edita

Tahiri: Sjellje dualiste e Serbisë ndaj marrëveshjeve me Kosovën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, i cili përfshin periudhën nga 16 qershori deri më 25 nëntor të vitit 2016.

Periskopi.com Lajme

Raporti është i nënshkruar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.

Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti ndër të tjerash thuhet:

Procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura është përballur me vonesa, evazione apo shkelje nga ana e Serbisë. Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim që do të thotë se në njërën anë ajo zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj paralele në Kosovë.

Pakoja e marrëveshjeve e 25 gushtit 2015 trajtoi katër çështje: telekomin/kodin shtetëror të Kosovës, energjinë/funksionimin e pavarur të KOSTT-it, heqjen e barrikadës nga Ura e Mitrovicës dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pas më shumë se një viti, më 14 gusht të vitit 2016 filloi zbatimi me largimin e barrikadës nga ura përderisa rivitalizimi i saj është në progres e sipër dhe pritet të finalizohet më 20 janar 2017.

Nga ana tjetër, Marrëveshja për energjinë e vitit 2013 dhe Plani i Veprimit i vitit 2014, i cili parasheh që sistemi i transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT) të operojë në mënyrë të pavarur në përputhje me ENTSO-E, mbetet i bllokuar nga Serbia.

Marrëveshja e rëndësishme për këtë çështje, si pjesë e pakos së marrëveshjeve të datës 25 gusht 2015, ka bërë të qartë edhe një herë se KOSTT do të veprojë në mënyrë të pavarur. Marrëveshja në mes të KOSTT dhe ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit) është arritur më 1 tetor 2015, por zbatimi nuk ka mundur të filloj për shkak të bllokadës nga ana e Serbisë.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes mbi Asociacionin, siç kemi treguar në të gjitha marrëveshjet tjera. Procesi i hartimit të statutit do të filloj në Prishtinë menjëherë pasi që Kosova të fitojë kodin e saj telefonik nga ITU, më 15 dhjetor 2016. Ky proces do shkojë paralelisht me heqjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, për të cilat në Bruksel do të filloj punën grupi trepalësh.

Marrëveshja për Asociacionin e arritur më 25 gusht 2015 është në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Më 14 shtator 2016, u arrit një marrëveshje e rëndësishme për reciprocitetin në targa mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund targave “të përkohshme – prova” që pala serbe ka aplikuar në mënyrë të njëanshme për targat RKS të Kosovës që nga viti 2011. Kjo marrëveshje, ka vendosur reciprocitet në targa mes dy shteteve, duke filluar më 15 nëntor 2016 parasheh përfundimin e targave ilegale në 12 muaj, duke filluar nga 17 janari i vitit 2017 dhe zgjat periudhën e targave KS për 5 vjet.

Në ndërkohë, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e marrëveshjeve tjera në fushat e mëposhtme:

Në fushën e drejtësisë, Kosova është duke përmbyllur procesin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi. Në pajtim me ligjin e Kosovës, ne po themelojmë një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, që mbulon shtatë komunat. Ne kemi përfunduar integrimin/rekrutimin e stafit serb gjyqësor, 44 gjyqtarë, 34 prokurorë dhe 148 persona në stafin administrativ. Ka përfunduar provimi i jurisprudencës për 6 kandidatët.

Kosova ka shënuar progres në krijimin e zyrave të Agjencisë Kosovare të Regjistrimit Civil (ARCK) dhe Gjendjes Civile në katër komunat veriore. Këto zyra do të fillojnë funksionimin në së shpejti për dhënien e dokumenteve të shtetësisë dhe të gjendjes civile për qytetarët në veri, për të cilat kërkesat janë në rritje. Ish stafi administrativ i policisë është duke u integruar/rekrutuar në këto zyra.

Sa i takon Marrëveshjes së IBM (MIK), përkatësisht për ndërtimin e objekteve të përhershme të MIK , Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përfundimin e dizajnit final të projekteve në bashkëpunim me BE-në dhe UNOPS-in si partner implementues. Më 14 shtator të vitit 2016, Qeveria e Kosovës aprovoi dizajnët finale të projekteve për vendkalimet kufitare në Merdar, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat shteti ynë është pala mikpritëse. Afati i pajtuar për fillimin e punëve ndërtimore në të tri vendkalimet kufitare është paraparë për janar 2017.

Konstatojmë me shqetësim, se ekzistojnë dy marrëveshje të vitit 2011 të cilat ende janë në pritje të zbatimit. Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave e cila ka ngecur nga Serbia deri në janar të vitit 2016, kur u arrit një marrëveshje me një fushëveprim më të gjerë duke përfshirë diplomat e të gjitha niveleve arsimore, dhe përgatitjet për zbatimin e saj janë në proces e sipër.

Qeveria e Kosovës vlerëson zhvillimet inkurajuese në procesin e zbatimit gjatë kësaj periudhe, ndërsa bën thirrje për më shumë përparim në të ardhmen. Dëshirojmë të theksojmë se për procesin e zbatimit efektiv, BE-ja mbetet një faktor qenësor për të ndihmuar përshpejtimin dhe sigurimin e një konsistence në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.