rrenimet - Prizren

Fillon intervistimi për vdekjen e trevjeçares Xheneta Gashi

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka intervistuar gjatë ditës njërin nga tre drejtorët e Komunës së Prizrenit, ndaj të cilëve ka nisur hetimet pas tragjedisë që ndodhi në muajin qershor, ku humbi jetën Xheneta Gashi.

Periskopi.com Lajme

Drejtori i intervistuar, Bedrija Ejupagiq, ka konfirmuar lajmin, duke thënë se i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë.

Edhe kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka konfirmuar një gjë të tillë, duke thënë se Prokuroria i ka hapur hetimet ndaj tre personave, drejtorë në Komunën e Prizrenit, për të cilët dyshohet se në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre nuk kanë ndërmarrë masa mbrojtëse në evitimin e fatkeqësisë që ka ndodhur më datën 6 qershor 2016.

Hoxha ka shtuar se varësisht prej dëshmive dhe provave, hetimet mund të zgjerohen edhe ndaj dikujt tjetër.

Trevjeçarja Xheneta Gashi vdiq më 6 qershor të këtij viti, pas shembjes së një shtëpie të vjetër në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren, raporton KTV

Pas kësaj tragjedie, shoqëria civile dhe qytetarë të shumtë, me anë të protestave, kishin kërkuar dorëheqjen e kryetarit Ramadan Muja dhe të përgjegjësve të tjerë, mirëpo, deri tash, askush nuk është dënuar dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen e jetës së Xheneta Gashit.