ANdi Bushati

Kush po i nxit xhihadistët shqiptarë ?

Një nga futbollistët më të mirë shqiptarë, mbrojtësi i kombëtares Mërgim Mavraj, postoi paraditen e së hënës një status i cili fliste me fjalë të ashpra kundër masave që u përdorën ndaj tifozëve shqiptarë për ndeshjen Shqipëri- Izrael. Por, ajo që Mërgimi, një besimtar i devotshëm musliman, nuk e thoshte me fjalë, por e nënkuptonte, tek përdorte termat, « frikë », « poshtërim », « përçarje » ishte fakti se ato kishin rënë mbi kokat e njerëzve të së njëjtës fe me të.

Andi Bushati Opinione

Në të vërtetë, që kur u hap lajmi për moszhvillimin e ndeshjes në Shkodër, katër besimtarë muslimanë të etiketuar si terrorrisë u arrestuan. Afro 100 të singjashëm me ta u ndaluan nga policia pa ndonjë arsye konkrete. Mediat shkruan se ata dyshoheshin për aksione vrastare. Por më tej askush nuk tha asgjë.

Në ditën e ndeshjes, Elbasani i ngjante një lagjeje të Hebronit, shteti shqiptar i kishte lëshuar frerët në duart e Mosadit, shërbimit të fshehtë dhe të frikshëm hebre, pamjet që u panë qenë ku e ku më policiore se ato që mund të shikoheshin gjatë Euro 16, në Francën e përballur realisht nga terrorizmi, dhe qindra tifozë shqiptarë të ardhur nga shtetet përreth, nuk u lanë të futen në stadium.

Tani, kur gjithçka ka mbaruar me një fund të lumtur, fatkeqësisht jo për sportdashësit e futbollit, por për ata që i tuteshin një atentati terrorist, pyetja që ngrihet është: A qe e justifikuar gjithë kjo zhurmë? A morën parasysh ata që e krijuan atë edhe sentimentet e besimtarëve muslimanë të këtij vendi? A e vranë mendjen për një moment se dorëzimi i çelsave të policisë në duart e Mosadit, që e ka historinë të njollosur me gjak muslimanësh, vertet mund të shmangte një akt terrorist, por mund të thyente njëkohësisht besimin e mijëra qytetarëve tek shteti i tyre?

Ne ende nuk e dimë nëse ka pasur vërtet një plan për atentat në Shkodër. Disa informacione pa burim pretendojnë se dy prej të arrestuarve në Kosovë kanë folur, por megjithëatë ato janë shumë pak për të justifikuar këtë batërdi.

Prandaj dilema është: ç‘pasoja dhe ç‘klimë krijoi atmosfera e ndeshjes Shqipëri – Izrael? A e përforcoi ajo dyshimin se besimtarët e muhamedit trajtohen si qytetarë të paragjykuar? A e nxiti ajo shenjën absurde të barazimit, që shpesh herë vihet mes një muslimani dhe një terroristi?

Këto pikëpyetje bëhen edhe më të forta kur kujtohesh për procesin e 9 imamëve të cilët gjykata e krimeve të rënda i dënoi me 126 vjet burg, me akuzën se kishin dërguar luftëtarë për ISIS-in.

Po të ndiqje atë proces të krijohej ideja se ata nuk u dënuan vetëm për aktet e tyre, por edhe për bindjet e tyre. Sepse shpesh gjatë seancave gjyqësore atyre u përmendej se nuk e duan rendin tonë demokratik, se e urrejnë ShBA-në, se presin, që “birin” e masonëve Edi Rama, ashtu sikurse Sali Berishën, po njësoj si Bushin, Obamën apo Putinin do të vijë dita dhe do ti dënojë allahu.

Po të pyesje më pas njerëzit që kanë djeni për dosjen e tyre, argumenti që përmendin “Off” ishte tjetër: “Po për ta ka fakte të thoshin, por nuk u gjetën të gjitha provat. Por këtë punë e dinë amerikanët. Ata i kanë ndjekur dhe përgjuar dhe janë të bindur për aktivitetin e tyre të lidhur me ISIS-in”.

Do zoti që këtë herë, në rastin e Shkodrës, mos të jetë shkuar me gjykimin foshnjarak, “ne po veprojmë se faktet i disponon Mosadi”.

Sepse me këtë mënyrë vërtet mund të dergjet pas hekurave ndonjë terrorrist i mundshëm, por dëmi social që ato veprime të nxituara krijojnë, është shumëfish më i madh.

Përpara prangosjes së ndonjë grupimi xhihadist institucionet tona të sigurisë duhet të preokupohen për një sfidë shumë më të madhe. Ata asnjëherë nuk duhet të lënë as hijen më të vogël të dyshimit, se njerëzit e përndjekur po vuajnë këtë fat për shkak të besimit, veshjes, mjekrës, shamisë apo mendimeve të tyre.

Nëse kjo ndodh, nëse kjo ide përhapet, qoftë dhe në formën e një teorie konspirative, terroristët e vërtetë që vrasin në emër të islamit, e kanë të fituar betejën.

 

Në një vend si yni, ku qeveritë makute që i lënë vendin njëra- tjetrës shtojnë mjerimin, ku pabarazitë theksohen nga dita në ditë, ku shpresa brehet në mënyrë të pakthyeshme, t’i japësh shkak dhe propogandës së islamikëve, se besimtarët muslimanë trajtohen ndryshe nga të tjerët, do të thotë të bësh një gafë të parikuperueshme. Ajo është njësoj si ti ndezësh dritën jeshile xhihadistëve të ardhshëm.

Edhe fryrja e tejskajshme që u bë me rastin e ardhjes së ekipit të Izraelit në Shqipëri, shkon pikërisht në këtë drejtim. Ajo shton dyshimet se dhjetra qytetarë shkodranë që u ndaluan nga policia, se qindra shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës që mbetën jashtë stadiumit, se plot të tjerë që parakaluan mes helmetave dhe qenëve të policisë, apo ata që u kontrolluan deri tek të brendëshmet, pësuan këtë fat vetëm për shkak të fesë së tyre.

Se ata u paragjykuan si terroristë për shkak se dukeshin si muslimanë.

Prandaj, që kjo të mos të ndodhë, organet tona të sigurisë, nuk duhet të mjaftohen me justifikimin se atë histori e dinin shërbimet e huaja. Pas kësaj, ata kanë detyrimin që me prova dhe fakte, madje dhe me një proces të hapur dhe model, të bëjnë transparencë për atë që mund të ngjante në Shkodër. Të tregojnë me detaje rrezikun real, nëse kishte vërtet një të tillë.

Në të kundërt, gjithë sa dëgjuam këto ditë, mund të rezultojë një zhurmë e krijuar nga idiotë të zelshëm, që pa e ditur çojnë ujë në shtratin që duan vrasësit e paskrupullt. Ata që nuk kanë as fe as besim, por që përdorin dobësitë e shteteve të kalbura, për të shtuar rradhët e tyre. (Lapsi.al)