2016_11_28_kryetari-veseli-beri-nderime-te-varri-i-komandantit-adem-jashari-1

Veseli vendos lule te varri i komandantit Adem Jashari

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e Ditës së Flamurit, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë nderime në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe ka vendosur lule te varri i komandantit Adem Jashari.

Periskopi.com Lajme

Duke kujtuar këto tri ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe duke uruar të gjithë qytetarët për festën e 28 Nëntorit, kryeparlamentari Veseli ka thënë se dita e sotme në Prekaz, në vendin ku prehet komandanti Adem Jashari, po merr përmasa të një dite pelegrinazhi, me vizita nga qytetarë prej të gjitha trojeve shqiptare.

“Sot u bëhen nderime heronjve tanë kombëtarë, sakrificës së tyre dhe lirisë që gëzojmë, duke nderuar dhe respektuar njëkohësisht flamurin tonë kombëtar”, ka thënë kryetari Veseli.

Veseli theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës kanë ende shumë për të bërë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë kështu Kosovën një vend krenar për të gjithë.

Pas vizitës në Prekaz, kryeparlamentari Veseli bëri homazhe edhe tek varri i heroit Fehmi Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.