10 shenjat e hershme që paralajmërojnë sëmundjen e Alzheimerit

10 shenjat e hershme që paralajmërojnë sëmundjen e Alzheimerit
  1. HUMBJA E KUJTESËS QË CENON JETËN E PËRDITSHME

Një nga shenjat më të zakonshme të sëmundjes së alzhajmerit, veçanërisht në fillimet e saj është harresa e informacioneve të marra së fundmi. Të tjera janë, harresa e datave apo ngjarjeve të rëndësishme, duke pyetur për të njëjtin informacion në vazhdimësi, si dhe nevoja për t’u mbështetur te shënimet apo pajisjet elektronike ose te pjesëtaret e familjes për gjëra të cilat më parë kujdeseshin ose merreshin personalisht.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Ndonjëherë harrojnë emrat ose takimet, por i kujtojnë më vonë

2.SFIDAT NË PLANIFIKIMIN OSE NË ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE

Disa njerëz mund të përjetojnë ndryshime në aftësinë e tyre për të zhvilluar dhe ndjekur një plan ose për të punuar me numra. Ata mund të kenë probleme për të ndjekur një recetë të njohur familjare ose në mbajtjen e llogarive dhe faturave mujore; mund të kenë vështirësi në përqendrim dhe iu duhet më shumë kohë për të bërë gjërat që bënin më parë.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Ndonjëherë bëjnë gabime rastësore gjatë bilancit të shpenzimeve dhe të ardhurave mujore.

3.VËSHTIRËSIA E BËRJES SË PUNËVE NË SHTËPI, PUNË OSE GJATË KOHËS SË LIRË

Njerëzit e prekur nga sëmundja e alzhajmerit shpeshherë kanë vështirësi për të kryer punët e përditshme. Ndonjëherë ata kanë probleme për të shkuar me makinë drejt një vendi të njohur, për të menaxhuar një buxhet ose për të kujtuar rregullat e lojës së preferuar.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Ndonjëherë kanë nevojë për ndihmë që të rregullojnë parametrat e mikrovalës ose të regjistrojnë një shfaqje në televizor.

4.KONFUZION ME KOHËN DHE VENDIN

Njerëzit e prekur nga sëmundja e alzhajmerit humbasin orientimin me datat, stinët dhe orët. Ata e kanë problem që të kuptojnë diçka që nuk po ndodh në të tashmen. Madje, ndonjëherë mund të harrojnë ku ndodhen dhe si kanë mbërritur atje.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Bëhen konfuzë për ditët e javës, por më vonë kujtohen.

5.VËSHTIRËSI NË SHQUARJEN E IMAZHEVE DHE VENDOSJEN E TYRE NË HAPËSIRË

Te disa njerëz, problemet e shikimit janë shenjë e sëmundjes së alzhajmerit. Ata mund të kenë vështirësi në lexim, vlerësimin e distancave dhe përcaktimin e ngjyrave ose kontrastit. Të gjitha këto paqartësi krijojnë probleme në drejtimin e makinës.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Shikimi dhe problemet me imazhet ndodhin si pasojë e perdes në sy (kataraktit).

6.PROBLEME TË REJA QË LIDHEN ME FJALËT, SI NË TË FOLUR, ASHTU EDHE NË TË SHKRUAR

Njerëzit me sëmundjen e alzhajmerit mund të hasin vështirësi të ndjekin ose t’i bashkohen një bisede. Ata mund të ndalojnë në mes të bisedës dhe nuk kanë asnjë ide se si të vazhdojnë ose mund të përsërisin të njëjtën gjë; kanë vështirësi me fjalorin, probleme për gjetjen e fjalës së duhur ose me emërtimin e sendeve (p.sh.: duke e quajtur një “orë dore” një “orë krahu”).

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën? Ndonjëherë kanë

vështirësi në gjetjen e fjalës së duhur.

7.ZHVENDOSJA E SENDEVE DHE OBJEKTEVE DHE PAAFTËSIA PËR T’I GJETUR ATO

Personat e prekur nga alzhajmeri i vendosin sendet në vende të pazakonta. Ata mund të humbasin objekte dhe janë të paaftë për t’i rigjetur ato. Madje ndonjëherë mund të akuzojnë të tjerët për vjedhje dhe kjo gjë mund të shpeshtohet me kalimin e kohës.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Zhvendosja e sendeve hera-herës, por gjetja e tyre më pas.

8.GJYKIMI I DOBËT DHE VËSHTIRËSIA NË VENDIMMARRJE

Njerëzit me alzhajmer mund të përjetojnë ndryshime në gjykim apo vështirësi në vendimmarrje. Për shembull, ata kanë një gjykim të dobët kur merren me çështje monetare, madje duke dhënë edhe sasi më të mëdha për një produkt. Ata nuk i kushtojnë shumë vëmendje pastërtisë dhe mirëmbajtjes.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Marrja e një vendimi të gabuar një herë në kaq kohë.

9.SHKËPUTJA NGA PUNA OSE NGA AKTIVITET SOCIALE

Personat me sëmundjen e alzhajmerit mund të fillojnë të heqin dorë nga pasionet, aktivitetet sociale, sportive ose projektet e punës. Ata mund të kenë vështirësi në ndjekjen e ekipit të preferuar ose të hobit të tyre. Ata gjithashtu mund të mos jenë socialë për shkak të ndryshimeve që kanë përjetuar.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Ndonjëherë ndjenja e lodhjes nga puna, familja dhe detyrimet sociale.

10.NDRYSHIMET NË HUMOR DHE PERSONALITET

Personaliteti dhe gjendja e humorit të njerëzve me alzhajmer mund të ndryshojë. Ata ndihen të hutuar, të frikësuar, dyshues, të shqetësuar dhe të stresuar. Janë lehtësisht të prekshëm dhe mërziten shumë shpejt, si në shtëpi, punë, me miqtë e tyre apo në ambiente jashtë zonës së tyre të rehatisë.

Cili është një ndryshim karakteristik i lidhur me moshën?

Zhvillojnë mënyra specifike të të bërit të gjërave dhe nervozohen kur dikush ua prish rutinën.

SHËNIM

Ndryshimet e humorit me kalimin e moshës mund të jenë edhe shenjë e një sëmundjeje tjetër. Konsultohuni me mjekun në rast se këto ndryshime i vëreni te vetja ose te të tjerët. Revista Living/ Mirela Andoni

Shpërndaje në: