Zbulim i rrallë: Harta shqiptare e Konicës e vitit 1902

Periskopi.com Kulturë

Nga Fotaq Andrea

Fletore koniciane nr.7
Është e njohur që, në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III, (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV, ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj.

Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare. Faik Konica, gjurmues i hershëm i gjithçkaje shqiptare nëpër bibliotekat e Europës, është i pari rilindës që intrigohet dhe interesohet nga afër për hartat më të vjetra që pasqyrojnë Shqipërinë, duke arritur të zbulojë në British Museum tetë hartat e Camotti-t (Venedik, 1571) me emrin “Provincia di Albania”. Veçse, krahas entuziazmit të zbulimeve, ai edhe do thartohet njëfarësoj tek vëren, sidomos gjatë shekullit XIX, pasaktësi e shtrembërime në emërtime, si dhe kufizime të theksuara në përmbajtjen e hartave, të cilat e shfaqnin Shqipërinë në mënyrë të copëtuar e “të përciptë” (cilësimi është i vetë Konicës), në kuadër të Europës jug-lindore, të gadishullit ballkanik apo të së ashtuquajturës “Turqi europiane”. Për më tepër që asnjë hartë që i binte në dorë nuk ishte e përpiluar enkas për shqiptarët, ndonëse paraqitnin trevat e tyre. Ato ishin thjesht të destinuara për publikun e huaj.

E megjithatë, ai nuk i ndal hulumtimet, dhe veç kur e shohim, në fillim të shekullit XX, të vendosë kontakte të drejtpërdrejta pune me gjeografin e madh Elisée Reclus, figurë e shquar botërore, autor i veprës “Gjeografia e përbotshme”, vepër të cilën Konica e quan “monument”, tek ka pikasur në të që stërgjyshi i tij i lashtë Ali Pashë Tepelena shpallet “Rishëljëja i Shqipërisë”. Themi që Konica vendosi “kontakte pune” sepse gjeniu i ri shqiptar do të kishte idenë e shkëlqyer për të botuar për herë të parë, falë Institutit gjeografik të Brukselit, një hartë të Shqipërisë, unikale në llojin e vet, hartë me emërtime toponimike shqipe, të cilën ai e shihte si një domosdoshmëri historike.

Në fakt, për sa i përket botimeve, në atë kapërcyell të shekullit XX, kur shumë rilindës shpejtonin të shtypnin librat e tyre të parë për shkollat shqipe, me poezi e prozë patriotike për të ngjallur ndjenjën kombëtare, dhe kur mbisundonin abe-të dhe librat letrarë me alfabet të amalgamuar, Konica shihte e rrihte edhe më lart me “Albania-n” e tij: ngulmonte jo vetëm te një alfabet i përbashkët, por në radhë të parë te një gjuhë shqipe e përbashkët dhe e njësuar, me përpunim shkencor të themeltë, ngulmonte pra, te GJUHA LETRARE SHQIPE që kemi sot dhe që e ka zanafillën pikërisht te shkrimet e tij, të cilat, me shumë meritë, i ka përmbledhur në një vëllim të vetëm Kristina Jorgaqi nën titullin “Faik Konica – Mendime gjuhësie“. Krahas botimit të revistës së tij “Albania“, që po shkëlqente në rrethet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, por edhe në qarqet intelektuale të Europës, Konica do t’i hynte botimit edhe të disa librave shqipe me vlerë të veçantë – si “Jeta e Kara Mahmud pash Shkodrës” (1899) nga Nasuf beg Dizdari, “Jeta e Mustaf Pashë Shkodrës (1898) prej I. D“., “Abetari i ghues shcip” (1899), “Kalendari i Maleve” (1899), “Historia e Shcypniis”, Bruksel 1902, “Historia e Turkiis”, Londër 1902 nga Dom Ndoc Nikajt –, si dhe shtypjes e shpërndarjes të një numri kartë-postalesh me figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti nën penelin e mikut të tij belg Paul Nocquet. Veçse, në këtë mes, botimi që ai do t’i bënte “Hartës së Shqipërisë”, me terminologji shqipe, do të ishte kurorëzimi i tërë punës së tij botimore në vitet 1898-1902 dhe do të përbënte – e përbën – një stoli të vyer koniciane, tek shënon një ngjarje madhore për vetë hartografinë shqiptare.

Sipas FESH, historiku i hartografisë shqiptare “zë fill” me hartën e gjeografit të shquar shqiptar Ahmet Gashi përpiluar më 1940. Nuk kemi asnjë kundërshtim, përderisa nuk ka qenë e njohur dhe ka mbetur për një kohë të gjatë në errësirë të plotë Harta shqiptare Koniciane e vitit 1902. Sot, tek e zotërojmë të numerizuar këtë hartë, të rënë e të lënë në gjumin e harresës, po e bëjmë për herë të parë të njohur për publikun dhe studiuesin shqiptar pas 113 vjetësh, duke shfaqur përmbajtjen e saj thelbësore dhe cilësitë që e karakterizojnë.

E quajmë këtë “Harta Koniciane” sepse: 1) Nisma për përpilimin dhe hartimin e saj u ndërmor nga dhe vetëm nga Faik Konica; 2) Emërtesat, apo “nomenklatura e hartës” siç e quan Konica (“nomenclature” – fr.), janë autorësi e vetme e tij, mbi bazën e këtyre tre burimeve: a) “Kujtesës sime” – thotë ai, pra kujtesës gjeniale të Faik Konicës i cilësuar siç dihet nga Apolineri “Enciklopedi lëvizëse” ; b) “Shfrytëzimi i tërë librave që munda” (FK) – dhe dihet e njihet biblioteka e pasur koniciane, zhdukur pa nam e nishan; c) “Gjeografia e shkëlqyer e Shqipërisë”, botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës; 3) Titulli, shkalla, formati, tirazhi i hartës u përcaktuan nga Faik Konica për dy qëllime kryesore : për shkollat shqipe dhe për shkencën; 4) Emrat e lumenjve, liqeneve, maleve dhe lokaliteteve (qytezave) që Konica i quan “pshat (fshat) – bourg në frëngjisht”, si dhe të 250 katundeve që përfshihen në hartë janë përcaktuar nga Konica, me një “saktësi të përpiktë”, siç shprehet konkretisht ai vetë; 5) vetë Konica nuk ka dashur që harta e tij të ketë kufij të përcaktuar fizikë, përderisa nuk ekzistonin kufij natyrorë me shtete fqinje dhe kur pjesë historike të trojeve shqiptare ishin copëtuar arbitrarisht që me Traktatin e Berlinit në kurriz të etnisë dhe kombit shqiptar; 6) Ishte ideja origjinale e Faik Konicës për t’i shtuar hartës së tij edhe dy suaza hartash në miniaturë për gjeologjinë dhe klimën e Shqipërisë, të cilat Konica i quan në shqip “kartica” në bazë të frëngjishtes “cartouches”; 7) Vetë Konica e kishte, të themi, një dell dezinjatori për harta, po të kemi parasysh se, që më 1896, ai vetë kishte skicuar në një fletë fletoreje një hartë të Pellazgjisë, në kërkim të lashtësisë së kombit shqiptar (Letër drejtuar N. N. Naços, 20 mars 1896 – AQSH).
Nga ana tjetër, e vërteta e thjeshtë është se Konica flet më se një herë për botimin e kësaj harte, jo vetëm në letërkëmbim, por sidomos te “Albania” e tij, duke i kushtuar dy shkrime, në shqip e në frëngjisht, tek s’përmbahet në entuziazmin tejet të përligjur që shpreh: “Është e para kartë e dheut tonë në shqip”, është “kryepunë e dobishme për shkollat, e dobishme për shkencën”, “është dritë për kombin tonë”, thekson ai dhe, në mënyrë thirrmore, me një pikë-çuditëse të fuqishme gëzimi e lumturimi, shfaq admirimin me një fjalë të vetme: ” E ç’kartë ! ” (“Albania“, prill-maj 1902, nr.4-5).
Pikërisht, ky entuziazëm i Konicës, vetë ajo ngjarje e shënuar që përbënte botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare, të gjitha këto motive na nxitën për t’iu drejtuar me një mesazh të thjeshtë Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës në janar 2015, me qëllim që të ndihmoheshim në hulumtimin e një “harte shqiptare” botuar nga Universiteti i Ri i Brukselit, tek përmendnim autoritetin evropian të Konicës dhe autoritetin e Prof. Elisée Reclus. Nuk do vononte dhe shefi i Seksionit të hartave dhe planeve të kësaj Biblioteke, Z. Fabien Sansterre do të na përgjigjej se në koleksionet e tyre kishin vërtet një hartë të Shqipërisë botuar nga Instituti gjeografik i Universitetit të Ri por, duke qenë se veta harta nuk kishte të dhëna përshkrimore dhe kurrfarë reference, ata kishin hasur vështirësi në identifikimin e saj, sepse gjithçka mbi të ishte në gjuhën shqipe. Kuptohet gëzimi ynë i papërmbajtshëm me të parë disa klishe që na u dërguan, tek u bindëm se ramë pikërisht në atë që kërkonim. Dhe nisëm një letërkëmbim të dendur, ku vërtetuam bindshëm se bëhej fjalë për “Hartën Koniciane”, tek dërguam dokumentin frëngjisht (shkrimin-bazë të Konicës te “Albania“) me të dhënat e sakta të formatit, shkallës, vitit dhe vendit të botimit të hartës, rrethanat si u botua, marrëdhëniet Konica-Reclus, e mbi të gjitha tek zbërthyem hollësisht vetë hartën, në përmbajtjen dhe karakteristikat e saj thelbësore. Përfunduam, duke siguruar personelin e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës se ata zotëronin kështu një “stoli të vyer”, një “hartë të rrallë shqiptare” që nderonte Institucionin e tyre.

Po le të shohim më mirë këtë hartë nga afër:

1. Titulli i saj jepet në shqipen e kohës në dy dialektet: gegërisht, Shcypenia, toskërisht, Shciperia, por që të dy dialektet të shkrira në një fjalë të vetme ku y/i dhe n/r jepen me germa më të vogla në formë thyese, një krijim apo sajesë kjo simbolike, e mirëfilltë koniciane, dhe konkretisht në formën:

 y n

Shc-pe- ia

 i r

2.Poshtë titullit, është shkruar me germa të mëdha: E’ para karte é dheut t’one é shtypur/n mé të holla të Lartesise Tij Don Ghinit, Marcés i Aladros é prints i Kastrioteve nga ghaku i te Madhit t’one Skenderbég, Pérendia i faltë jéte te ghate. (Bien këtu në sy “e” që është “ë-ja” e frëngjishtes dhe po ashtu “é-ja” me theks, një përdorim karakteristik i këtyre dy germave nga Konica në krejt shkrimet e tij shqip të Albania-s.)

3.Në fund të hartës, jashtë kuadratit të saj, më të djathtë, jepet botuesi dhe viti i botimit në dy gjuhë: Ghithemsim i Ri. Institut Dhêshkrimtar i Bruselit (1902): Université Nouvelle. Institut Géographique de Bruxelles (1902). (Edhe këtu bie në sy prirja e Konicës për të shqipëruar çdo term të huaj shkencor, konkretisht fjalët “universitet” dhe “gjeografik” që i jep në format shqipe të tij “gjithëmësim” dhe “dhéshkrimtar”.)

4.Më poshtë, me shkrim dore, me laps, ku dallojmë qartë shkrimin e Konicës, është shënuar: XIV G, Albanie, 1902 “Përlindia”. Është fjala këtu për porositësin e hartës, që është “Shoqëria kombiare”, të cilën Konica e quante “Përlindia (Rilindja) e Shqiptarëve”. Dhe pikërisht, në krahun e majtë të hartës shfaqet me germa shtypi qoftë burimi apo baza ku mbështetej realizimi i skicë-idesë: “Ngrehur mbas punevet t’Institutit dhéshkrimtar ushtarak te Vjenes”, qoftë porositësi i hartës: “Per Shocerine “Perlindia e Shcipetarevé””.

Por tërë hollësitë e kësaj harte, të shkallës 1/500 000, në formatin 1m,20 x 0,75m, me pesë rilevime (kurbat niveluese pesëngjyrëshe) jepen në artikullin e Konicës në frëngjisht, të cilin po e japim më poshtë të përkthyer për herë të parë. Megjithatë, mbetet në pikëpyetje tirazhi i saj, sepse nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Po prapë, nisur nga disa të dhëna të tërthorta të vetë Konicës në letërkëmbimin e tij, mendojmë se tirazhi nuk duhet t’i ketë kaluar 300 kopjet. Kështu, në dhjetor 1908, ai thotë se iu kthyen në Londër nga Amerika 150 copë harta të pa shitura (Vepra 4, f. 169), kur mund të ketë dërguar aty ndoshta rreth 200 copë dhe kur mund të ketë shitur rreth 100 copë në Europë gjatë viteve 1902-1908. Çmimi i hartës ishte 5 franga (“1 fiorin a 10 grosh brenda në Shqipëri”- e përcakton ai çmimin), pothuaj po aq sa mund të kushtonte në atë kohë libri i një autori në zë. Nisur nga këto përllogaritje të hamendësuara, krejt kostoja e shtypit të hartës nuk duhet t’i ketë kaluar 1000 franga, të financuara – sikurse jepet që në nëntitull -, nga princi Aladro Kastrioti, i cili faktikisht kishte përcaktuar në po atë periudhë (1902-1903) edhe një çmim prej 1000 frangash si shpërblim vjetor për letrarin më të mirë shqiptar. Ishte koha kur pasaniku spanjoll Juan Pedro Aladro, i vetëshpallur Princ Kastrioti, zgjidhte qesen tek pretendonte të zinte fronin e ardhshëm të Shqipërisë dhe të kalëronte si mbret i shqiptarëve. Sidoqoftë, fakti është që në gusht 1912, Konica lajmëron se “Karta dheshkrimore e Shqipërisë u mbarua. Është një punë që gjithë dijetarët e kanë pëlqyer – vijon ai -, e me të vërtetë më e mirë nukë bëhej…” (Vepra 4, f. 176). Që me botimin e saj (mars 1902), ai vinte në dijeni edhe ministrin e jashtëm të Austrisë baronin Gulochowski, tek nënvizonte se: “Kam në dispozicionin tuaj aq ekzemplarë sa ju duhen. Nuk është e nevojshme të më dërgoni të holla për këtë qëllim, mbasi për botimin e kësaj harte është dashur shumë punë, por nuk kam bërë as më të voglin shpenzim” (Vepra 4, f. 105– nënvizimi ynë).

“Më është dashur shumë punë” – shprehet Konica pa modesti të shtirur kur, në fakt, vetëm për të saktësuar emrat e qyteteve dhe lokaliteteve shqiptare lypsej të mbante shënime gjuhësore, të bënte vëzhgime të përpikta dhe të nxirrte konkluzionet e duhura për njëjësim. Kështu, më 1898, ai ishte i intriguar që emrat e përveçëm të shqipes shfaqeshin në botimet e huaja në formë të dyfishtë, të shquar e të pashquar: Berat/Berati, Janinë/Janina, etj. “Në paraqitjen më të zakontë të fjalës, shkruan ai, përdoret forma e pashquar. Mirëpo, falë një kundërshtie që nuk arrij ta shpjegoj dot, në librat dhe hartat që kanë të bëjnë me Shqipërinë, të hartuara nga autorë të huaj, emrat mashkullorë (Berat, Ulkin, Prizren, Ipek, etj.) përdoren në formën e tyre të pashquar, kurse emrat femërorë (Janina, Dibra, Dschakova) në formën e tyre të shquar. Për të mos ndjekur këtë gabim, ne, vazhdon ai, do shkruajmë pra këtu, këtej e tutje, Janinë, Dibrë, Dschakovë, etj.” (Albania, B15-31 gusht 1898). Dhe fakti është që ai iu përmbajt me fanatizëm këtij rregulli të saktë që vendosi vetë, jo vetëm te Albania e tij, por edhe te harta që po trajtojmë, rregull që vijon edhe sot e kësaj dite në hartografinë shqiptare.

Tek jep lajmin e gëzuar për botimin e hartës, në të njëjtin numër të Albania-s Konica ndalet në përdorimin e fjalëve kartë dhe hartë, konkretisht në shkrimin “Mendime gjuhësie”. Parashtron këtu argumentet e veta pse duhet përdorur në shqip togfjalëshi “kartë dhéshkrimore” në vend të terminologjisë “hartë gjeografike”. Sepse – në neologjizmat e veta të shumta, në tërë shkrimet analitike gjuhësore, dhe si gjuhëtar e poliglot që ishte (njohës e folës i 15 gjuhëve të huaja) -, Konica merrte gjithnjë për bazë dhe për model gjuhën frënge, të cilën e zotëronte me mjeshtëri; por bazohej edhe në gjuhët e tjera perëndimore si gjermanishtja e anglishtja, të cilat ai i quante “gjuhë të mbëdha e të bukura”, tek shprehnin absolutisht prirjen dhe bindjen e tij të hershme për përparim të kombit shqiptar drejt Perëndimit Europian. Pra, ai parapëlqente në rastin tonë përdorimin shqip të fjalës kartë (carte fr. dhe land-karte gjer.) dhe jo hartë, term që e shihte si të prejardhur në rastin konkret nga turqishtja “harita“, dhe “që e përdorin dudumët” (turqit), sikundër shprehet ai. Sigurisht që mjeshtri i gjuhëve, që do shkruante më 1904 librin madhor e në nivele europiane “Sprovë për gjuhët natyrore e artificiale“, e njihte origjinën e fjalës hartë nga latinishtja charte (fleta e letrës – kartë). Por nuk gëlltiste dot atë “haritën” turke për fjalën hartë në shqip. Në fund të fundit, edhe pse “fitoi” përdorimi në shqip i fjalës hartë në vend të fjalës kartë, që predikonte Konica, nuk ka në këtë mes ndonjë “humbje”, kurrgjë “të keqe”, kur dihet që në gjuhësi përdorimi i fjalëve është çështje shijeje, pëlqimi, zakoni, mode, madje edhe “detyrimi”, si në rastin e përdorimit masiv të termit “shok” gjatë regjimit totalitar, në vend të fjalës “zotëri, zot”. Por ama, ne nga ana jonë, kemi të drejtë ta gjejmë të bukur e të goditur togfjalëshin konician “kartë dheshkrimore”, që e çmojmë, tek na tingëllon ëmbël në veshë, si një togfjalësh paksa ekzotik, por që përbën, pamëdyshje, një gjetje mjeshtërore koniciane.

Nga pikëpamja teknike e topografike, harta-bazë ku u mbështet Konica ishte, siç e thotë edhe vetë, Harta e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës. “Është harta më e mirë që ekziston për Shqipërinë, por ka plot pasaktësi”, thotë ai për të. E dinte që ekzistonin dy botime të asaj harte: ajo e vitit 1880, që kishte përdorur albanologu Julius Pisko për të përcaktuar – pa rezultat – topografinë e fushatave të Skënderbeut dhe ajo më e fundit e vitit 1900. Duke studiuar nga afër këto harta, Konica do arrinte në konkluzionin se një punë e vërtetë shkencore në fushën e hartografisë duhej të mbështetej, në radhë të parë, në dy kritere bazë: a) të merren me këtë punë njerëz nga vetë terreni, që e njohin këtë me themel, “njerëz nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Dibra”, thotë ai; b) të merren njerëz të përkushtuar për këtë punë, që kanë dashuri e interes për historinë e popullit dhe epopetë e tij të lavdishme.

Si shqiptar me rrënjë të lashta fisnikërore, plot dashuri e patriotizëm të flaktë për vendin e tij dhe si erudit i shkallës së epërme, Konica i plotësonte e i tejkalonte ku e ku këto dy kritere kryesore. Dhe, sa për historinë dhe epopetë e lavdishme të popullit shqiptar, Konica prej kohësh i kishte hedhur sytë nga epopeja skënderbejane, për të ringjallur kujtimin e Heroit Kombëtar dhe vetë ndjenjën kombëtare shqiptare. Sepse është e njohur që Konica është i pari rilindës që i hyri konkretisht studimit të topografisë së fushatave të Skënderbeut (Albania, nr. 9, 1901), pikërisht fusha studimore ku kishte dështuar austriaku Pisko. Mbështetur edhe në studimet e J. G. Hahn e të Biemmi, Konica dha 16 lokalitete-arena të luftërave të Skënderbeut ndaj sulltanëve turq, nga Albulena, Alkriha e Çidhna te Mekhadio, Modrisa, Mokri, Oroniqi, Otoneta, Petralba, Svetigradi, Talmirana, Torviolli, Vajkali, etj. Veçse i vjen keq që nuk arriti të shfrytëzojë sa duhet vetë studimin e tij për t’i paraqitur këto fushata edhe mbi hartën që përgatiti, tek u mjaftua thjesht në vënien e disa datave poshtë lokaliteteve kryesore historike të hartës.

Ç’ka i interesonte në mënyrë të veçantë ishin kufijtë etnikë e historikë të Shqipërisë. Ai e njihte edhe Hartën tregtare të Shqipërisë (“me dy Shqipëritë – Toske e Gege”) nga F. Bianconi, dhe “me gabimet e saj të falshme” (F.K.), kur ishin lënë jashtë kufijve krejt Manastiri me fshatrat e tij shqiptare. “Manastiri është provincë shqiptare sa më s’bëhet”, proteston Konica me bindje të plotë (Albania, nr. 13, 30 maj 1898). Jo vetëm kaq por, në shkrimet e tij të shumta, shpesh ai shpreh zemëratën e vet gjer në revoltë sa herë që i referohet padrejtësive historike në kurriz të shqiptarëve, duke filluar me Kongresin e Berlinit që copëtoi egër trojet e tyre. Mbi të gjitha, me ton të fuqishëm polemizues ai i hyn me fshikull kurrizit dhe kopaçe të rëndë në kokë qarqeve politike shoviniste të vendeve fqinje, serbe, malazeze, bullgare, greke, maqedone, italiane, si dhe zëdhënësve e kalemxhinjve të tyre kryesisht frëngj që po i binin tmerrësisht në qafë kombit shqiptar në perëndimin e turpshëm të Perandorisë osmane. Që në numrin e parë të mrekullisë Albania (mars 1897 – por të përgatitur që më 1896), në një “Shënimth” me 20 rreshta, 20-vjeçari Konica, duke rimarrë formulën e Prud’honit, do shkruante me penë gjeniu një koncentrat ideor filozofik, historik e patriotik, tek shkruan : “Ç’është rendi i tretë? Asgjë. Çfarë duhet të jetë? Gjithçka.” Dhe, duke e parodizuar këtë formulë të famshme historike, për të treguar që fati i shqiptarëve nën Turqinë otomane ishte fati i nën-njerëzve që s’gëzonin liri e pavarësi, por ishin faktor kryesor veprues, Konica pyet: “Ç’janë shqiptarët në Turqinë evropiane? Asgjë. Çfarë duhet të bëjnë? Gjithçka” E vijon: “Ne nuk kemi para për të paguar gazetat dhe agjencitë, por kemi mushkri të fuqishme, dhe thirrja jonë do të arrijë më në fund gjer te publiku i gjerë. Ja ku po shpallim me të madhe, ja ku po thërrasim me forcë për ta dëgjuar njerëzit e ndershëm dhe dashamirë: Territoret e sotme të Greqisë, të Serbisë, të Bullgarisë, dhe grupi i fshatrave të quajtur Mal i Zi përfshijnë elementë të huaj; për të vënë në vend drejtësinë, Thesalia, një pjesë e Bullgarisë dhe e Malit të Zi, dhe Serbia, nga Vrana duke shkuar për në Jug, duhet t’i bashkëngjiten Shqipërisë. Në vend që të rrinë urtë, si hajdutë që janë e që kanë marrë si shumë, dhe kur duhet t’i mbushin brekët se mos e hanë, grekët dhe të tjerët dashkan ende ta copëtojnë Shqipërinë. Grekëve dhe të tjerëve, ja ku po u themi këtë çast me zë të prerë: mjaft më! Mos shkoni më tutje!” – Ja pra, një fantastike tjetër koniciane à la Wagner! Dhe sa aktuale, kur grekët e sotëm na duan detin, ndjekin kufirin e Epirit të Veriut me shpikjen dhe vendosjen e varrezave të ushtarëve grekë si një gozhdë Nastradini, kur vetë ushtarët grekë janë kthyer në kanibalë për të ngrënë mish shqiptari dhe kur Autoqefalia shqiptare në qendër të Tiranës është një fjalë boshe.

Më në fund, nëse krahasojmë Hartën Koniciane të vitit 1902 me Hartën e Shqipërisë natyrale të vitit 1867, hartuar nga F. Milone më 1942, vërejmë se nuk kanë ndonjë ndryshim lidhur me trojet shqiptare që sot ndodhen përtej kufijve fizikë të përcaktuar arbitrarisht nga Fuqitë e mëdha më 1913 dhe 1920. Duke ndjekur vijën e lakuar të emrave të vendeve fqinje vërejmë se përvijohet “ndarja” sipas asaj që do ta quanim “linjë klasike”, që niset nga Artë-Preveza në Jug, për të marrë drejt Kallabaqit e Dishkatit në Jug-lindje, më në Lindje drejt Kozhanës, Manastirit e Prilepit, duke u ngjitur drejt Kumanovës, Vranjës e Leskovacit si pika më veri-lindore, për të kulmuar në Veri drejt Ibarit e Beronës dhe për të përfunduar në Veri-perëndim drejt Rashpës e Ulqinjit. Por një gjë bie dukshëm në sy: në një kohë kur kufijtë janë bërë gjëja më e shenjtë, Konica i lë hapur kufijtë e Shqipërisë, tek ka parasysh te shkuarën e hidhur për kombin shqiptar të coptuar e të masakruar, si një përgjigje politike e historike për qarqet arbitrare evropiane, duke lënë të kuptohet se kufijtë e Shqipërisë janë aty ku ka shqiptarë në trevat e tyre historike, shqiptarë që i kanë bërë qëndresë asimilimit të dhunshëm dhe dëbimeve masive. Nga ana tjetër, kjo Shqipëri e hapur, me kufij të hapur konicianë, që i bën edhe vendet fqinje të mos kenë kufij të përcaktuar me Shqipërinë, duket si një mesazh tepër aktual, ardhur nën penën e Konicës që nga fillimi i shekullit XX, për hapje ballkanike e evropiane, për atë në synohet drejt një Europe të Bashkuar. E s’ka si të mos e mbajmë në këtë rast Faik Fisnik Konicën tonë si pararendës të shkrirjes së akujve kufitarë që ndajnë historikisht popuj e vende, si pararendës të Ballkanit dhe Europës pa kufi.

Punimet e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës shërbyen si bazë për hartën tonë, por ja përmirësimet që janë realizuar:

1. Emrat e lokaliteteve e të tjera janë të shkruara  shqip me një saktësi të përpiktë.

2. Kurbat niveluese shfaqen me pesë ngjyra të ndryshme duke shkuar nga e kafejta më e çelët që vjen e forcohet, gjer te larushia më e errët, tek ndiqen lartësitë, dhe mjaft të hidhet një sy mbi hartë për të krijuar një ide të qartë rreth konfigurimit të tokës shqiptare. Kjo mënyrë i lejon nga ana tjetër profesorit të zgjuar t’u japë nxënësve të tij një seri mësimesh sugjestionuese dhe tërheqëse, që janë të pamundura me hartat ku lartësitë shfaqen me ndoca ravijëzime të turbullta, zgjatur ku këtu, ku atje.

Sepse kjo hartë destinohet kryesisht për shkollat. Andaj pra dhe kemi përdorur një format aq të madh dhe, me qëllim që t’i japim emrat me germa të mëdha, të lehta për t’u lexuar, u kufizuam në një nomenklaturë prej rreth 400 lokalitetesh, lumenjsh, liqenesh, etj.

Nuk kishim për qëllim të bënim një hartë për një fushë të ngushtë, dhe ndjenja e lartë shkencore e Z. Elisée Reclus do t’i priste me gëzim këto kërkesa tonat të paanshme. Nuk gjendet në të një vijë ndarjeje midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje, po ashtu turke [nën suazën turke], por të banuara nga kombësi të tjera. Nuk deshëm të përcaktonim kufij të kontestuar. Është një hartë shkencore dhe asgjë më tepër, ose më mirë, asgjë më pak. Nëse kemi përfshirë pjesë territori dukshëm joshqiptare, si për shembull në Veri-Lindje, kuptohet – veç në mos qofshin mendjengushtë për keqardhjen tonë – se është e pamundur në një hartë të priten kufij të skajshëm, e vetëm të përdornim atëherë viza të drejta. Pra, nuk shkaktojmë kurrfarë ambicie, kurrfarë iluzioni, makar i vogël qoftë. Ata që jetojnë me fjalë dhe përkunden me ninulla fjalish s’kanë pse vinë e ankohen dhe të na lëshojnë britmat e tyre të zakonta prej palloi.

Po ashtu, nuk janë shënuar me vizë kufijtë e vendeve fqinje, por kjo, kuptohet, për arsye krejt të tjera. Duke pasur parasysh shkallën e hartë sonë dhe pasaktësinë e mundshme të dokumenteve që disponoheshin, iu trembëm pasaktësive. Andaj dhe emrat e vendeve fqinje u shkruan sipas një lakoreje, në përputhje me vijën e përgjithshme të kufijve. Mendoj se ideja ishte e arritur dhe nuk mund të bëhej më mirë.

Vendi nuk është ndarë në vilajete, duke qenë se kjo ndarje nuk paraqet asnjë interes nga pikëpamja gjeografike. Në të kundërt, poshtë emrit të lokaliteteve kryesore historike janë dhënë disa data. Është për të ardhur keq që nuk arritëm të shfrytëzonim sa më mirë në këtë drejtim studimin tonë botuar te Albania me titullin Topografia e fushatave të Skënderbeut.

Nga ana tjetër, për të shtuar interesimin për këtë hartë të admirueshme, shtuam dy suazime, një për gjeologjinë, tjetra për klimën e Shqipërisë.

E ndjej si detyrë të falënderoj me zemër, në emër të popullit shqiptar Z. Elisée Reclus, që nuk është vetëm një gjeograf i madh, por edhe një zemër e madhe dhe që, si këtu, si në gjithçka, u tregua me zemër të lartë fisnike. Falënderoj gjithashtu Z. Bertrand dhe Z. Pattesson, dy hartografët e shquar të Institutit që u morën me aq mjeshtri e shkathtësi për ta çuar gjer në fund tërë këtë ndërmarrje.

A ka gabime materiale në këtë hartë? Nuk besoj; por është e mundur dhe, në këtë rast, kërkoj të falur, sepse gjithçka që ka të bëjë me nomenklaturën, kuptohet, vetiu, që është dhënë nga unë. Vura në veprim kujtesën time dhe tërë librat që munda, konkretisht gjeografinë e shkëlqyer të Shqipërisë botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës. E megjithatë, kam frikë se mund të jenë bërë edhe gabime, sidomos për sa i përket Veriut të Shqipërisë.

Mirëpresim gjithë mirënjohje tërë vërejtjet që mund të na bëhen, do t’i klasifikojmë ato dhe, po qe se ky botim i parë, sikurse shpresojmë, arrin të shitet shpejt, ne do t’i përdorim ato për një botim të ardhshëm. Ndërkohë, pa dyshim, Instituti gjeografik ushtarak i Vjenës do ketë botuar hartën e tij të re të Shqipërisë jugore, gjë që do lejojë, ka të ngjarë, në botimin tonë të dytë, disa ndryshime në lakoret niveluese.

Do të ishte mungesë nga ana ime po të mos realizoja detyrimin më kryesor për të falënderuar Z. De Aladro, i cili hoqi shpenzimet e këtij botimi. Me natyrshmërinë më dashamirëse mori përsipër të gjitha shpenzimet, një ditë kur po i flisja për një projekt harte të Shqipërisë. Ja një veprim më se i dobishëm, dhe tërë shqiptarët i janë atij mirënjohës.

Albania, Viti 6, prill-maj 1902, nr. 4-5.

 F.K.

P.S. Harta është në shitje në Redaksinë e Albania-s dhe në Librarinë Kissling*, Montagne de la Cour, në Bruksel. (*Libraria dhe shtypshkronja Kiessling et C°, ku Faik Konica ka botuar gjithashtu edhe dy librat e tij në frëngjisht: Ese për Edukimin (1898) dhe Ese për gjuhët e natyrale dhe për gjuhët artificiale (1904).)