NASA lanson mjetin që do t’i afrohet diellit si asnjëherë më parë
Përgatitet të fillojë “stafeta” hapësinore që synon të “prekë” për herë të parë Diellin. NASA do të hapë rrugën nesër në mëngjes me hedhjen e sondës “Parker Solar Probe”, që në shtatë vite mision do të jetë mjeti i parë që do të vizitojë një yll, si dhe ai që do t’i afrohet më shumë nga të gjithë Diellit.
Më pas radhën do e ketë Agjencia Hapësinore Europiane (ESA) me sondën “Solar Orbiter”, lëshimi i të cilës, fillimisht i parashikuar për në tetor, është shtyrë në shkurt 2020, do të bëhet pikërisht në kohën e duhur për të arritur Diellin kur është në minimum të aktivitetit të tij.
“T’i afrohesh Diellit kur është në letargji mundëson që të analizosh më mirë se si ndryshojnë rajonet aktive, njollat diellore dhe lëshimi i grimcave ndërkohë që shkohet drejt maksimumit të ciklit të ri diellor”, shpjegon Mauro Messerotti, i Observatorit të Triestes në Institutin Kombëtar të Astrofizikës (INFA) dhe profesor në universitetin e Triestes.
“Sonda Parker, do të arrijë në një distancë rekord prej 6,3 milionë kilometrash nga Dielli. Do të zhytet në kurorën diellore, ku temperaturat arrijnë nivelin e 1 377 gradë Celcius”, thotë eksperti.
“Imazhet super të detajuara që do të bëjë sonda, do të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë i shkakton erërat diellore dhe grimcat energjetike, në mënyrë që të bëhen parashikime gjithnjë e më të detajuara të stuhive diellore dhe të motit hapësinor”, thekson Messerotti.
Megjithatë sonda “Solar Orbiter” e ESA nuk do të guxojë kaq shumë, ajo do të ndalojë në rreth 43 milionë kilometra nga Dielli për të vëzhguar rajonet polare nga ku nisen “autostradat” që dërgojnë grimcat diellore në hapësirën ndërplanetare.