DONALD TRUMP

Trump sërish betejë me mediat, anulon intervistën në New York Times

Donald Trump ka vijuar përplasjet e tij me mediat teksa kësaj rradhe ka anuluar një interviste me prestigjozen New York Times, me pretendimin se kjo e përditshme ka vijuar të bëjë raportime të padrejta për të.

Periskopi.com Lajme

Presidenti i zgjedhur deklaroi se New York Times ka vijuar që të bëjë mbulime të njëanshme të atmosferës që është krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo nuk është hera e parë që Trump polemizon me mediat, pasi edhe më herët ka patur përplasje të vazhdueshme, duke i quajtur ato si të shitura dhe të manipuluara nga kampi demokrat.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka patur sërish përplasje me mediat, teksa ka anuluar një intervistë me të përditshmen amerikane New York Times, me pretendimin se prestigjozja njujorkeze ka bërë vazhdimisht mbulime të padrejta në kurriz të tij.

Ndonëse deklarata e bërë nga zyrtarët e republikanit nuk ishte shumë e detajuar, në komunikatë nënvizohej se New York Times nuk ishte treguar e drejtë me të në raportime.

Për ngjarjen reagoi edhe vetë miliarderi përmes një postimi në rrjetin social twitter, ku shkroi se e përditshmja amerikane vijon që mbajë qëndrime të njëanshme në lajmet që lidhen me skenën politike në Shtetet e Bashkuara, e më konkretisht me atmosferën e krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.

Kjo nuk është e parë që Trump polemizon me mediat amerikane. Gjatë gjithë fushatës së tij elektorale republikani pati përplasje të shpeshta me media të ndryshme, të cilat i akuzonte se po mbështesnin në mënyrë të padrejtë ish-rivalen e tij në garën presidenciale, Hillary Clinton.

Një prej përplasjeve më të ashpra ishte edhe ajo që Trump pati me moderatoren e Fox News, Megyn Kelly, gjatë primareve partiake të republikanëve.

Presidenti i zgjedhur amerikan ndërkohë po vijon punën e tij për tranzicionin e pushtetit, teksa po projekton edhe skuadrën që do të marrë në dorë adminsitratën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara.

Miliarderi ka theksuar se më të favorizuarit për të marrë poste të rëndësishme do të jenë personat të cilët e mbështetën gjatë garës.

Më herët, Trump bëri një premtim të bujshëm, teksa deklaroi se në ditën e parë që do të marrë zyrën do të anulojë marrëveshjen e Partneritetit Transpaqësor, një akord ekonomik që është konsideruar shpesh herë edhe si një gur themeli për politikën e jashtme të administratës Obama.