“130 mijë punëtorë kanë lënë Kosovën në vitin 202”

Rreth 130 mijë qytetarë, të rinj dhe punëtorë kanë ikur në shtetet evropiane gjatë vitit 2024, që kur u bë liberalizimi i vizave, transmeton Periskopi.
Kështu thonë nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës.
Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate, thotë se numri është dyfishuar nga viti 2023.
“Sipas shifrave tona që i kemi mesatarisht kanë ikur rreth 130 mijë të rinj dhe punëtorë nga Kosova, përderisa në vitin 2023 kemi një shifër e cila e tejkalon 60 mijë punëtorë, që e kanë lëshuar vendin e punës dhe kanë ikur jashtë”, ka thënë ai.
Azemi ka theksuar se shqetësimet janë ngritur nga kjo sindikatë vite më parë.
“Ne realisht këto shqetësime i kemi paralajmëruar para 2-3 vitesh sepse e kemi ditur që liberalizimi do të ndodhë, e kemi ditur se hapja e kufijve do të jetë e mirë për punëtorët në aspektin individual por do të jetë e keqe për Kosovën e brendshme, por mund ta themi edhe këtë që shpëtimi i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë është liberalizimi i vizave, duke qenë se me këtë hapje, pozita e punëtorit në sektorin privat është më e mirë për 80 për qind, se sa që ka qenë më herët” ka potencuar ai për Expose.
Ai tregon se cilat janë arsyet pse qytetarët po largohen nga Kosova.
“Arsyeja kryesore është paga, madje edhe ata që kanë paga shumë të mira nuk mund të mbajnë familje dhe s’mund të mbajnë një familje katër anëtarësh. Po të mos ishte liberalizimi i vizave, gjendja e punëtorëve në sektorin privat do të ishte e mjerueshme siç ka qenë më herët, por fati në fatkeqësi është që tashmë njerëzit po zgjedhin se ku do të jenë më mirë dhe nëse një punëtor i yni ka dalë jashtë vendit, pas shumë vitesh që punuar këtu, mund të mendojë për një martesë dhe një shtëpi, ndërsa që nëse është në Kosovë, edhe nëse e ka pagën 1 mijë euro, ai nuk mund të mendojë për këto dy gjëra elementare se si të veprojë”, shton Azemi.
Sipas tij, shteti nuk ka bërë asgjë për punëtorët e sektorit privat.
“Shteti për punëtorët e sektorit privat që nga paslufta nuk ka bërë asgjë. Absolutisht. Ne vazhdimisht kemi kërkuar kushte më të mira për këta punëtore, kemi kërkuar që paga minimale të jetë sa është në rajon, kemi kërkuar që të implementohet ligji dhe marrëveshja kolektive. Duke e parë gjithë këtë, synimi ka qenë që të iket jashtë dhe shumë prej tyre kanë bërë përvojë këtu dhe janë larguar, e përpos që kanë shkuar vet, e kanë marrë edhe familjen me vete dhe realisht kemi një gjendje më të mirë se sa që e kemi pasur më herët”, ka vlerësuar Jusuf Azemi.
Ai thekson se sektorët më të prekur nga ikja e punëtorëve janë ndërtimtaria dhe gastronomia.
“Numri më i madh i punëtorëve që kanë ikur janë nga sektori i ndërtimtarisë dhe gastronomisë dhe më pas edhe të sektorëve tjerë, që kanë lënë vende vakant në Kosovë. Sa i përket punëtorëve të krahut ka ende në Kosovë, por në fusha profesionale ka mungesë”, ka deklaruar Azemi.