Vajzat e gratë në UP po kushtëzohen seksualisht nga profesorët, studenti rrëfen shembuj konkret

Periskopi.com Lajme

Një student i Universitetit të Prishtinës është tejet i shqetësuar me kushtëzimet seksuale që disa prej profesorëve ua bëjnë studenteve (vajza e gra) në këmbim të notave dhe kalimit të provimeve.

Liridon Mehmeti, student në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ka rrëfyer për Periskopin edhe shembuj konkret të veprimeve të tilla të profesorëve.

Dukuria e kushtëzimeve seksuale në UP është bërë e njohur sidomos viteve të fundit, derisa masat ndaj profesorëve të përfshirë janë të rralla për të mos thënë që nuk ndërmerren kurrë.

Ndërsa, viktimat e profesorëve, që në shumicën e herave janë femra, nuk ankohen askund për padrejtësitë që u shkaktohen, për shkak të stereotipeve të ndryshme kulturore dhe funksionimit të ngathët të sistemit të drejtësisë.

Studenti Mehmeti, thotë se ka rrugë të ndryshme se si profesorët kushtëzojnë femrat seksualisht. Sipas tij, disa prej tyre kanë edhe sekserë në mesin e studetënve të cilët negociojnë për ta.

“Ka rrugë të ndryshme të cilat shërbejnë për kontaktin e profesorëve me studentet. Nuk nevojitet mund i madh për ta kuptuar se si funksionon struktura brenda fakulteteve te caktuara për kryerjen e punëve të tilla. Disa profesorë kanë të caktuara studente sekserë neper gjenerata të ndryshme, të cilat përcjellin mesazhet e profesorëve te studentet, kështu mundësojnë që ky aktivitet jashtëligjor të funksionojë më lehtë dhe që kontakti direkt të eliminohet. Profesorë tjerë “përtacë” janë më të drejtpërdrejtë, arrijnë të shfrytëzojnë studentet pa ndihmën e seksereve, duke ju propozuar në forma të ndryshme oferta, që nëse ato do të sillen sipas kërkesave të tyre atëherë do kalojnë lehtë nëpër provime”, thotë ai.

Mehmeti për Periskopin thotë se gjërat vëshirësohen më shumë kur studentët duhet t’i nënshtrohen provimeve, por thotë se edhe gjatë ligjëratave në mesin e disa profesorëve ka sjellje absurde ndaj studenteve.

“Derisa në Universitetin e Prishtinës ka probleme të mëdha si: numri i madh i studentëve, mosmbajtja e ligjëratave e konsultimeve, literatura e nevojshme, mungesa e hapësirave për mësim, e madje edhe mungesa e internetit neper salla, ne ende duhet të merrmi me abuzimet seksuale, duhet diskutojmë pse disa profesorë nuk japin nota kaluese për studente, nëse nuk marrin “diçka” në këmbim të saj. Fjalët e sjellja gjatë ligjëratave, në disa raste janë jashtëzakonisht absurde, mirëpo gjërat vështirësohen edhe më shumë, kur studentet duhet t’i nënshtrohen provimeve apo konsultimeve gjatë vitit akademik e pas provimeve ne kabinete, që i bie të jetë vetëm me profesorin në zyrën e tij, këtu kriteret e vendosura në syllabuset e lëndëve për kalimin e provimeve më nuk vlejnë, ato zëvendësohen me dëshira seksuale momentale apo të paramenduara të profesorëve”, vazhdon ai.

Liridon Mehmeti, student në UP

Mehmeti nuk heziton të përmend edhe raste konkrete. Ai pa përmendur emrin e tij, tregon për një profesor të Fakultetit Juridik, i cili gjatë bisedës në telefon me një studente, i thotë hapur se provimin e ka të kaluar te ai sepse ka pranuar “të dalë me të”, por për të kaluar edhe provime të profesorët tjerë, duhet të dalë edhe një herë.

I njëjti profesor, sipas tij, kërkon nga studentja që të jetë në formë më të mirë fizike, duke i thënë që të mos e lëshojë barkun si shoqja e saj.

“Është i njohur rasti, kur një profesor që ligjëron në Fakultetin Juridik, gjatë bisedës në telefon, i thotë studentes së tij “Provimin te une e ki t’krymë masi pranove me dal me mu, amo që don me ti kry edhe provimet te profesorët tjerë duhesh me dal prap”, e i njëjti profesor i kërkon studentes tjetër që t’i kushtojë më shumë rëndësi pamjes së jashtme duke i thënë “mos e le barkun me t’u lshu si shoqes tane, se nuk po më pëlqen””, vazhdon ai.

Një rast tjetër të cilin ai e sjell si dialog mes një profesori të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe një studenteje, është edhe më skandaloz.

“Rast tjetër i një profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

Profesori: A din me bo kafe?

Studentja: Po.

Profesori: Eh, që do me kalu provimin duhesh me m’tregu a po i bon në banesë tem apo tanën”, tregon Mehmeti, i cili thotë se është i informuar detajisht për raste të tilla, por heziton të thotë emrat e profesorëve.

Sipas Mehmetit, ka edhe shumë raste të ndryshme të nënvlerësimit të vajzave e grave brenda universitetit.

“Fatkeqësisht, kjo nuk zgjon vëmendje publike, ndoshta jemi mësuar që nga Abetarja të shohim gruan me përparëse dhe miell në kuzhinë, e duke qëndisur dhe vazhdojmë pastaj ta trajtojmë si të tillë, të nënshtruar, pa vizion e vetëm si objekt seksual gjatë gjithë kohës”, thotë Mehmeti, i cili kërkon më shumë vëmendje ndaj kësaj dukurie brenda institucioneve edukative.

Mehmeti thotë se autoritetet duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj profesorëve që kushtëzojnë seksualisht, ndërsa fajtor për gjendjen e krijuar ai e bën menaxhmentin e UP-së.

“Është evidente, se autoritetet akademike po hezitojnë të marrin përsipër mbrojtjen e vajzave që i nënshtrohen abuzimeve të tilla. Kjo mbrojtje, do arrihej me trajtimin e kujdesshëm të raportimeve për rastet e tilla dhe me përjashtimin e menjëhershëm nga universiteti të profesorëve, ndaj të cilëve ngritën dyshime për keqpërdorim të detyrës. Kjo gjendje e krijuar, si pasojë e heshtjes dhe neglizhencës së menaxhmentëve të njëpasnjëshëm të UP-së nuk duhet lejuar të vazhdojë. Është shumë e rëndësishme që studentet të ndjehen të lira brenda të gjitha njësive akademike të Universitetit të Prishtinës, sepse nëse mosrespektimi i vajzave dhe grave tolerohet në institucionin kryesor të arsimit në vendin tonë, atëherë do të tolerohet kudo”, përfundon ai. /Periskopi/

Periskopi inkurajon të gjithë ata që kanë njohuri konkrete për kushtëzime të tilla nga ana e profesorëve, t’i raportojnë në [email protected] ose në faqen e Facebook-ut (https://www.facebook.com/periskopi/). Të gjitha informatat e materialet e sjella, nëse kërkohet nga raportuesi, do të publikohen në kushte anonimiteti.