12 vjet Pavarësi: Fusha në të cilën Kosova pati shkëlqimin më të madh ishte SHOWBIZI

12 vjet Pavarësi: Fusha në të cilën Kosova pati shkëlqimin më të madh ishte SHOWBIZI

Kosova sot feston 12 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj. Ka një konsensus të gjerë, se fushat në të cilat shteti ynë shkëlqeu më së shumti ishin ekonomia, demokracia, sporti dhe kultura. 

Sidoqoftë, në pjesën e kulturës ishte specifikisht një tip kulture ai që ia doli të merrte vëmendjen e mbarë dynjasë: SHOWBIZI. Nuk dihet se çka ndikoi në një rritje e në një zhvillim të hovshëm të kësaj fushe në shtetin tonë të vogël. Por, Kosova u vendos në hartën ndërkombëtare të Showbizit.

Tashmë, të gjitha gazetat tona kanë nëpër faqet e tyne si seksion pjesën e Show-bizit. Disa prej tyre, përjashto Periskopin, seksionin e kanë të shkurtuar thjesht në “seks” duke paraqitur aty thjesht gra të ndryshme që pozojnë në forma provokative.

Por, industria e Showbiznesit ia doli të hapëronte përpara me anë të muzikës e modës.

Në vitet e para të Pavarësisë, ishte këngëtarja me origjinë nga Peja, znj.Rita Sahatçiu [Ora, si emër artistik]. Ajo bëri bujë me disa këngë të ndryshme, kurse aktualisht shërben edhe si ambasadore e Kosovës në botë, një titull honorifik i dhënë nga presidentja e mëhershme, znj.Atifete Jahjaga. Znj.Sahatçiu vazhdimisht bën bujë në mediet ndërkombëtare për gjërat e ndryshme që bën, e për muzikën dhe vlerat që përçon përmes saj, shkruan Periskopi.

Një tjetër këngëtare që doli në dritë ishte edhe këngëtarja tjetër, Dua Lipa. Znj.Lipa tashmë ka kaluar famën e Orës dhe ka fituar edhe çmime ndërkombëtare për performancat e saj. Për dallim nga Rita Ora, ajo është më pak e përfshirë në skandale dhe bën më pak gjeste të ndryshme që zakonisht konsumohen masivisht në Show-Biznes.

Dhe e fundit ishte znj.Era Istrefi. Kjo e fundit doli direkt nga industria e muzikës në Kosovë, së pari duke fituar miliona klikime në YouTube, e më pas duke bashkëpunuar edhe me Labela të famshëm ndërkombëtar. Edhe fama e saj tashmë është në majë.

Përveç këtyre tri grave, edhe Show-Bizi vazhdon të mbetet shumë aktiv. Sidoqoftë, shqetëson fakti që disa prej tyre janë të përfshirë tashmë në afera të ndryshme, ndërsa ende kemi trendin e njëjtë të mos-deklarimit të fitimeve që marrin nga dasmat, ahengjet, apo edhe koncertet.

Vitin e kaluar, pjesë e Showbiznesit u bë përkohësisht edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e nisi këngën në studio televizive duke treguar vlera të jashtëzakonshme vokale. Sidoqoftë, nuk besohet se edhe z.Haradinaj do të përfshihet në këtë industri, edhe pse tashmë ka hequr dorë nga pozita e deputetit./Periskopi

Shpërndaje në: