11 muaj burgim dhe 900 euro gjobë ndaj të akuzuari se bleu marihuanë në Shëngjin për ta shitur në Kosovë

11 muaj burgim dhe  900 euro gjobë ndaj të akuzuari se bleu marihuanë në Shëngjin për ta shitur në Kosovë

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 11 muaj burgim dhe 900 euro gjobë të pandehurin Sh.G., i cili po akuzohej për blerje, posedimi, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit fillestar, të martën pas leximit të aktakuzës, prokurori Genc Nixha, njoftoi gjykatësin se me të akuzuarin kishin lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari deklaroi se pranon fajësinë dhe se ishte njoftuar nga prokurori Nixha për favoret dhe pasojat të cilat ishin të parapara me ligj.

“Pranoj fajësinë dhe kërkoj falje nga gjykata dhe prokurorisë. Nuk do e përsëris më”, tha i akuzuari G,

Tutje, avokati i të akuzuarit G., avokati Esat Gutaj i ka propozuar gjykatës që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet minimumi i dënimit, me arsye se ai kishte pranuar fajësinë dhe se ishte hera e parë që po bie ndesh me ligjin, dhe gjithashtu është mbajtës i familjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 16.08.2024, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, i pandehuri Sh.G, më 2 korrik 2024, është kapur nga policia në pikën kufitare në Vërmicë duke transportuar narkotik në mënyrë të paautorizuar.

Në aktakuzë thuhet se, policia kufitare kishte ndaluar automjetin e markës “Audi A8”, cilën ishin duke e drejtuar vëllai i të pandehurit, A.G., dhe gjatë kontrollit të automjetit, në ulësen e pasme ka gjetur një qese të plastikës me substancë narkotike të llojit “Marihunë”, në peshë të përgjithshme prej 300 gram, të cilën substancë e kishte blerë i pandehuri në Shëngjin të Republikës së Shqipërisë në shumën prej 500 euro, me qëllim që të njëjtën ta vë në qarkullim për shitje brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarje dhe shitje te paautorizuar të narkotikëve, substancave psiko-trupore dhe analoge nga neni 267, paragrafi.2 të KPRK-së.

Shpërndaje në: