11 marsi ’81 dhe ushtria
Ka një lidhje të pashkoqitshme mes përvjetorit të sotëm të fillimit të Demonstratave të 81’tës dhe përshkallëzimit të fjalëve për ushtrinë e re të vendit. Kjo sepse mospasja e ushtrisë edhe 9 vite pas pavarësimit flet për deficitetet historike të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk u mendua nga ajo që konsiderohej elitë politike e arsimore e shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi. Nënkuptueshëm dihej: kishte vetëm një ushtri, dhe ajo ishte Armata Popullore Jugosllave, ushtria të cilën e mbaronin që prej funksionerëve komitetlinj e deri tek vetë organizatorët e 81-tës.
81-ta, ishte revolta e shqiptarit të pakënaqur. Kryesisht e fshatarësisë meqë asnjë sistem politik nuk kënaqë të gjithë. Natyrisht edhe Bashar El-Assad edhe në këto momente kur po shkruaj e kënaqë dikë, pra edhe pas Aleppos e tërë atyre që u panë në Siri, dikush ndjehet ok edhe me të, sepse fundja edhe sistemet më të poshtra mbahen mbi dikënd e mi diçka. Por 81’ta dhe vitet që pasuan krijuan një aso skeme kognitive të të menduarit, që realisht asnjëra s’po del të jetë shtetformuese, dhe së këndejmi as ushtriformuese.
Kjo për shkakun se edhe ata që më 81 ishin revoltues, nuk kishin (e s’kanë as sot), kurrfarë zhvillimi mendësor të bëjnë diçka si ushtria (meqë janë nivel nënmedioker në intelegjencë, dhe dertin më të madh paslufte e kanë pasur pasurimin), kurse ata që rrjedhin nga pjesa e kënaqur nga e kaluara okupuese nuk është edhe që kanë çarë kokë ndonjeherë për ushtri.
Pjesa funksionare e kohës denjoi t’i denojë këto demonstrata në formën më vulgare të mundshme: “demonstruesit janë plehu i Kosovës” (Fadil Hoxha), e me intimidime të ngjashme për të mos hyrë këtu tek burgosjet, dënimet e përndjekjet. Ndërkaq që përfundimi i tyre njëmend ço tek një represion edhe më i madh serb mi Kosovën, i shoqëruar me pas edhe nga likuidimet e ushtarëve shqiptarë në Armatën Jugosllave. Shumëkush i kënaqur me gjendjen para 81, priret që revoltën e këtij viti ta shoh nga prizmi idiotesk i gabimit apo mosgabimit. Gabuam apo nuk gabuam? Shih ti. Për banorin e Ofçarit të Shalës së Bajgorës, që më 1981 nuk kishte as opinga, paska pas qenë kruciale a gabojmë a nuk gabojmë. Zaten thirrja në rezultatin e fundmë, e jo në idenë/idealin, është prirje tipike e oportunistit shqiptar edhe në drejtime tjera jetësore. A është Barcelona ajo që gjithnjë fiton në fund? Po. Eh me të qenkman!
Por fundi për një shpirt hegelian të lirisë, nuk zhvleftëson idenë fillestare, edhe nëse ajo çfarë ke nisur çon ujë në mullirin e armikut. Ngjashëm siç e kaluara krejt heshtake, frikacake e ikanike e së djeshmës nuk do të duhej të trashej nga paftyrësia e indifrencës apo përbuzjes së angazhimit të tjetrit në diçka që ti as s’do të mund ta paramendoje: sakrifikimin e jetës. Nëse më 1981 je frikësuar apo ke ikur të paktën mos u bë perfid sot.
Në strofullin e këtij situimi, pra të kundrimit gabuam/s’gabuam, pas edhe një reprezaljeje të re siç që ajo e Demonstratave të 89-tës, lindi LDK-ja, e bazuar në kërkim-shpëtim, kërkim-ndihmesë, organizim alternativ të arsimit e ekonomisë (bazuar në solidaritetin komunitar të popullit) si pasojë e frikës. Ideali i lirisë, i lëshoi vendin durimit, përpjekjeve për mbijetesë dhe shpëtim, lirive më të mëdha politike (!?), pluralizimit (!) e vetëgënjimit me demokraci e dialog. Ushtria s’shihej gjëkundi. E megjithatë ishte ruajtur një ideal i ushtrisë, diku në ndërdijen e atyre që e donin dhe besonin në liri.
Kjo zbardhi me vetë lindjen e UÇK-së, si ide e mundësi, pa hyrë fare tek qindra (a ndoshta edhe mijëra) themelues që mbijnë gati përditë e që bëjnë edhe sot gara sot se kush e themeoi. UÇK-ja ishte e domosdoshme, në mynyrë që ideja e çlirimit ta zbythte padinjitetin. Dhe si deficitare që ishte s’do mend se doli me këmbë të argjilta. Nuk u përkrah nga shumica e popullit dhe edhe vetë ishte e kapur nga njerëz të të gjitha tendencave. Njëmend nuk do të mund ta kishte çliruar vetë Kosovën pa ndihmën e jashtme, por mbase meritën më të madhe që ka, është kapja e momentumit kohor: kryengritja në një situate post-Srebrenicë, si dhe depërtimi në boshllëkun institucional të verës 99 i pasuar nga rishqiptarizimi i pjesës më të madhe të vendit, hap imediat ky për kohën në mynyrë që vendi të mos përfundonte me minimum edhe dy Mitrovica tjera.
Paslufte, ideja e ushtrisë e bazuar në autenticitet u avullua në tri drejtime: shndrrimi i përnjershëm në TMK dhe ecja e vendit gjithnjë e më e e sigurt kah anonimati identitar në një kontekst ku shqiptarët sapo kishin nisur të jetonin të lirë; hibernimi LDK-ist që fitonte zgjedhje e që krejt çka bënte ishte pllakosja e mëtejme e apatisë shoqërore; krjimi i befshëm i FSK-së në një situatë të përshpejtuar pas shpalljes së pavarësisë; si dhe nisja e negociatave ku Kosova u kthye në temë negocimi me një estalishment serb me të kaluar gjakatare, përkatësisht me një garniturë teknokratësh e operandësh funksionalistë europianë, që në fakt dertin kryesor sot e kanë veten e jo ne. Dhe kjo vetëm tri vite pas asaj shpalljes së pavarësisë.
Për rrjedhojë 36 vjetori i këtyre demonstratave na zuri prap pa ushtri, e me sovranitet të çalë. Gjetja e “gabimeve” gjatë rrugës, respektivisht reduktimet e çështjes së subjektivitetit shtetëror në teknikalitete e strategji, të sjelljes me palën serbe janë veçse miopi ndaj mosërjes së Kosovës. Siç janë miopi prej skllavi pyetja e atyre që edhe pas 36 vitesh pyesin “a gabuam a s’gabuam më 81”, përkatësisht verbëria e pjesës që nisi atë revoltë, krahasuar me pangopjen dhe zhvatjen e qytetarëve në këtë pasluftë nga vetë ata.