Dhjetëra mijëra blerës heqin dorë nga Tesla 3 për këtë arsye
Që nga paraqitja e automobilit koncept në pranverën e vitit 2016 e deri te versioni premierë i modelit Tesla 3 kanë kaluar 15 muaj dhe në këtë periudhë prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike ka pranuar më shumë se gjysmë milion porosi.
Edhe pse blerësit potencialë ishin në dijeni se para tyre ishte një periudhë e gjatë e pritjes për dërgesat e veturave, prej 12-18 muaj, disa dhjetëra mijëra prej tyre ndërkohë kanë humbur durimin, transmeton KosovaPress.
Njeriu i parë i Telsa, Ilon Mask, ka bërë të ditur se deri tash 63.000 blerës kanë anuluar rezervimin e tyre dhe do t’iu kthehet depozita, e cila në SHBA kap shumën 1.000 dollarë, ndërsa në Evropë 1.000 euro.
Duke pasur parasysh se për Modelin 3 gjithsej janë pranuar rreth 518.000 porosi, Teslës i mbetet që të dërgojë rreth 455.000 automobila. Mask ka shpjeguar se anulimi i rezervimeve ka ndodhur në periudhën e mëhershme prej para gati një viti.
Kompania Tesla në promocionin solemn, të mbajtur në fund të korrikut në fabrikën në Frimont, ka dërguar 30 porositë e para të Modelit 3 te blerësit.
Kompania planifikon që prodhimi, i cili ka nisur në korrik, deri në fund të vitit gradualisht të përfshijë rreth 5.000 automobila në javë, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm të rritet në 10.000 njësi në javë.