20161128181233620646

Veseli i bindur për fitore në zgjedhje nacionale, fillimisht pret fitore në Drenas

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, ku u tha se kjo komunë do të jetë paralajmërim i fitoreve të madhe që do të vazhdojë në të gjitha komunat tjera të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Po ashtu, u tha se më 4 dhjetor do të dërgohet mesazhi se PDK në zgjedhjet nacionale do ta ketë kryeministrin dhe Qeverinë e saj.

Fushata e kësaj partie filloi me antonimin e himnit kombëtar për nder të festave të Nëntorit.

Në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, kishin ardhur edhe nga kryesia qendrore e kësaj partie. Derisa vet Lladrovci falënderoi ish kryetarin e Drenasit, Nexhat Demakun, për të cilin tha se po përjeton një dënim të pa merituar nga një gjykim i padrejtë.

“Rruga ime nuk ka filluar sot, ajo sot po merr një trajtë të re të mbështetjes mbi supet tuaja me angazhimin tuaj dhe mbi të gjitha me besimin tuaj… Sot për mua dhe Drenasin fillon një kapitull i ri, kapitulli i ndarjes së përgjegjësive. Besimi juaj dhe përkushtimi im të lidhura me Drenasin tonë“, tha Lladrovci.

Ai përmendi Parkun e Biznesit, duke thënë se duhet angazhim edhe më shumë një zhvillimin ekonomik, rregullim të urbanizimit në të gjitha fshatrat të Drenasit, ngritje të cilësisë në arsim dhe mirëqenie të qytetarëve.

Kurse, kryetari i Parisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se qytetarëve të Kosovës u intereson se çka do të ndodhë më 4 dhjetor në Drenas, duke shtuar se do të ndodhë një fitore e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai madje ia uroi Lladrovcit pozitën e të parit të Drenasit.

Veseli shtoi se pikërisht në këtë ditë fillon edhe një sfidë për Drenasin, që padrejtësisht duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme, megjithatë edhe këtë sfidë do ta kalojë duke dal fitimtar.

Sipas Veselit Drenasi do të jetë shembull, model se si mbahen zgjedhjet e ndershme, të lira dhe demokratike, do të jetë edhe shembull se si fiton Partia Demokratike e Kosovës e cila është partia e vetme e cila ka guximin që të marrë vendimin për projekte madhore.

Veseli shtoi se vetëm brenda vitit 2017, Drenasi do të ketë investime kapitale nga qeveria qendrore në vlerë 13 milionë euro.

“Vota juaj sot është votë për perspektiven e komunës tuaj me kryetar Ramiz Lladrovcin, është votë për unitetin e Drenicës, dinjitetin dhe krenarinë e krejt Drenicës, është votë për fuqizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në nivel nacional, është votë për t’i dhënë përgjigje të gjithë atyre që e duan rrënimin e fitoreve të PDK-së, të cilët duan që ta përsërisin, veçanërisht edhe me djallin të bëhen bashkë vetëm e vetëm ta pengojnë fitoren e PDK-së, siç bënë pas qershorit të vitit 2014, kur PDK shënoi fitoren, është referendum për zgjedhjet e ardhshme nacionale, është votë për funksionalizimin e Republikës së Kosovës, është votë për sundimin e ligjit, është votë për zhvillimin ekonomik, është votë për liberalizimin e vizave, është votë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, është votë për stabilitetin politik dhe sigurisë rajonale, është votë për zgjidhjen përfundimtare të veteranëve të luftës, është votë për jetën e dinjitetshme edhe për shqiptarët jashtë Kosovës, është votë për integrimet euroatlantike, është votë për vazhdimësinë e përjetshme të SHBA-ve, por mbi të gjitha është votë për Drenicën”, tha Veseli, përcjell KSP.

Ndryshe, fushata e për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit do të jetë pesë ditë. Kurse, zgjedhjet mbahen më 4 dhjetor.