qazimi-780x439

I vërtetohet dënimi Zeqirja Qazimit

Lajmin për vërtetim dënimesh ndaj Qazimit dhe të tjerëve e bëri të ditur kjo gjykatë me anë të një komunikate.

Periskopi.com Lajme

Sipas komunikatës, Apeli refuzoi ankesat e prokurorisë dhe mbrojtjes për të dënuarit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Apeli njofton se vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj të datës 20.05.2016, sipas të cilit këta shtatë persona u dënuan për rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik.

Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Me Qazimin, për pjesëmarrje në grup terrorist akuzoheshin edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar me 8 vjet burg Ilir Berishën e me 7 vjet e 6 muaj burg Sadat Topojanin. Ilir Krraba ishte dënua me 5 vjet burg, Burim Ballazhi 4 vjet e 6 muaj, Jetmir Kyçyku 4 vjet dhe Liridon Kabashi 3 vjet.

Ilir Berisha, Liridon Kabashi e Burim Ballazhi gjatë gjykimit kishin pranuan fajësinë.

Komunikata e Apelit sqaron se gjeti që pretendimet e prokurorisë për dënime të buta dhe ato të mbrojtjes për dënime të ashpra, janë të pabazuara.

“Nga gjykata e shkallës së parë realisht janë vlerësuar si rrethanat lehtësuese, po ashtu edhe roli i të akuzuarve dhe kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në komunikatë.