100 mijë vëllait të deputetes, 100 mijë këshilltarit, 50 mijë bashkëpartiakut: Faton Peci dorëlirë me të afërmit e tij
Faton Peci u tregua dorëlirë me të afërmit e tij.
Vetëm katër ditë pasi e kishte regjistruar biznesin Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli përfitoi grant në vlerë prej 100 mijë eurove nga Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, shkruan Periskopi.
“Alda Farm Ria”, kompania nën pronësinë e Blerim Pacollit, u bë përfituese e grantit vetëm pak ditë pasi ai kishte regjistruar biznesin e tij.
Pas këtij raportimi, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar për herë të parë pasi u publikua kontrata, ku i dha grant prej 100 mijë euro vëllaut të deputetës së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Ani pse Peci përmes një postimi tha se “nuk favorizon individë”, por kjo nuk është hera e parë që bën favorizime të tilla.
“Në lidhje me pretendimet e bëra nga Zyra e LDK-së për ndikim në përzgjedhjen e një përfituesi të caktuar, dëshiroj të sqaroj se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”, shkroi ai.
Ndërsa, Deputetja e VV-së , Fitore Pacolli ka “kërcënuar” mediat pasi raportuan për grantin që fitoi vëllau i saj, Blerimi.
Duke e shpërndarë reagimin e vëllaut të saj, deputetja Pacolli tha “do të shihemi në gjykatë.
E, kjo ngjalli reagime të shumta.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se është për keqardhje që Qeveria Kurti për katër vite vetëm kanë vajtuar. Këtë reagim Bajrami e ka bërë ndaj ministrit Hekuran Murati i cili ka thënë se për faj të opozitës qytetarët po vazhdojnë ta paguajnë bukën më shtrenjtë.
Bajrami ka pyetur Muratin se kush është fajtor për grantin që e ka fituar vëllai i deputetes Fitore Pacolli, opozita apo Gjykata Kushtetuese.
Gazetari Lirim Mehmetaj i’a ka kujtuar kryeministrit Kurti fjalët që dikur i thoshte për vjedhjen e subvencioneve.
Këtë publikim ai e bëri pas skandalit me 100 euro që ministri Faton Peci ia dha vëllait të Fitore Pacollit (VV) si grant për një fermë lopësh.
Kurse, analisti Petrit Zogaj, ka ironizuar me këtë skandal, duke thënë se:
“E qysh e pat mbiemrin? Ah, per ate me paksa ike. Apo kesaj radhe ka me e pyet, e qysh e pat emrin? Tek e fundit ministri nuk mundet me i mbajte mend gjithe emrat e mbiemrat e familjerave te bashkepartiakeve, vec u jep grante.”– u shpreh Zogaj në Facebook.
E, Deputeti i PDK’së Ardian Kastrati, ka reaguar në një video të publikuar në Facebook është tallur me këtë skandal duke u shprehur kështu:
“Peci i vogël sherrin e madh!.
Por, nuk mjaftoi me kaq.
Faton Peci, ministër i Bujqësisë e ka vazhduar avazin e dhënies së granteve drejt njerëzve të afërt me të. Kësaj radhe Peci, ka vendosur që ta shpërblej këshilltarin e jashtëm në kabinetin e ministrit, Naim Huruglica.
Përmes dokumenteve të siguruara nga Periskopi, del që kompania “Iron Consulting”, me pronar këshilltarin e jashtëm të Pecit, Naim Huruglica, ka fituar grant nga AZHB për projektin 100 mijë eurosh.
Kujtojmë se Periskopi javë më parë raportoi se edhe bashkëpartiaku i Pecit Bahtijar Berisha, kishte fituar grant 50 mijë eurosh.
Faton Peci i jep bashkëpartiakut të tij mbi 50 mijë euro për ndërtimin e tri vilave (DOKUMENT)