vete

Vetëvendojse thotë EULEX-i foli për rastin e Deharit  si partner i klanit “Pronto”

Deklarata e EULEX-it se hetimet e autoriteteve kosovare si dhe autopsia lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit janë bërë në mënyrë profesionale, ka nxitur reagimin e ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje, që ka thënë se ky mision “foli si partner i ‘Klanit Pronto’”.

Periskopi.com Lajme

“Pas të gjitha atyre shkeljeve edhe procedurale, e etike, dhe pas përfshirjes së drejtpërdrejt të njerëzve të lidhur me Klanin Pronto në këto hetime, ato jo që nuk janë kredibile, por më shumë ngrisin dyshime për synim të fshehjes së të vërtetës se sa zbardhje të saj”, ka thënë Vetëvendosje në një komunikatë për media.

“Dhe pikërisht në këtë moment në skenë del EULEX-i për të na bindur se hetimet qenkan kryer sipas standardeve dhe se qenkan të besueshme. EULEX-i as nuk është i pavarur e as i paanshëm. Gjatë kohës sa shërbejnë në Kosovë EULEX ka qenë subjekt i skandaleve të shumta dhe dyshimeve të mëdha për intervenime gjyqësore me qëllime politike e deri te skandalet e shumta të korrupsionit”, thuhet tutje në komunikatën e partisë më të madhe opozitare.

Të mërkurën, përmes një komunikate për media, EULEX tha se ka monitoruar rastin e Deharit, “dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane.”

Por, sipas Vetëvendosjes, EULEX-i nuk ka sqaruar opinionin për një numër shkeljesh që sipas tyre kanë ndodhur gjatë trajtimit të këtij rasti.

“Nuk japin kurrfarë shpjegimi për ngarendjen e Sylë Hoxhës për ta cilësuar rastin si vetëvrasje 1 orë pas raportit të autopsisë i cili përkundër kontradiktave të mëdha shkencore, nuk e sjellë një përfundim të tillë”.

“EULEX-i nuk e shpjegon se pse kemi kaq shumë deklarime zyrtare që e përjashtojnë njëra tjetrën prej policisë e cila tha që vdekja kishte ardhur si rezultat i konsumimit të mbidozuar të medikamenteve, e deri te deklaratat që Astriti ka vdekur rrugës, ose se ai ka pasur puls dhe frymëmarrje normale në momentin kur është gjetur në qeli, që kanë ardhë nga persona të ndryshëm përgjegjës brenda Shërbimit korrektues”.

Vetëvendosje thotë se EULEX-i nuk është në gjendje të sigurojë hetime të pavarura sepse “nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë të përfshirë në këtë rast.”

“Kjo komunikatë fatkeqësisht shihet vetëm si vazhdimësi e luftës propagandistike për ta mbështetur konstatimin e Sylë Hoxhës me pronto eprorët e tij”, thuhet në reagimin e VV-së.

Më 18 nëntor, Komisioni mjekësor që ka përgatitur raportin e obduksionit për vdekjen e Astrit Deharit ka konstatuar se ai ka bërë vetëvrasje.

Në raport thuhet se “vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri.

I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë.  Ai vdiq më 5 nëntor.