Thaçi porositë tekste në portale se kinse administrata e Trumpit e pranon ndarjen e Kosovës

Thaçi porositë tekste në portale se kinse administrata e Trumpit e pranon ndarjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur kohët e fundit disa konferenca për medie ku ka folur për domosdoshmërinë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tij, do të jetë “e dhimbshme dhe e vështirë”, shkruan Periskopi.

Së fundi është folur shumë për idenë e ndarjes ose shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas ndërrimit të qëndrimit nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie në një emision televiziv ku nuk e kishte refuzuar si mundësi.

Për një opsion të tillë duket se shumë i interesuar është vetë presidenti Thaçi, i cili për herë të parë në mënyrë publike në konferencën e fundit nuk e mohoi një mundësi të tillë.

Sot ka qarkulluar një lajm nëpër media të ndryshme online se si administrata e presidentit amerikan Donald Trump po ashtu e mbështet mundësinë e ndarjes së Kosovës. Por, burimet e gazetave në fjalë kanë qenë anonime.

Madje, ato kanë përmendur edhe Samitin e Helsinkit mes Trumpit dhe Putinit duke thënë që në të është folur edhe për Kosovën – kur për një gjë të tillë nuk kanë aluduar madje as mediumet më të mëdha të botës. Por, një qasje të ngjashme kanë pasur edhe mediet e ndryshme në Serbi që përkrahin Aleksandër Vuçiqin, duke thënë që dy liderët botërorë çështjen e Kosovës do ta zgjidhin për disa minuta.

Kujtojmë se Hashim Thaçi nuk kishte guxuar të pranonte se procesi dialogues me Serbinë i nisur më 2011 do të kishte të bënte me tema politike. Ai kishte thënë që dialogu do të ishte vetëm teknik. Pikërisht përmes medieve të ndryshme ai e kishte përgatitur opinionin edhe asokohe se debati do të ishte edhe politik. Një taktikë e tillë del e qartë edhe kësaj here me çështjen e ‘ndarjes’.

Të kujtojmë se në vitin 2012, Hashim Thaçi kishte deklaruar që “ndarja e Kosovës është një ëndërr serbe që nuk do të realizohet”. Por tashmë, Thaçi ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimet. /Periskopi

Shpërndaje në: