edita

Tahiri premton sërish: Kosova së shpejti me sistem unitar të drejtësisë edhe në veri

Ministrja për Dialog njëherit kryenegociatore në dialogun me Serbinë Edita Tahiri, ka bërë me dije se së shpejti Kosova do të konsolidojë sistemin unitar të drejtësisë edhe në veri të vendit.

Periskopi.com Lajme

” Jemi shumë afër përcaktimit të datës finale për vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë edhe në pjesën veriore të shtetit tonë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit”

” Zbatimi i marrëveshjes për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, ku një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale do të fillojnë së shpejti funksionimin në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat të Republikës së Kosovës”.

“Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsejtë shtatë gjykata themelore”

Sipas saj, Kosova ka përmbyllur me sukses procesin e rekrutimit të stafit gjyqësor dhe prokuorial sipas ligjeve të Kosovës.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje i jep fund ish strukturave paralele të drejtësisë në sistemin e Kosovës. Këto struktura paralele de facto kanë ndaluar operimin në fund të 2013, ndërsa de jure shpërbërja e tyre do të ndodh në momentin kur Serbia shfuqizon kontratat e punës dhe ndal pagat për këtë staf që më parë ka punuar në këto ish struktura paralele”

” Pas këtij veprimi, nis menjëherë fillimi i punës së sistemit të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit”, theksoi ajo, transmeton Klan Kosova.