Unë, një grua e lirë shqiptare në Berlin

Kur në ditët e para të tetorit 1994 zbrita nga avioni dhe vura këmbën në Berlin, me diplomën e Universitetit të Tiranës në xhep dhe me një ëndërr të çmendur për t'u bërë intelektuale në hapësirën gjermanike, e ndjeja që kjo do të më kushtonte sakrificë e transformim. E megjithatë llojin dhe përmasat e transformimit nuk mund t'i merrja dot me mend.

Anila WILMS Opinione

Në radhë të parë, të ftohtin. Në Mesdhe ishte ende mot fundvere, në Berlin kishte zënë ngrica. Ishte një ajër i ftohtë e i thatë që të priste brinjët. Ishte Era e Lindjes, siç ma sqaruan që ditën e parë, ajo era e pamëshirshme e stepës dimërore, që mbyt aromat, vyshk ngjyrat dhe asgjëson modën me anë të xhupave, pulovrave, shalleve e çizmeve. Asaj i dilej vetëm me soba me qymyr, më të mëdhatë që kisha parë në jetën time.

Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij: Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s’e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S’kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj-lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunësa, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashetheme dhe nuk përhapte shpifje mbi „nderin” dhe „moralin” tim. Çudi e madhe. Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve ’80-’90, ku për vajzat si unë s’kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve.

Jeta nën koracë

Që në moshë të vogël vajzat ishin të detyruara të mësonin një numër marifetesh për të mbijetuar në këtë ambient kaq armiqësor: veshje që s’bie në sy, pamje të vrazhdë e të vrenjtur, dredhi dhe shmangie pafund, tinëzi e fshehtësi, sepse kudo ka kurthe, në çdo kthesë ka rreziqe! Kurrë mos u hap, kurrë mos u rrëfe, moho çdo akuzë me vendosmërinë më të madhe! Ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar deri diku shtypjes së mashkullimit, dominimit të tij të pamëshirshëm fizik e psiqik, ndryshe i quajtur edhe patriarkalizëm. Mes meshkujve dhe femrave gjëmonte një luftë e paprerë, rraskapitëse. Në këto kushte nuk shpalosej dot potenciali krijues i askujt. Ishte një botë deprimuese, ishte shëmti dhe mërzi e pafund.

M’u deshën vite për t’u mësuar me hapësirën dhe lirinë e Gjermanisë, për t’i lënë mënjanë pak nga pak truket dhe masat e sigurisë, për të qenë në gjendje të krijoj marrdhënie normale e të sinqerta me meshkujt. M’u desh mjaft kohë gjersa m’u bë e qartë, se për të ecur përpara në këtë vend, një vajzë nuk ka nevojë për baba të famshëm, as për bashkëshort me influencë, xhaxha posesiv-protektiv, vëlla muskuloz ose “bodyguards” të tjerë nga fisi. I duhen vetëm aftësitë e saj: gjykim i shëndoshë, inteligjencë emocionale dhe kurajo civile. Sepse gara e këtushme nuk bëhet me grushta dhe me ligësi, por me gjuhë e dituri. Ka dy dekada që ushtrohem në këto të fundit, dhe ende s’më ka dalë habia, se sa bukur funksionojnë.

Më e mira e botëve

Për ne gratë, kjo është më e mira botë nga të gjitha. Dhe në një shoqëri ku gratë ndjehen mirë dhe lëvizin lirisht, të gjithë të tjerët ndjehen mirë. Arsyeja përse Perëndimi tërheq si magnet rininë e vendeve patriarkale është në thelb gjithmonë po e njëjta: liria e grave dhe respektimi i parimit femëror.

Vitaliteti i grave e zbukuron botën, e shndërron në një vend të larmishëm, të çelët, marramendës,  – fantazia, zelli, përpikëria, takti, mprehtësia, hijeshia, besnikëria, gazmendi e ngrohtësia e motrave, nënave, shoqeve. Afërditat, Athinat, Amazonat, Mariat e Magdalenat: këtu të gjitha kanë mundësinë të jetojnë në përputhje me karakteret e tyre, të zhvillojnë talentet, t’i vënë vetes qëllime të larta, të punojnë për t’i arritur ato, ta mbushin jetën me kuptim.

Kohët e fundit në Gjermani janë shtuar lajmet mbi sulmet dhe dhunimet ndaj grave. Këto lajme janë të gjëmshme për mua. Unë e di nga përvoja se çfarë rreziku na kërcënon në rast se gratë detyrohen të ruhen, të mbrohen e të tërhiqen. Ajo lloj jete nuk ka më vlerë. Jo vetëm për gratë, por për gjithë pjestarët e shoqërisë.

Si mbrohet liria e grave në këto kushte? Kjo do jetë një nga çështjet qendrore të viteve të ardhshëm, një çështje politike, mbarëshoqërore. Një shoqëri që nuk është në gjendje të mbrojë kulturën e saj me anë të ligjit dhe autoritetit shtetëror, rrezikon të humbasë identitetin, të rrëzohet e të zhduket.

Tri breza më parë gratë i fituan të drejtat e tyre në barrikada. Sot unë jam prapë gati të ngremë barrikadat, nëse rrezikohet liria e grave, një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit perëndimor.

*Autore e romanit “Pritje të bukura”