që u realizua filmi “Smolensk”. Mua vetëm më vjen keq, që debati për filmin bëri të humbasë rasti, që të flitet për emocionet në politikë.

Çfarë është në këtë kontekst Europa ime? Një EUtopi, në të cilën ka hapësirë për emocione, edhe nëse ato janë traumatike. Vëmendja për shprehjen e emocioneve dhe transformimi i tyre në nevoja – kjo është shtylla bazë e EUtopisë. Kjo mundëson një bashkëjetesë të paqtë të banorëve të rajoneve të veçanta të kontinentit dhe një politikë globale mbarëeuropiane më të sigurtë dhe më efektive.

Stanisław Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Temat e tij janë memorja kolektive migracioni, multikulturalizmi dhe EUtopia.  Ai ka botuar librat: “Obsesion.Libani”, “Tregtari i historisë”.  Ai jeton mes Berlinit, Varshavës dhe Bejrutit.

Shpërndaje në: