Umberto Eco: Nga etja për të vërtetën

Shpëtim Çuçka, përkthyesi i romanit “Lavjerrësi i Fukoit” të Umberto Ekos nga shtëpia botuese “Dituria”, thotë se libri mund t’i ngjallë lexuesit kureshtje në disa drejtime: Pse profesori dhe studiuesi i suksesshëm U. Eko e ndjeu të nevojshme të hynte edhe në fushën e krijimtarisë artistike? Çfarë idesh ka dashur të japë ai me romanin “Lavjerrësi i Fukoit”? Sa dhe si mund të rroket kjo vepër në vendin tonë?

Nga Shpëtim Çuçka Opinione

Të vërtetat e mëdha janë të thjeshta.

Dija s’është për t’u nxënë, dija është për t’u dhënë. Lajmi vijon më poshtë ↓

 

Nga Shpëtim Çuçka

Botimi i romanit “Lavjerrësi i Fukoit” të Umberto Ekos nga shtëpia botuese “Dituria” mund t’i ngjallë lexuesit kureshtje në disa drejtime: Pse profesori dhe studiuesi i suksesshëm U. Eko e ndjeu të nevojshme të hynte edhe në fushën e krijimtarisë artistike? Çfarë idesh ka dashur të japë ai me romanin “Lavjerrësi i Fukoit”? Sa dhe si mund të rroket kjo vepër në vendin tonë?

Çdo çështje mund të trajtohet si proces i ndarjes së të vërtetës nga të pavërtetat. Dhe, në rast se do të veprojmë me saktësi, në mbarim të këtij procesi ndarjeje – domethënë në analizë të fundit – do të zbulojmë, ndër të tjera, se të vërtetat e mëdha janë gjithnjë të thjeshta. Pastaj, nëse ne nuk arrijmë t’i shikojmë të vërtetat, kjo flet për padijen tonë, ndërsa kur i mohojmë ato, kjo vjen nga ligësia dhe shpirtvogëlsia jonë. Në këtë rast mund të thuhet se ne jemi bërë pjesëmarrës në padrejtësi shoqërore.

Për poetin latin Virgjili njeriu që arrinte ta dallonte të vërtetën, ta kuptonte atë, domethënë që arrinte të njihte shkaqet e dukurive (se e vërteta buron nga zbulimi i shkaqeve!), ishte fatlum, ishte i lumtur.

***

Umberto Ekoja nuk do të ketë qenë i lumtur me arritjet e tij akademiko-shkencore, me njohjen e atyre të vërtetave të kufizuara, që i fali dija e pjesshme, e kufizuar, me të cilën u mor për dhjetravjeçarë. Dija akademike i siguroi një mirëqenie të caktuar, por jo një kënaqësi të thellë shpirtërore. Me sa duket, me kalimin e viteve ai erdhi duke e kuptuar se jeta, domethënë se veprimtaria e gjithë shoqërisë, është më e gjerë sesa dija e disiplinave të veçanta shkencore. Me sa duket, Ekoja kuptoi pak nga pak se kënaqësia shpirtërore është ajo që në të vërtetë ndahet me të tjerët, ajo që e bashkon njeriun me njerëzit e tjerë. Dhe për shpalosjen e këtyre të vërtetave të mëdha atij i nevojitej një veprimtari intelektuale më gjithëpërfshirëse. Kjo do të ketë qenë rruga e tij nga një shkencë sektoriale te letërsisë artistike, nga përgjithësimet e vogla te përgjithësimet e mëdha.

Në fakt letërsia artistike serioze, domethënë letërsia realiste, është pasqyrim i vërtetësishëm i jetës së shoqërisë përtej shikimit sektorial të shkencave të caktuara. Letërsia serioze artistike nuk është statistikë, por përgjithësim i mbështetur mbi vëzhgime të shtrira në kohë dhe në të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë njerëzore. Pikërisht këtu qëndron roli i madh shoqëror i letërsisë artistike: ajo na jep një tablo të tillë të shoqërisë, të cilën nuk është në gjendje të na e japë asnjë shkencë e veçantë.

***

Duke nisur nga romani “Emri i trëndafilit” Umberto Ekoja me veprimtarinë e tij letraro-artistike synoi të shpaloste disa të vërteta shumë më të gjera se vetë shkenca e njohur dhe e praktikuar prej tij, gjëra që e shqetësonin dhe që kishin të bënin me jetën konkrete të atij organizmi të gjallë të quajtur shoqëri. Dhe në këtë veprimtari, ashtu si edhe në jetë, nuk ka gjëra të rastit dhe aq më pak gjëra thjesht argëtuese. Madje mund të thuhet se e gjithë veprimtaria e U. Ekos, ashtu si veprimtaria e njerëzve seriozë, është një varg i pashkëputur hapash në rrugën drejt kuptimit dhe shpjegimit të jetës së shoqërisë, një veprimtari e diktuar jo nga interesa vetjake por nga interesa të përgjithshme.

Kjo nuk do të thotë se zbërthimi dhe kuptimi i mesazheve, që U. Ekoja jep në veprën e vet letrare e kulturore, janë diçka e lehtë, e thjeshtë. Te veprat e Ekos është një pjesë e jetës dhe e problemeve të thella e të mëdha, shumëshekullore, të shoqërisë evropianoperëndimore, te mesazhet, që ai na jep, është një pjesë e përpjekjeve që bëhen në këtë shoqëri për të zbuluar shkaqet e këtyre problemeve dhe një pjesë e përpjekjeve – jo fort të shpalosura – për t’i sugjeruar shoqërisë ndonjë zgjidhje të këtyre problemeve.

Libri “Lavjerrësi i Fukoit” prek në thelb temën e rolit të shoqërive të fshehta (sot ato quhen lobe) në jetën e shoqërive evropianoperëndimore. Ky problem, sipas Ekos, është aq i mprehtë, sa jo rastësisht përfundon në mënyrë tragjike për disa nga personazhet kryesore të veprës. Mprehtësia e problemit të shoqatave të fshehta, në tërësi e fshehtësive, domethënë e gjithçkaje që mbahet në fshehtësi nga vëmendja e shoqërisë dhe që në një mënyrë a një tjetër, në një masë a në një tjetër, del jashtë sferës së veprimit të kushtetutave dhe ligjeve, tragjizmi që ky problem ka mbartur në shekuj, shpjegojnë edhe natyrën e koklavitur të veprave letrare të Ekos, edhe karakterin e të vërtetave që Ekoja kërkon me stërhollim të na thotë. Në mbarim të veprës “Lavjerrësi i Fukoit” lexuesi i vëmendshëm arrin të kuptojë se për Ekon liria e fjalës dhe, veçanërisht, liria e të thënit të së vërtetës në shoqëritë evropianoperëndimore, si në të kaluarën ashtu edhe sot, nuk janë veçse iluzione.

Për t’i zbutur, në të vërtetë për t’i zhdukur këto mbresa të rënda të librit, kritika letrare – e cila, për mendimin tim, i ka kaluar shkarazi thelbit të veprës – e ka trajtuar gjithë librin si një lloj parodie me frikat e njerëzve nga shoqëritë e fshehta. Por Ekoja, kur e shkruante këtë libër në mesin e viteve 80 të shekullit të kaluar, nuk shkruante parodi. Ai ishte i bindur që shoqëria evropianoperëndimore kishte qenë për shekuj të tërë – dhe mbetej! – e mbërthyer nga luftërat e brendshme me karakter klanor, ashpërsia e të cilave kishte shkuar deri në gjakderdhje.

***

A do të arrijë vallë lexuesi ynë të depërtojë në thellësinë e problemeve, që ngrihen në librin “Lavjerrësi i Fukoit”? Kur shqiptarët thërrisnin në dhjetor të vitit 1990, domethënë një vit pas botimit të kësaj vepre të U. Ekos, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, me siguri nuk e njihnin këndvështrimin e shkrimtarit të njohur italian rreth kësaj Evrope. Një pjesë ende sot – çerek shekulli pas botimit të romanit – do ta kenë të vështirë t’i marrin për të vërteta të vërtetat e tij.

Kjo tregon edhe një herë se leximi jo vetëm që nuk mund të jetë thjesht argëtim, por ai kërkon një përqendrim dhe njohuri jo të vogla nga lexuesi. Leximi i çdo vepre – kulture apo kundërkulture qoftë – kërkon vëmendje. Dhe vëmendja është një aftësi që zhvillohet me ndihmën e edukimit dhe arsimit, me ndihmën e vetedukimit.

Përse nevojitet vëmendja? Sepse letërsia, si e gjithë veprimtaria kulturore, është fushë e ndeshjes së ideve. Dhe në fushën e ndeshjes së ideve ne nuk mund të tregohemi të pakujdesshëm, nënvleftësues. Ndryshe, në vend që të përfitojmë nga leximi i një libri – qoftë edhe duke mos i pranuar mësimet e tij, që mund të jenë të gabuara – ne humbim betejën me autorin.

Dhe atëherë duke u ndodhur vetëm për vetëm përballë veprash të tilla delikate, lexuesit ose nuk e vijojnë deri në fund leximin e librit ose, edhe kur e lexojnë të tërin, e kanë të vështirë të rrokin mesazhet e veprës.  Kjo rrethanë e përforcon bindjen se letërsia artistike, por edhe të gjithë librat në tërësi, e bëjnë të nevojshëm shoqërimin e tyre me një hyrje, një parathënie a një pasthënie të mençur, që ndihmon të ndriçohen e kuptohen drejt – vetëm drejt! – mesazhet e tyre. Ndryshe dija humbet, pasi dija rrallëherë ka një formë drejtpërdrejt të kuptueshme, domethënë të përvetësueshme. “Lavjerrësi i Fukoit” është një përpjekje njerëzore për të ndihmuar fitoren e dijes mbi padijen, fitoren e të mirës së përgjithshme mbi të mirën e një pakice, fitoren e drejtësisë mbi padrejtësinë. Dhe në shoqërinë e sotme kjo nuk është pak!