adem3

Udhë e një njeriu të madh për një titull të vogël

Është dhjetë minuta para orës shtatë të mëngjesit. Është 28 nëntor. Shokë e bashkëveprimtarë po e presin para shtëpisë së tij në Prishtinë me veturat ndezur.

Shpend Gudaqi Lajme

Baca Adem, siç i thonë ata, do të nderohet nga Tirana me titullin “Qytetar Nderi” dhe me “Çelësin e Tiranës”. Udhëtimi drejt shtetit shqiptar është organizuar nga shokët e bacës Adem. Janë pesë vetura që do të nisen në Shqipëri, dy prej të cilave të lejuara nga Komuna e Prishtinës.

1

Pritja para shtëpisë së tij të nxit entuziazëm: Adem Demaçi nuk është thjesht një qytetar i zakonshëm i Republikës, edhe pse shtëpia ku ai jeton me familjen e tij të ngushtë, është fare ndërtim i rëndomtë për një veprimtar që i dha aq shumë përpjekjeve për çlirim, pavarësi e të drejta të barabarta për shqiptarët. Nuk ka as pishinë, as kamera, as dyer të blinduara. Nejse, cinizmin anash.

Derisa djali i tij, Shqiptari, hyn e del disa herë nga shtëpia dhe fut në bagazhet e veturave disa libra të Adem Demaçit për t’i dhuruar në Shqipëri, rreth njëzet veta që e presin bacën Adem, ndër ta shokë që e njihnin për dhjetëra vite, kthejnë sytë kah hyrja e shtëpisë sa herë që dëgjohet zhurma e derës.

Të gjithë e duan dhe e çmojnë shumë. Ai, pa dyshim, ishte dhe mbetet frymëzuesi i të gjithë atyre që e njohin për një kohë të gjatë.

adem

Të bindur se Adem Demaçi meriton të nderohet më shumë, të bindur se situata aktuale nuk është ajo për çfarë ai kishte mbajtur 28 vjet burg në regjimin jugosllav, të bindur se përpjekjet, jo vetëm të Demaçit por të shumë shqiptarëve tjerë po keqpërdoren nga qeverisësit e pasluftës, në fund – në pajtueshmëri të plotë – shokët e Demaçit bien në ujdi se nuk është “gajlja e tij”, sepse Adem Demaçi nuk do nderime e as përulje, por do më së shumti realizimin e idealeve të tij. Ky është shqetësimi i tyre dhe detyrueshmëria e vazhdimit të përpjekjeve për të përmbyllur një detyrë që baca Adem e ka nisur dhe e ka përfunduar pjesën më të madhe të saj.

Është fare e natyrshme për një karakter vetëmohues a anti-konformist siç është ai i Adem Demaçit. Ai është i panënshtrueshëm, i pashitshëm, intelektual e guximtar i madh për ta thënë të vërtetën ashtu siç është – dhe jo vetëm për ta thënë – por edhe për t’iu kundërvënë të pavërtetës e të padrejtës edhe kur në rrezik vihet jeta.

Baca Adem vonohet, sepse mosha e sëmundjet po e bëjnë të veten. I duhet kohë më shumë se që mendohej për t’u bërë gati. Dikush nga ta tregon edhe për shtëpinë e vjetër ku kishte jetuar më parë simboli i rezistencës. Një shtëpi pranë rrënimit, por që më nuk ishte pronë e Adem Demaçit dhe familjes së tij.

2

Pas orës shtatë Adem Demaçi del nga shtëpia. Po e mbanin për duarsh, por ai duket plot jetë, i gjallë dhe shumë i dashur. Përqafohet me shokët e tij në oborr dhe u drejtohet me zë të lartë, aq sa mund të artikulohet, shkaku i natyrës së sëmundjes që e pengon në të folur.

3

Shihet se baca Adem kishte kultivuar me të vërtetë një shoqëri të shëndoshë. Duke e njohur mprehtësinë në të folur, kur flitej për sëmundjen e tij, me mahi të lehta, disa nga shokët e tij thonë se “bacën na e sulmoi sëmundja bash aty ku nuk është dashur, në të folur”.

“O loqkë o loqkë”, u drejtohet baca zëshëm disa prej shokëve që s’i kishte takuar së voni, gjersa numëronte hapat nga hyrja e shtëpisë drejt veturës.

Koha është që veturat të nisen drejt Bashkisë së Tiranës, ku kryetari Erion Veliaj do ta nderojë me titullin “Qytetar Nderi” si dhe me “Çelësin e Qytetit”, me motivacionin e intelektualit të shquar, simbol i rezistencës së gjithanshme, për liri, pavarësi dhe prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të pavarur të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve të të njëjtit Komb.

Karvani i veturave u nis. Para se të hynte në veturë, Adem Demaçi dukej vërtetë i lumtur, ndoshta se po takonte e po bëhej bashkë me miqtë e tij më të mirë.

4

Në veturën që trasnportonte ekipin e Periskopit – që përcolli ngjarjen gjatë tërë ditës – janë edhe dy shokë të bacës Adem. Dritëro Kadolli e Shaip Haxhiu e njohin për një kohë të gjatë bacën Adem dhe respekti i tyre për simbolin shqiptar ishte i pakufishëm dhe i pakalkulueshëm. Kujtojnë kohërat e vjetra, përpjekjet e luftën për çlirim, ku gjeneratat e reja, gjatë shtjellimit të atyre kujtimeve, shpesh ndeshen me muhabete e ngjarje të padëgjuara.

Lënën anash kohën e burgut, Adem Demaçi kujtohet edhe për fjalimet e tij të guximshme, për retorikën e mprehtë, përmbajtësore e inteligjente nëpër televizione e nëpër mbledhje të ndryshme ku flitej për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve. Kujtohet për përballjet e guximshme në emisione me politikanë e analistë serbë, në një kohë kur për një fjalë goje të shkonte koka.

“Sarp, sarp asht’ kanë baca Adem”, thotë Dritëroja, gjersa mban timonin dhe i kënaqet shpejtësisë në Rrugën e Kombit.

Ndjehet emocioni i festës së 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Vetura, shtëpi e objekte të bizneseve me flamurin kombëtar sipër. Baca Adem na përshëndet me dorë sa herë që veturat tona ndodhen përbri njëra-tjetrës.

Pak para orës 12:00 jemi pranë Bashkisë Tiranës. Shumë njerëz kanë dalë për ta pritur, shumica pjesëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Baca Adem zë vendin e tij përballë të pranishmëve, derisa të vijë kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

adem1

Posa hynë në sallën e Këshillit të Bashkisë së Tiranës dhe e përshëndet përzemërsisht – duke e quajtur “Mandela i Ballkanit”, kryetari Veliaj thotë se është një rast i veçantë, kur në një datë si kjo i jep titullin “Qytetar Nderi” Adem Demaçit.

11

Veliaj theksoi se Adem Demaçi është figurë qendrore në luftën për pavarësinë e Kosovës, derisa mençurisht dhe me fjalë të zgjedhura mirë Kosovën e përshkruan si “ajo pjesë e Shqipërisë përtej kufirit”.

Për Veliajn, baca Adem e ka siguruar vendin e tij të lavdishëm në historinë e të gjithë shqiptarëve, derisa kujtesën ia vret një intervistë që veprimtari i shquar kishte dhënë para tre viteve.

12

“Më kujtohet një intervistë e bacës Adem para rreth tre viteve dhe më bëri shumë përshtypje një shprehje që ai përdor: tha i them vetes 39 vjeç edhe pse kam lindë para 77 vitesh. Vetëm kur e sheh në ktë prizm, duke zbrit vitet e tmerrshme të burgut, thuajse 28 vjet, e kupton realisht se çfarë çmimi të lartë ka paguar patrioti Adem Demaçi për Kosovën dhe për çështjen shqiptare. Unë kam pak më shumë se 28 vjet, por e di që 28 vjet janë shumë. Janë tmerrësisht shumë kur krimi i vetëm që ke bërë është të ngresh zërin për të drejtat e popullit tënd dhe të njerëzve tu”, thotë Veliaj.

Qëndresa e tij e bëri atë Mandelë të Ballkanit, thotë Veliaj.

13

“Në po të njëjtën intervistë ai shtonte: ia kam parë hajrin në njëfarë mënyre Serbisë. Kam pasur fat që bëri një gabim fatal duke më fut në burg dhe duke më futur kështu në kanalet e luftës për liri dhe për pavarësi”, vazhdon kryetari i Tiranës, i frymëzuar nga guximi e vendosmëria e bacës Adem për t’i shërbyer popullit të tij.

Pasi përfundon ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe koha e fotografimit me bacën Adem, nisemi drejt hotelit “Tirana International”, ku për një takim do të presë priftin ortodoks shqiptar, Atë Nikolla Markun.

Para ardhjes së tij, baca Adem si me mahi – dhe ndoshta me një dozë serioziteti, duke e njohur karakterin e tij modest e vetëmohues, tha se “më keni lodhë me këto fotografi gjithë ditën”. S’ka dyshim, për bacën Adem s’ka nevojë të flasë askush, flet mjaftueshëm e kaluara e tij.

“Duhet me punu për komb, lëni kto aparata ma”, vazhdon ai si me zor duke luhatur duart lartë e poshtë, edhe pse me shëndet të lënduar.

Vjen Atë Nikolla, edhe ai i vjetër dhe me shëndet të dobët – përqafohen përzemërsisht dhe për disa minuta zhvillojnë një muhabet. Nuk dijmë se për çfarë flasin, sepse qëndrojmë larg tavolinës së tyre.

adem4

Një prej të pranishmëve tregon se e dëgjoi Atë Nikollën kur tha: “Zot merrmi vitet e mia të jetës dhe falja Adem Demaçit”.

18

Me të përfunduar takimin me Atë Nikollën, pas orës 14:00, nisemi drejt një restauranti për të ngrënë drekën. Baca Adem, ha ende mirë. Faturën insistoi ta paguaj një mik i bacës Adem. Kërkesa e tij për të qarosur me drekë është e panegociueshme – dhe djalit të bacës Adem, Shqiptarit, nuk i mbeti tjetër përveç falënderimit.

Pastaj, i hipim veturave për t’u kthyer në Kosovë. Pas një kafeje së bashku në një prej restoranteve në Kosovë dhe një kërkese për intervistim, u përshëndetëm me bacën Adem, duke i uruar festën e 28 Nëntorit edhe njëherë. Fatkeqësisht, shëndeti ia pamundësoi që të paktën të urojë shqiptarët për këtë festë nëpërmjet kamerës që e përcolli bacën Adem gjatë gjithë ditës.

Kaq për një ditë të kaluar bashkë me Adem Demaçin, një njeri i thjesht që u lind në vitin 1935 dhe u rrit në rrethana të varfra. Baca Adem, i vogël nga shtati, na shikon nga lartë të gjithëve. Ai u bë i madh me përpjekjet e tij për ditë më të mira, për këto ditë, që të jetojmë lirshëm e të festojmë së bashku festat kombëtare, pa frikën se dikush do vijë të na burgosë ose vrasë. Punë ka ende – dhe këtë baca Adem e di mirë – por koha është që stafeta të kalojë në duart e gjeneratave të reja.

adem-demaci