Veseli: Nuk ishte e lehtë të dëgjoj deputetët e opozitës kur më quanin tradhtar

Zgjedhja e tij si kryetar i partisë më të madhe politike në vend, dhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit mund t’i ketë ndryshuar shumë nga jeta e tij. Njihej si emër, por të paktë ishin ata që e kishin parë.

Periskopi.com Lajme

Megjithatë, ai thotë se aktivizimi i tij publik nuk i ka ndryshuar shumë nga jeta, përveçse i ka dhënë më shumë agjenda ditore, punë dhe angazhime. Kadri Veseli, në një intervistë për KosovaPress, thotë se për vite me radhë ka qenë në krye të gati të gjitha proceseve me rëndësi për vendin, por nuk ka preferuar asnjëherë që atë ta bëj publikisht.

Që prej se mori postet politike, Veseli thotë se nuk ka pasur dilema dhe s’do të ketë asnjëherë, ngase ashtu është tipi i tij.

Veseli: Dilema kam pasur shumë pak

“Dilema kam pasur shumë pak, për arsye se në natyrën time e kam më për zor të marr vendimin sesa t’i shkoj deri në fund të vendimit që e marr, më zor e kam të them Po se sa të kryej një punë. Kur jam futur në pjesën e përgjegjësisë nuk kam pasur fare dilema, ka qenë vetëm shqetësim i imi për atë se çka ndodhi jashtë Kuvendit. Kam insistuar që çdo problem edhe më të rëndin, mos t’ia bëjë qysh e kemi zakon ne politikanët vetëm të nxisim dhe të ikim, por kam kërkuar që të zgjidhet aty ku është vendi. Ndoshta kjo ka mundur të më kushtojë edhe mua personalisht, pak edhe më ka kushtuar në fakt, që ta mbaj në Kuvend, ne e nxitshim të ballafaqohemi, por, assesi mos ta lejoj të dalë nëpër rrugët e Kosovës, besoj se këtë e kam arritur.

Edhe pse qytetarët është mirë ta dinë, po qe se do të isha një burokrat komfort, mbi 90 përqind e asaj çka ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës ka mundur të mos ndodhë, se nuk do ta lejoja, do ta respektoja me përpikëri rregulloren, do të përjashtoja deputetët, edhe pse në rregullore nuk e parasheh saktësisht përjashtimin, por rregullorja i jep një autoritet Kryetarit të Kuvendit, bukur autoritar, por unë asnjëherë se kam përdorur, përkundrazi e kam përdorur të kundërtën”, tha Veseli.

Megjithatë, ai thotë se nuk e ka pasur të lehtë udhëheqjen e Kuvendit, aq më shumë që për të e rëndë ka qenë mënyra se si disa deputetë të opozitës janë sjell me institucionin që ai përfaqëson dhe me vetë personalitetin e tij.

Veseli: Nuk e kam pas të lehtë të dëgjoj deputetët e opozitës të më quajnë tradhtarë

“Nuk është e lehtë të dëgjosh klithje e fjalë të rënda, një jetë të tanë t’i shërbesh vendit tënd dhe dikush që s’ka bo asgjë për vendin e vet me të thënë tradhtar, përkundrazi, biles nuk e di a e don edhe sot vendin e vet.

Jam i bindur që ka djem të ri që sot do vdisnin për të, ma shumë se ata që më vonë e harrojnë e ikin. Unë kurrë nuk i kam ikur sakrificës, edhe nëse ka çmim, kam dashur që vet ta paguaj i pari, kurrë nuk kam udhëhequr duke ikur, kam qenë aty ku është dashur, kam qenë me ata që është dashur në vijën e parë, rrallë ka ndodh kur ka pasur zjarre të shkoj i dyti. Por, kur ka qenë për publik kur nuk kamë dal i pari. Sido që të jetë le të mbetet në ndërgjegjen e çdokujt”, tha Veseli.

Ndërkohë, idesë se mund të ketë humbur miq e bashkëpunëtorë prej kohës që i hyri publikisht politikës, e për të cilët i bie pishman, Veseli thotë se kjo nuk mund t’i ndodh kurrë.

Veseli: Miq nuk humbi kurrë

“Miq nuk humbi kurrë, çdo ditë mundohem të krijoj, kur gaboj kërkoj falje menjëherë se më vjen turp, jemi qenie njerëzore ndodh të gabojmë. Miq nuk humbi asnjëherë, kam kolegë, të cilët janë edhe në opozitë me të cilët bashkëbisedojmë, duhet me e ditë, nuk mund të ndryshojmë.

Unë nuk e di se si mundet një qenie njerëzore, si dikush mundet me e tradhtua vendin e vet edhe me u mashtrua kur e kemi lirinë. Mundemi mos me qenë më të mirët, mundemi mos me punua mirë, por jo me shkua në atë ekstremin e pikëpyetjes mes njëri-tjetrit. Unë nuk kam pasur asnjëherë dyshim në ata bashkëluftëtarë kudo që janë në parti, në kuptimin se kisha dje e pse ta kem sot”, tha Veseli.

Në një intervistë për KosovaPress, Kadri Veseli foli edhe për çështje me rëndësi për vendin, sidomos nga pikat kryesore që mbetën pa u realizuar në vitin që lamë pas, dhe të tjera sfida e detyra që i presin institucionet në këtë vit të ri.

Dy kushte të paplotësuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, i lanë kosovarët edhe në këtë fillim vit të izoluar nga lëvizja e lirë në shtetet e Evropës. Ndërkohë e përdorur së fundmi si armë e vetme nga pozita është mosaprovimi dhe votimi nga ana e Kuvendit i Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën gjë vetë kryetari i partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli, thotë se ky kusht nuk beson të jetë i vetmi që duhet plotësuar për të marrë lejen për lëvizje të lirë në zonën e Schengenit.

Veseli për KosovaPress tha se është në interes të vendit që të përfundohet procesi i shënjimit të kufirit të Republikës së Kosovës, e sidomos me një vend partner si Mali i Zi, por kjo nuk do të thotë që aty përfundon gjithçka sa i përket çështjes së liberalizimit.

Veseli: Vizat deri tash do të duhej të ishin çështje e harruar

“Tek aspekti i liberalizimit të vizave nuk e di se sa është demarkacioni shkaktari kryesor, mund të jetë ndoshta shkas. Keni parasysh rrethanat të cilat janë duke ndodhur brenda BE-së një proces i vështirë në të cilin po thuajse BE është në fazën e ri-dizajnimit të vet, strukturës së brendshme të vet…

Ne duhet të punojmë shumë, kjo nuk duhet të na dekurajojë, ne duhet të punojmë edhe më shumë në forcimin e shtetit ligjor, ne duhet të punojmë edhe më shumë për përmirësimin e jetës ekonomike dhe sociale të vendit tonë, sigurisht në një situatë kur kemi zhvillim ekonomik dhe kemi perspektivë sociale më të mirë të qytetarëve tanë çështja e liberalizimit të vizave do të ishte e harruar dhe këto shkase teknike të cilat sot po bëhen si argumente të bllokimin e lëvizjes së lirë as që nuk do të vinin në konsideratë”, tha Veseli.

I pari i Kuvendit të Kosovës mendon se më me rëndësi për qytetarët është mirëqenie e tyre, për çka ai thotë se duhet të ndryshojë me projekte e lëvizje konkrete, shumë shpejt. Duke numëruar mangësitë që ka vendi në përparim, Kadri Veseli tha se vendi së pari duhet të forcohet ekonomikisht dhe t’iu ofrojë bizneseve teren dhe mundësi të mjaftueshme veprimi.

Për Veselin shqetësues është edhe fakti të mendohet që duhet lënë vendin për jetë më të mirë, kur atë jetë munden ta ndërtojnë së bashku në Kosovë. Edhe përkundër që partia e tij ishte në pushtet për gjithë këto vite, ai e pranon se vendi do të mund të bëhej më mirë, dhe për këtë thotë se duhet ta duam më shumë atdheun dhe të mos e “zbrazim”.

Veseli: Të punojmë me diasporën e fuqishme shqiptare

“Unë frikësohem se Kosova ka shumë pak banorë. E konsideroj bukur presion psikologjik në ndërdijen time, që Kosova na u ka zbrazë shumë. Ne duhet të mendoj që të punojmë në strategjinë e kthimit të njerëzve nga jashtë në Kosovë, të punojmë me strategjinë e kthimit kualitativ. Kemi një diasporë jashtëzakonisht të fuqishme, një diasporë jashtëzakonisht të suksesshme e cila mund të jep imput të jashtëzakonshëm transformimit të Kosovës.

Kur këta njerëz arrijnë të mbijetojnë, jo vetëm të mbijetojnë por të ecin aq suksesshëm në vendet e huaja, pse nuk mund të arrijnë në Kosovë. Më lejoni të theksoj Kosova i ka natyrë bizneset e vogla dhe të mesme, është munduar shteti serb të na shkatërroj për afër 80 vite dhe ne kemi mbijetuar në bazë të ekonomisë tonë familjare, njerëzit kanë punuar shumë, kanë hapur dyqane të vogla, kjo është ajo çfarë e do ekonomia e tregut, e gjitha kjo, dhe kjo do të funksionoj.

Unë jam shumë i sigurt që Kosova ka perspektivë të madhe”, tha Veseli, duke aluduar në idenë që lëvizja e lirë nuk duhet të kuptohet me ikje nga Kosova”, tha Veseli.

Megjithatë, se si mund të bëhet më mirë në Kosovën së cilës çdo ditë e më shumë po i dalin pakënaqësitë qytetare, nisur nga rënia ekonomike e cila në realitet tregohet ndryshe nga statistikat e Qeverisë, Kadri Veseli thotë se nuk është gjithçka aq zi. Ai tregon se viti 2017 do të rezervojë një të ardhme më të mirë për vendin, duke u nisur nga forcimi i shtetit ligjorë.

Veseli: Bizneseve t’u lehtësohet puna

“…Cilët janë hapat të cilat duhet ndërmarrë, ka shumë hapa, kemi një diagnozë shumë të qartë, duke filluar nga forcimi i shteti ligjor dhe rregullimi i të gjitha hapësirave të cilat krijojnë mundësi abuzimi për burokratët dhe të cilat i vonojnë investitorët e huaj të vijnë në Kosovë. Jemi duke marr një varg masash, që nga ministria e Drejtësisë, MTI, MZHE në mënyrë që Kosova të jetë një vend atraktivë për të investuar në potencial i cili është Kosovë edhe për investitorët e huaj, në të njëjtën kohë duhet të shikohet fuqishëm që të zhvillohen këto biznese të cilat i kemi aktualisht ,si pretendim për të ftuar biznese edhe të huaja në Kosovë. Të ju lehtësohet puna, të ju lehtësohet puna përmes lehtësirave fiskale dhe lehtësirave tatimore të cilat i prekin drejtpërdrejt bizneset në Kosovë”, tha Veseli.

Ndërkohë, idesë dhe akuzave se shumë nga anëtarëve të partisë së Veselit, ndër vite, u është drejtuar gishti me akuza për korrupsion dhe zhvatje ndaj bizneseve, kryetari i partisë më të madhe në pushtet thotë se kjo nuk qëndron, ngase ai thotë se pikërisht anëtarët e partisë së tij janë ata që më së shumti i janë përgjigjur drejtësisë. Veseli thotë se sa i përket partisë së tij, ai nuk është duke u treguar aspak tolerant ndaj njerëzve që keqpërdorin pushtetin, por këtë thotë se do donte ta shihte edhe tek partitë tjera.

Veseli: Vetëvendosje mos ta drejtoj gishtin nga PDK, vetë ka punësuar qindra partiak në komunë

“Akuzat janë tepër politike nga parti të caktuara të cilat deri në fyt janë zhytur në veprimtari të tilla nepotiste dhe korruptive dhe mundohen ta akuzojnë Partinë Demokratike të Kosovës, por nuk do të kenë sukses sepse qytetarët na njohin neve të gjithëve. E dinë edhe se kush ka punësuar familjarë të vetë e çdo ditë nga opozita flet për nepotizëm e ndërkohë 90 përqind prej tyre kanë pasur përgjegjësi institucionale…

Më vjen keq të them, janë gjëra të cilat mund t’i prekni edhe këtu ku unë jam, shikoni se a ka ndonjë punësim nepotik, edhe unë kam familje se vetëm 1.7 milionë banor jemi në Kosovë, por asnjë të punësuar këtu se kam. Po ku ka punësime më të mëdha partiake se që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje. 260 persona i ka punësuar në një komunë, jashtë ligjit, është një epidemi e cila është mendua se nuk do të vërehet këto 17 vite?! Unë e kam marr mesazhin, kam bërë hapat konkret, i pë rmenda disa prej tyre do të bëjë edhe shumë tjerë, kemi një diagnozë të qartë që nga veprimtaritë korruptive, nepotizmi në të njëjtën kohë për krimin e organizuar e deri tek mungesa e prodhimit vendor. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të marrim masa adekuate në përputhje me ligjin në interes të qytetarëve që të ecim bashkërisht”, tha Veseli.

Mitrovicasi që për vite me radhë jeton dhe vepron në Prishtinë thotë se është i pakënaqur me atë që sheh çdo ditë në kryeqytetin e Kosovës. Kadri Veseli tregon për KosovaPress se shpesh herë e ka menduar nëse këto qeverisje që e kanë udhëhequr kryeqytetin që nga pas lufta ‘a e kanë menduar ndonjëherë se Prishtina duhet të jetë metropol?”. Ai çuditet edhe me Shpend Ahmetin, i cili për një kohë ka studiuar jashtë vendit, e i cili nuk arriti ta ndryshojë qytetin si duhet.

Veseli: Kemi pasur më shumë shpresa te Shpend Ahmeti, na çuditi

“Shpeshherë mendoj që këto qeverisje që kanë qenë prej pas luftës, a kanë menduar vallë se Prishtina duhet të jetë një metropol? Unë nuk dua të jem vetëm kritik, por vërtet të jetosh në një vend të kesh fëmijët dhe të mos mendosh fare për ambientin, për nënat shtatzëna brenda qytetit që të kenë ku të dalin të shëtisin, se nuk kanë ku të dalin, mandej s’është menduar për fëmijët me lodra, nuk ke kënd të lodrave në Prishtinë, nuk ke vend adekuat për pensionistë.

Të gjitha këto janë çështje që kanë të bëjnë me njerëzoren, duhet më shumë me e dashtë vendin tënd jo vetëm në shtëpi dhe në burokraci. Më çudit Shpendi, ka jetuar jashtë, të gjithë kemi pasur shpresa më shumë tek ai, po duhet të bëjë ambiente për njerëz normal për fëmijë, për nënat me fëmijë, etj.”, tha Veseli.

Nga ana tjetër, ai thotë se tregohet vetëkritik kur përmendet Prishtina, ngase partia e tij e cila është e para në Kosovë, del të jetë e treta në Prishtinë. Për këtë, Veseli thotë se po punon dhe po flet hapur me kolegët e tij që Prishtinës t’ia japin vëmendjen e duhur, duke i zgjedhur edhe një kandidat ideal, të cilin ende nuk e kanë si emër.

Veseli: Prishtina dhe PDK do të punojnë së bashku

“Është një nga imponimet e mija në procesin e reformave të cilat i kam biseduar fare hapur me kolegët e mi nga kryesia e partisë . Mbi 90 përqind nga kryesia e partisë time deputetë jetojnë në Prishtinë, partia e parë në vend, partia e tretë në nivelin e kryeqytetit, kjo nuk është diçka e cila më bën mua të ndihem krenarë. Do të punoj çdo ditë aq më tepër kur jam i bindur se ka mundësi që Partia Demokratike e Kosovës dhe prishtinasit në një besim reciprok të ec shumë përpara vërtet nuk është duk u bërë ajo e cila duhet të bëhet në kryeqytetin tonë”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit në këtë intervistë ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, murin e Mitrovicës, Gjykatën Speciale si dhe për tema tjera.

Veseli tha se në këtë vit FSK dot ë bëhet ushtri, ndërsa Mitrovica për të gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet një.

Reklamë
Reklamë