111 mjekë braktisën Kosovën në vitin 2024

111 mjekë braktisën Kosovën në vitin 2024

Gjatë vitit 2024 nga Kosova janë larguar 111 mjekë, transmeton Periskopi.

Sipas Pleurat Sejdiut, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, numri është përafërsisht i njëjtë edhe me katër vitet e fundit.

Në vitin 2024 kanë qenë gjithsej 111 mjekë, që përafërsisht është mesatarja vjetore, në katër vitet e fundit e kemi pasur mesataren 120 mjekë të larguar dhe kryesisht është trendi i njëjtë në katër vitet e fundit, nuk kemi ndryshim. Ndryshimi është. Në vitin 2023 kanë qenë 167 të cilët kanë marrë dokumentacionin për largim, disa janë larguar, disa i kanë rënë pishman, nuk ka rritje që lidhet me ndonjë arsye. Zakonisht kur ka konkurse për shkollim specialistik, atë vit mund të jetë pak më i vogël numri sepse presin mos po e marrin specializimin. Kryesisht është numri i njëjtë, nuk ka ndonjë faktor që mund të piketohet që e rrit këtë numër”, ka thënë ai, për gazetën Blic.

Sipas Sejdiut, liberalizimi nuk ka ndikuar në ikje të mjekëve.

“Jo, liberalizimi i vizave nuk ka ndikuar aspak, ka ndikuar në lehtësimin për të gjetur punë sepse shkojnë kontaktojnë direkt, kjo është shumë më e lehtë, se sa përmes mënyrë elektronike apo përmes dikujt, dhe nuk ka ndonjë indikator për t’u rritur ky numër”, është shprehur Sejdiu.

E, te mjekët është një trend që studentët e mjekësisë në vitin e fundit të studimeve nisin me kurse të gjuhës gjermane, si përgatitje për t’u larguar drejt Evropës

“Është shifër e lartë sepse në bazë të të dhënave për afërsisht në vit, diplomojnë diku 160 studentë dhe ne kemi rreth 60 për qind mjekë të rinj që largohen sepse shumica që largohen janë ata, të rinjtë. Kemi të dhëna mjaft nga organizata të ndryshme që bëjnë me dije, por edhe organizata studentore e Fakultetit të Mjekësisë, se diku në vitin e 5-të vetëm se fillojnë të shkojnë në kurse të gjermanishtes, d.m.th. përgatiten që në momentin që licencohen dhe me kurset e gjermanishtes janë të gatshëm që të largohen. Kështu që ky është një numër i madh duke pasur parasysh edhe për 3-4 gjeneratat e ardhshme, kemi një numër prej 90-95 që pensionohen dhe ne jemi menjëherë në minus të tyre, duke pasur parasysh që 10-15 mjekë vdesin para kohe ose pensionohen”, shton ai.

Pleurat Sejdiu përmend arsyet pse mjekët e lënë Kosovën

“Kur aplikojnë në oda për anëtarësim dhe kur duan të shkojnë në shtete përkatëse e plotësojnë një formular dhe në bazë të tij ne i dimë arsyet pse po largohen dhe arsyet kryesore janë papunësia e mjekëve, kemi qindra mjekë të papunë në Kosovë, pastaj kualiteti i studimit specialistik dhe e treta është paga, dihet që mjekët e rinj e kanë pagën rreth 700 euro dhe kur kemi parasysh që shumica prej tyre janë në moshën kur martohen, krijojnë familje, kanë nevojë për një shtëpi, ajo është e pamjaftueshme për ta. Këto janë arsyet dhe duhet investuar që të zvogëlohet numri i atyre”, deklaron Sejdiu.

Ai kritikon shtetin që nuk ka bërë asnjë hap që ky trend të ulet

“Tash e 7 vjet që e kemi monitoruar ne këtë, nuk është bërë asnjë hap, as më i vogël konkret, që është i matshëm për ta ulur këtë trend sepse ai nuk mund të ndërpritet por numri i tij mund të zvogëlohet. Ne kemi bërë kërkesa propozime edhe me shkrim, ministrave me radhë por nuk është bërë asgjë. Gjëja e parë që do të duhej të bëhej është punësimi i tyre”, potencon Pleurat Sejdiu.

Shpërndaje në: