familja-kalon-diten-me-2-euro

Familja 8-anëtarëshe nga Lipjani jeton me 2 euro në ditë

Familja Krasniqi nga Qallapeku i Lipjanit po jeton si mos më keq. Shtëpia ku jeton familja 8-anëtarëshe nuk i plotëson aspak kushtet për banim, kurse ata shpesh mbesin edhe pa gjërat më elementare për jetë.

Periskopi.com Lajme

 

Familja jeton e varur nga një ndihmë sociale në vlerë prej 80 eurosh, e cila nuk ju mjafton as për ushqim. Ndërkohë e gjithë familja jeton në dy dhoma të një shtëpie të stërvjetruar duke ua rrezikuar edhe jetën banorëve aty.

Derisa kryefamiljari Abazi kishte dalë për të kërkuar punë krahu, ishte Zana bashkëshortja e tij e dytë, e cila flet për gjendjen e rëndë në të cilën është duke jetuar ajo me bashkëshortin djalin e saj dhe pesë fëmijët tjerë të Azemit, pasi që nëna e tyre u kishte vdekur nga sëmundja e kancerit, kohë më parë. “Jetojmë nga një ndihmë sociale prej 80 eurosh. Asnjë nuk jemi të punësuar kurse burri del për çdo ditë për të kërkuar punë krahu, por rrallë gjen”, rrëfen kryefamiljarja Zana, para derës së një shtëpie të vjetër, e cila nuk mbahet mend se kur është ndërtuar, shkruan Kosova Sot.

“Shumë vështirë e kemi me këtë shumë të ndihmës sociale t’ia dalim. Të pesë fëmijët janë në shkollë, dy bëjnë rrugë për në Lipjan, të tjerët këtu. Dhe vështirë të udhëtojnë çdo ditë dhe pa para. Ka raste edhe kur mbesim edhe pa ushqim. Një gjendje jo të mirë sa i përket ushqimit e kemi edhe sot. Burri doli për të kërkuar punë”, është shprehur ndër të tjera ajo, duke shtuar se gjërat ushqimore më të nevojshme i kanë në shtëpi vetëm edhe për dy ditë, por jo edhe më shumë.

Shtëpia e stërvjetruar Zana shprehet se burri saj mundohet të kujdeset që fëmijët mos t’i heqin keq, edhe pse vuan nga tensioni dhe është nën ndikim të terapisë. Edhe vetë Zana është me tension të lartë.

Ajo përshkruan tutje se si mbesin në shtëpi edhe pa gjërat më elementare. Ajo shton se janë ditët më të rënda, që i përjetojnë ajo me burrin dhe fëmijët, kur mbesim pa gjërat më elementare për jetë.

“Dalim e kërkojmë kush ka mundësi të na ndihmoj”, thotë ajo.

E keqja e kësaj familjeje është se shtëpia e banimit është e stërvjetruar.

“Mungesa e dhomave është një problem i madh për ne familjarëve. Shtëpia është bërë e rrezikshme për banim”.

Zana thotë se disa fëmijë i dërgojnë tek gjyshërit aty afër për të fjetur, sepse nuk kanë ku.

“Deri më tani fëmijët kanë fjetur në ato dhomat e shkatërruara andej, por tani nuk ka mundësi të flenë aty, sepse kur bie shi, aty lagen pothuajse të gjitha gjërat. Prandaj, duke mos pasur mundësi tjetër i kam dërguar tek pleqtë aty në shtëpinë afër nesh”, shprehet ajo .

 

 

73 mijë fëmijë të varfër në Zvicrën e pasur

Çdo të njëzeti fëmijë në Zvicër i mungojnë paratë për të jetuar. Dhe trefish më shumë janë të kërcënuar nga varfëria, konstaton një studim i qeverisë zvicerane. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve në BE është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni.

Periskopi.com Lajme

Në Zvicër jetojnë 73 mijë fëmijë në varfëri, 234 mijë janë të kërcënuar nga varfëria. Në amvisëritë pa njerëz të punësuar madje çdo i dyti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria dhe çdo i pesti është i prekur nga skamja.

Faktor kyç për pengimin e varfërisë së fëmijëve është punësimi i të rriturve, të cilët jetojnë në amvistërinë përkatëse, thuhet në një studim të Entit Federal të Statistikave të Zvicrës (BFS), të publikuar të premten. Studimi, sipas mediave zvicerane, trajton varfërinë dhe mungesat materiale të fëmijëve në Zvicër duke u bazuar në të dhënat e vitit 2014. Rreth 30 për qind e fëmijëve të kërcënuar nga varfëria jetojnë në amvisëri pa persona të punësuar. Pjesa tjetër prej 70 për qind – pak më shumë se 51 mijë fëmijë në Zvicër – jetojnë në amvisëri ku përkundër punësimit të të rriturve të ardhurat nuk mund të kalojnë pragun e varfërisë.

Fëmijët që rriten me vetëm njërin prind janë më të rrezikuar nga varfëria. Gati çdo i dyti fëmijë në këto amvisëri duhet të jetojë në skamje. Kjo domethënë se fëmija nuk mund të merret me ndonjë aktivitet të lirë, i cili kushton, dhe në shtëpi nuk ka ambient të përshtatshëm për të mësuar. Shumë nga këta fëmijë shpesh jetojnë në banesa me lagështirë apo në vende me fqinj të papërshtatshëm, ku janë të përhapura zhurma, vandalizmi apo dhuna.

Shoqata humanitare Caritas shkruan në një deklaratë se në krahasimin ndërkombëtar Zvicra investon pak në familje. Caritas kërkon që qeveria zvicerane të angazhohet më shumë në garantimin e rrogave që sigurojnë ekzistencën dhe të marrë masa për përmirësimin e kushteve familjare dhe në ushtrimin e profesionit.

Megjithatë, në krahasim në vendet europiane Zvicra prapë qëndron mirë. Njëjtë mirë apo edhe më mirë fëmijët jetojnë vetëm në vendet skandinave dhe në Holandë. Në BE mesatarisht çdo i katërti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria apo izolimi social, ka njoftuar javën e kaluar autoriteti europian i statistikave Eurostat. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni. (-lli)/ DialogPlus

73 mijë fëmijë të varfër në Zvicrën e pasur