Prishtina fiton turneun e futsallit “Adem Jashari”
Ka përfunduar turneu i futsallit “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Nga katër ekipe pjesëmarrëse, në finale shkuan rivalët lokalë Prishtina dhe Prishtina 01, raporton KosovaPress.
Pas një ndeshjeje shumë të fortë të zhvilluar ndërmjet këtyre dy skuadrave, fituese e këtij turneu u shpall Prishtina e cila fitoi me rezultat minimal 1:0, me golin e realizuar nga Jeton Rukovci.
Të pranishëm në tribuna për të parë nga afër këtë ndeshje ishin edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi dhe drejtori sportiv i kombëtares Muharrem Sahitaj.