MPJ dënon ashpër heqjen e dhunshme të flamujve të Turqisë në Prizren

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes një reagimi për media thotë se “dënon ashpër heqjen me dhunë të flamujve të Republikës së Turqisë në Prizren”, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme kërkon që autorët të vihen para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe të dëmshme.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve tona miqësore me Turqinë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj, citon komunikata e MPJ-së.

Flet këshilltari shqiptar i Erdoganit: Krah të fortë do ta keni përherë Turqinë

Ekskluzivisht për Telegrafin, flet këshilltari i Erdoganit – shqiptari Sabri Demiri: Në rrugëtimin tuaj, krah të fortë do ta keni përherë Turqinë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tash e sa vite në kabinetin e tij e ka rezervuar një vend për një shqiptar, të cilit ia ka besuar informatat për zhvillimet në Ballkan. Është ky shqiptari Sabri Demiri, i lindur në ish-kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, që kishte rrugëtuar në Turqi për të nxënë dije, pa e ditur se do të bëhet pjesë e ekipit të një prej liderëve më të fuqishëm në botë. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, teologu 45-vjeçar ka treguar për ngjitjet e tij në Turqi, për konsideratat e Erdoganit ndaj shqiptarëve, për politikat e Turqisë në raport më Shqipërinë dhe Kosovën. Demiri ka sqaruar edhe raportin e Turqisë me çamët dhe interesimin e politikës turke për shqiptarët që jetojnë në Serbi, në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Ndërkaq, nuk e ka lënë pa përmendur edhe rrezikun që, sipas tij, e sjellin organizatat e lidhura më imamin Fethullah Gulen, e që janë prezente edhe në trojet shqiptare.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në vendlindje. Në vitin 1992 ishte regjistruar në Universitetin e Sarajevës, në drejtimin e Teologjisë, por nisja e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë kishte bërë që ai të largohej nga aty, për të vazhduar rrugën për në Damask të Sirisë ku përfundon studimet në Institutin e Gjuhës Arabe.

Në vitin 1994 zhvendoset në Turqi. Një vit pas përvetësimit të gjuhës turke, nis studimet themelore dhe ato të magjistraturës në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin Marmara.

Momentalisht jeton në Ankara me familjen e tij të ngushtë, që përbëhet nga katër anëtarë: ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij. Prindërit dhe farefisi i ka në Maqedoni.

Në vitin 2009, më ftesë të Erdoganit – aso kohe kryeministër i Turqisë – u emërua këshilltar i tij, punë të cilën e ka vazhduar deri në vitin 2014. Në kohën kur ish-kryeministri Erdogan merr pozitën e kreut të shtetit, emërohet këshilltar për Ballkanin – detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Demiri ka thënë për Telegrafin se ndjehet komod qëkur u bë pjesë e kabinetit të një lideri që për të po i ndryshon epokat.

“Sepse, Erdogani e nderon dhe e çmon shumë kombin tim, E ka një sinqeritet dhe dashamirësi ndaj shqiptarëve; një qasje vëllazërore ndaj nesh”, thotë ai.

I vetëdijshëm për peshën e punës së tij në ndërtimin e marrëdhënieve mes vendimmarrësve në Turqi dhe atyre në trojet tona, angazhohet që presidenti turk gjithnjë të ketë informata të sakta për zhvillimet politike, sociale dhe kulturore në vendet ku jetojnë shqiptarët. Për të sot askush nuk mund ta mohojë se populli të cilit ai i takon është faktor determinues për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

“Raportet e shtetit turk me dy shtetet shqiptare, me Kosovën dhe Shqipërinë, po intensifikohen dita-ditës. Ndërsa, është botërisht e ditur se kemi raporte të një parneriteti strategjik. Dua te them se presidenti Erdogan e sheh raportin me shqiptarët si marrëdhënie pa kushte”, ka shtuar ai.

Demiri tregon se Ballkani mbetet çdo herë në vëmendjen e Turqisë, për çka punohet në raporte të mira edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Kroacinë, Maqedoninë, e madje Serbinë.

“Një Ballkan i qetë, pa trazira, është fjalia kryesore e Presidencës turke”, ka theksuar ai, duke mos e mohuar se ndihet krenar si shqiptar në Kabinetin e Erdoganit. “Në asnjë moment nuk ndihem i dytë ose i anashkaluar. Kolegët dhe vet presidenti me trajtojnë me shumë respekt. Për ata jam një vëlla, e më pas një bashkëpunëtor. Dallimet etnike shihen si pasuri në vendin tim të punës. Ndaj, nuk e kam asnjë pengesë që t’i shpreh sentimentet kombëtare. Respektin dhe dashurinë për shqiptarët presidenti Erdogan e ka treguar disa herë nëpër fjalimet e tij. Në çdo rast iu drejtohet shqiptarëve si ‘vëllezërit e mi’. Nuk besoj se ndonjë lider tjetër ka krijuar këtë afërsi më popullin tonë”.

Demiri ka sqaruar për Telegrafin se nën urdhrin e Erdoganit është formuar “Kryesia e Popujve Akraba” apo e popujve që konsiderohen të afërt. Në krye të këtyre popujve janë shqiptarët.

“Kemi të bëjmë me një raport special. Presidenti dhe shteti turk e kanë bërë të qartë agjendën e tyre në raport me shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në përgjithësi Ballkan. Nuk është fakt i panjohur angazhimi personal i tij në lobimin për njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar. E them me përgjegjësi të plotë: nuk ekziston forum rajonal ose botëror ku ai nuk bën thirrje që të njihet shtetësia e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Demirit, Kosova nuk mbështetet vetëm politikisht, por edhe në forma tjera ekonomike.

“Angazhimi nuk mungon edhe në mbështetjen në rrugën e integrimeve euroatlantike. E përsëris: nuk ka institucion dhe organizatë ndërkombëtare ku Turqia nuk ka kërkuar që pjesë e saj të jetë Kosova”, ka shtuar ai.

Demiri shprehet se raportet në mes Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë – si me kryeministrin Edi Rama e më parë edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha – janë jashtëzakonisht të mira. Madje, ndjehet mirë që Rama e ka shpallur Turqinë si partner strategjik dhe se këto raporte po reflektojnë pozitivisht kudo tek shqiptarët në rajon.

“Pos investimeve e ndihmave, dua t’ua kujtoj po ashtu një fakt: janë mijëra studentë shqiptarë që me bursa shtetërore i kanë përfunduar e po i ndjekin studimet në Turqi. Brenda një periudhe pesëvjeçare, shteti turk – përmes organizatave shtetërore – ka realizuar 390 projekte në Shqipëri, 537 në Maqedoni dhe 576 në Kosovë. Kjo mbështetje ka qenë kryesisht në programe sociale, në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi etj.”, ka sqaruar ai.

Demiri ka folur edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se me shqiptarët në Maqedoni, në Serbi dhe në Malin e Zi janë në kontakte të vazhdueshme, dhe se mbështeten organizatat e tyre në funksion të përmirësimit të jetesës së banorëve të këtyre pjesëve. Ai madje e kujton një detaj interesant për lidhjen e Erdoganit me vendlindjen e tij, duke theksuar se “për Bajramin e Vogël, presidenti turk një pjesë të kurbanit e kishte dedikuar për Shkupin”.

“’Shkupin’, tekstualisht kështu. Është diçka simbolike, por domethënëse se si një presidenti me aq shumë obligime e përgjegjësi i kujton banorët e këtij qyteti. Mos të flasim për ditët kur qyteti im i lindjes u prek nga vërshimet e kur nga Turqia u dërguan qindra maune me ndihma”, thotë Demiri,, i cili përmend një takim të zyrtarëve nga Presheva me shefin e tij, të cilëve po ashtu u është premtuar mbështetja turke.

Këshilltari i Erdoganit thotë për Telegrafin se si rajon multietnik dhe multifetar, është me rëndësi që të promovohet bashkëjetesa dhe toleranca në Ballkan – pa u shkelur dhe pa u dhunuar të drejtat e asnjë etnie. Ndërkaq, shton se për Presidencën turke “brengosëse janë problemet ekonomike dhe sociale në trojet tona, për çka një pjesë e rinisë të ardhmen e sheh nëpër rrugët e Evropës”.

“Turqia dhe presidenti u kanë bërë ftesë bizneseve që të investojnë në këto troje, për t’i këndellur ato në aspektin ekonomik. Turqia është shembull i ngritjes së madhe ekonomike, ndaj kjo praktikë synohet të ndahet me vendet e Ballkanit”, ka shtuar ai.

Demiri me presidentin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin turk

Demiri ka folur edhe për prezencën në rajon të organizatave të lidhura me imamin Fethullah Gulen. Ai i cilëson ato si “terroriste”.

“’Gylenxhinjtë” – shërbyes të imamit Fethullah Gulen – tentuan ta ‘klonojnë’ shtetin turk. Këta sabotues, me obstruksionet e tyre ishin bërë pengesë e zhvillimit. Sabotimet ishin në rrafshin ekonomik dhe të investimeve brenda Turqisë. Përmes infiltrimit në sistemin e edukimit, në Polici, në gjykata e në Ushtri, ata tentuan ta nëpërkëmbin shtetin. FETO – kjo organizatë okulte dhe terroriste – më 15 korrik të vitit të kaluar tentoi një grusht shtet, që fatmirësisht u shkoi huq. Pamjet nga sheshet e qyteteve ishin madhështore. Qytetarët e zakonshëm e mbronin shtetin e tyre, duke hyrë përmes tankeve dhe duke u bërë mburojë me gjokset e tyre. Pleq e të rinj – pas ftesës së Erdoganit – vërshuan rrugët duke e mbrojtur flamurin, dinjitetin e demokracinë e duke mos e pranuar nënshtrimin”, ka theksuar ai.

Demiri thotë se “është fatkeqësi që kjo organizatë është e përhapur edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Sabri Demiri: Uroj shqiptarët, kudo që janë, për 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

“Do të tradhtojnë, siç e tradhtuan popullin e tyre. Veprimet i kanë të orientuara në dëmtimin e raporteve shqiptaro-turke, përmes denigrimit të politikës turke”, ka shtuar ai. “Presidenti, në takimet me liderët shqiptarë ka bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm nga eksponentë të kësaj organizate. Tashmë ka një kërkesë direkte prej Erdoganit, drejtuar vëllezërve shqiptarë në Kosovë, që të largohen nga kjo organizatë, sepse ky shteti i ri është ende duke u ndërtuar e mund të këtë pengesa në këtë drejtim”.

Demiri ka theksuar se komuniteti çam është një komunitet me rëndësi për Erdoganin dhe se janë 200 mijë prej tyre që jetojnë në këtë shtet. Sipas tij, ata janë të inkuadruar në të gjitha sferat e shtetit turk.

“Kemi raporte të shkëlqyera edhe me Partinë për Demokraci, Integrim dhe Unitet (PDIU) në Shqipëri, dhe drejtuesin e këtij subjekti, Shpëtim Idrizi. Besojmë se ky subjekt i mbron interesat e këtij komuniteti, në përpjekjet për ta zbardhur të vërtetën historike të tyre”, ka shtuar shkupjani i fortë i Turqisë, i cili nuk harron t’ua urojë të gjithë shqiptarëve 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Ju dëshiroj mirëqenie, rehati dhe një shtet stabil. Mos harroni se në rrugëtimin tuaj e keni mbështetjen e pashoqe të presidentit Erdogan. Ndërkaq, ju siguroj se unë – Sabri Demiri i gjakut tuaj – nuk do të kursehem asnjëherë që – nga pozicioni im – ta ndihmoj Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë. E lus Zotin për shëndetin dhe mirëqenien tuaj”, ka shtuar Demiri. /Telegrafi/

Pas Rusisë edhe Turqia del kundër ushtrisë amerikane

Sot, zëdhënësi i presidentit turk Tayyip Erdogan e ka kritikuar ashpër ushtrinë amerikane, pasi kjo e fundit e rishpërndau një status të aleancës së dominuar nga kurdët në rrjetin social “Twitter”, të cilën SHBA-ja e mbështet në Siri. Në status thuhej se aleanca nuk ka lidhje me militantët kurdë që luftojnë kundër shtetit turk.

Periskopi.com Lajme

 

Forcat Demokratike Siriane (SDF), partneri kryesor i SHBA-së në terren në Siri, në luftë kundër ISIS-it, përfshinë edhe milicinë e fuqishme kurde të YPG-së, transmeton Express.

Turqia e sheh YPG-në si degë të grupit militant PKK, e cila ka nisur një kryengritje tri-dekadeshe në Turqi dhe konsiderohet grup terrorist nga Ankaraja, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

“SDF e konfirmon se nuk ka lidhje apo aleancë me PKK-në”, ka thënë Komanda Qendrore e SHBA-së në “Twitter”, duke e rishpërndarë deklaratën e SDF-së, ku tha se nuk është pjesë e PKK-së dhe se dëshiron marrëdhënie të forta me fqinjët, përfshirë Turqinë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, është kundërpërgjigjur.

“A është kjo shaka apo Komanda Qendrore e ka humbur sensin?” ka shkruar ai në “Twitter”.

“A besoni se dikush do ta besojë këtë? SHBA-ja duhet të ndalojë së tentuari t’i legjitimojë grupet terroriste,” ka shkruar ai.

Rrahje masive në Parlamentin e Turqisë (Video)

Në parlamentin e Turqisë, gjatë debatit për kompetencat e reja kushtetuese për president ka ndodhur një rrahje masive mes deputetëve, transmeton koha.net.

Periskopi.com Lajme

Deputetja e partisë së koalicionit Drejtësi dhe Zhvillim Fatma Kaplan deshi ta xhironte votimin me telefonin e vet mobil.

Kjo nuk u pëlqeu opozitarëve dhe ata në fillim nisen të shtyjnë e pastaj edhe të rrihen.

Me ndërrimet kushtetuese zgjerohen kompetencat e kryetarit dhe me to Rexhep Taip Erdogan mund të emërojë e shkarkojë ministra, të zgjedhë udhëheqjen e partisë dhe të kandidohet edhe dy herë nga pesë vjet si kryetar i shtetit.

Për ndryshimin e Kushtetutës duhet përkrahja e së paku 330 deputetëve nga 550 sa ka në Kuvend.

Obama: Përshëndetet përpjekja turko-ruse për Sirinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka mirëpritur përpjekjen e Turqisë me Rusinë, për ripërtritjen e armëpushimit në Siri dhe bisedimeve për paqe, gjatë bisedës telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Periskopi.com Lajme

Shtëpia e Bardhë tha mbrëmë se Obama i ka shprehur ngushëllime Erdoganit për sulmin e “tmerrshëm” terrorist në Stamboll, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik, dhe për sulmin e 17 dhjetorit kundër policisë turke në Kajseri, për të cilin është fajësuar një grup jashtëligjor kurd.

Të dy liderët e kanë theksuar progresin në fushatën e tyre kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri dhe janë pajtuar se “Turqia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuara me qëllim që ta mposhtin terrorizmin”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Kjo bisedë telefonike u bë pas akuzave aktuale të Erdoganit dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, se Shtetet e Bashkuara i kanë armatosur “terroristët” në Siri, që ishte referencë e qartë për ndihmën amerikane dhënë milicive kurde në Siri, që luftojnë kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Erdogani nuk kthehet dot pas

Kohë përpara se të pritej ndërrimi i viteve, ndaj shtresës shoqërore me orientim modern të Turqisë ishte paralajmëruar sulmi i tmerrshëm terrorist në klubin e natës „Reina". Gjatë javëve të fundit shpesh sharlatanë gjëmonin në mediat sociale kundër festës së Vitit të Ri me tituj si „Imam" ose „Hoxha".

Baha Güngör Opinione

Në këtë kontekst ata as nuk u rezervuan që t’i shpallnin si “të pafe” e kësisoj edhe si objektiv të sulmeve të dhunshme ata që preferojnë mënyrën perëndimore të jetesës. Madje zyra e religjionit si instanca më e lartë fetare e republikës laike ishte shprehur në predikimin e shpërndarë në xhami kundër festimeve me rastin e Vitit të Ri, që nuk është në përputhje me kulturën islame.

Terrori do të vazhdojë

Kështu pyetja nuk ishte më nëse, por vetëm se ku do të godisnin terroristët e armatosur radikalë islamistë natën e Vitit të Ri. Për këtë arsye policia në Stamboll kishte mobilizuar 17.500 forca, në mënyrë që të parandalohej një masakër. Por pikërisht në „Reina” ndodhej vetëm një polic, që u qëllua prej atentatorit, përpara se ai të qëllonte verbërisht ndaj njerëzve duke vrarë e plagosur. Teoritë e komplotit nuk mungojnë. Por fakt është, që Turqia ndodhet para krizës më të vështirë në politikën e brendshme, madje para kaosit më të madh që prej themelimti të saj në vitin 1923.

I verbëruar prej qëllimit të tij, për ta kthyer Turqinë në një republikë presidenciale dhe për ta shpallur veten një sundimtar të vetëm ndaj vendit dhe popullit, kalkulimet e gabuara të një pas njëshme të Erdoganit po çojnë në vetëshkatërrimin e tij. Kohët, kur Erdogani si reformator entuziazmonte BE-në e kësisoj edhe Gjermaninë, kanë marrë fund. Në vend që të drejtojë për në BE një Turqi funksionuese në politikë, ekonomi e kulturë dhe të orientuar nga vlerat bashkëkohore, ai e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme kredibilitetin ndaj personit të tij. Në vend që të konsolidojë kursin e dikurshëm të pajtimit me kurdët, ai ka vendosur tani për konfrontimin direkt. Qëkurse faktikisht ai u bë shkas për anulimin e zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor 2015 gjatë sulmeve terroriste në Turqi kanë gjetur vdekjen rreth 1.500 vetë e qindra të tjerë janë plagosur. Që nuk po duket të ketë një fund të vrasjeve,  këtë e tregon akti i fundit i dhunës në Bosfor. Nëse e vlerëson realisht situatën sivjet mund të priten edhe shumë sulme të tjera terroriste. Pasojat për ekonominë, për stabilitetin e monedhës kombëtare Lira dhe për turizmin janë qysh tani të ndjeshme.

Sfida Siria

Një kthesë për Erdoganin nuk është më e mundur. Ai tani duhet të zhvillojë luftë deri në fund krah Rusisë kundër milicëve terroristë të “IS”. Kundër një organizate, frymën paraprirëse të së cilës Erdogani dhe pasuesit e tij e trajtonin me kujdes dhe tani nuk po munden ta shmangin më. Ushtria turke lufton njëkohësisht edhe kundër kurdëve të Sirisë, për t’i penguar ata që të shtrihen në territoret fqinje përgjatë kufirit turk. Brenda vendit vazhdon lufta kundër lëvizjes së klasifikuar si terroriste (FETÖ) të bashkëluftëtarit të tij të dikurshëm Fethullah Gülen. Më shumë se 100.000 nëpunës shteti janë pushuar nga puna ose janë shkarkuar nga detyra, mbi 40.000 vetë janë arrestuar, sepse ata gjoja janë ose kanë qenë anëtarë të „FETÖ”. Por deri tani nuk ka dëshmi bindëse për këtë.

Nëse Erdogani do të rifitojë besimin brenda dhe jashtë vendit, ai duhet t’i thërrasë arsyes. Në këtë kontekst ai duhet p.sh. që pas sulmit terrorist natën e vitit të ri të mos mjaftohet vetëm me një deklaratë me shkrim, por të angazhohet edhe personalisht lidhur me hetimet për dorasin apo dorasit. Po ashtu ai duhet menjëherë jo vetëm të distancohet prej kërcënimit ndaj atyre, që preferojnë një stil tjetër jetese, por edhe duhet që drejtësinë e policinë, që janë nën kompetencat e tij, t’i verë në lëvizje në mënyrë që të ndalohet me efikasitet kërcënimi publik i njerëzve dhe institucioneve. Po ashtu ai nuk duhet që në çdo rast të akuzojë publikisht BE-në e në radhë të parë Gjermaninë, se po i mbështesin e sigurojnë strehë terroristëve dhe organizatave të tyre.

Sundimi i arbitraritetit

Në Gjermani shteti ligjor do të thotë, që drejtësia dhe organet e sigurisë janë të detyruara, t’u provojnë me fakte të qendrueshme personave të akuzuar fajin, përpara se t’i dënojnë. Ndërsa në Turqi ende vlen, që vetëm mendimi në kundërshtim me kreun e shtetit të shërbejë si bazë për arrestin dhe mbajtjen në arrest hetimor. Për të rifituar lirinë, individi duhet ta dëshmojë vet fajin e tij. Ndaj ndodhen në burg mbi 170 gazetarë, shkrimtarë e studiues, të cilëve u duhet që në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të përballojnë hetuesinë deri në pesë ditë përpara se t’u lejohet të kontaktojnë një avokat. Kështu Turqia nuk mund t’u bëjë ballë sfidave të shekullit të 21-të./DW

Kërkesat e Erdoganit që ja bëri Thaçit sa ishte në vizitë në Turqi

Siç edhe është pritur, çështja Gylen, ka qenë tema kryesore që ka mbizotëruar gjatë qëndrimit të Presidentit të Kosovës në Ankara. Përderisa Thaci është impresuionuar me salltanetet në Pallatin e Erdoganit, Presidenti turk e ka shfrytëzuar takimin për hesape tjera. Ai ka kërkuar mbylljen e shkollave të Gulenit, të cilin po e akuzon për tentim-pucin, gjatë verës. Ndërkohë ka thënë se d’o ti shkollojë kosovarët nëpërmjet fondacionit Maarif i cili tashmë është themeluar.

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur 6 muaj për të realizuar takimin me shefin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Takimi e ka kënaqur egon e Presidentit të Kosovës pasi Erdogan i ka siguruar një pritje me nderime të larta, por e gjithë kjo e ka pasur një çmim.

Erdogan, i ka kërkuar mysafirit nga Kosova që t’i mbyllë shkollat e Fetullah Gulenit në Kosovë – në të cilat janë shkolluar shumë prej fëmijëve të liderëve kosovarë përfshirë edhe djalin e Hashim Thaçit, Endritin.

Kt fakt është përmendur edhe nga vet Erdogan i cili është në dijeni se fëmijët e “funksionarëve të lartë” kosovarë janë shkolluar aty.

Kërkesën e tij Erdogan e ka elaboruar në mënyrë perfide duke elaboruar që Kosovës një ditë mund të ballafaqohet me rrezik nga të shkolluarit në këto shkolla.

Por, ai ka joshur edhe në një mënyrë tjetër Hashim Thaçin, i cili ka thënë se po e vëzhgojmë nga afër “çështjen Gylen”.

Ai ka thënë se Turqia ka dhënë 248 dëshmorë  gjatë puçit të 15 korrikut, të cilin sipas tij e shkaktoi mentaliteti i FETO.

“Ky mentalitet që është sot  në Turqi, nesër mund të shfaqet në Kosovë përmes atyre që rriten në ato shkolla. Ata do t’i pushtojnë shkollat, zyrat qeveritare, parlamentin. A shkollohen aty shtetasit e Turqisë? A shkollohen aty fëmijët e njerëzve të rëndësishëm në Kosovë? Ju po e bëni llogarinë tani. Llogarinë mos e bëni tani, llogarinë bëjeni për 10 vjet, 20 vjet pas. Këta i kanë bërë hapat e tyre 40 vjet më parë dhe tani filluan ti korrin rezultatet” ka thënë Erdogan.

Ai më pas ka bërë edhe një ofertë duke dhënë një alternativë tjetër për shkollim. Erdogan ka njoftuar se është bërë një fondacion që të mbështesë shkollimin e kosovarëve, pasi të mbyllen shkollat e Gylen.

“Tash ne jemi duke të e luftuar këtë dhe duke e bërë këtë jemi djegur. Nuk duam që edhe Kosova të digjet. Prandaj fondacioni Maarif, të cilin e kemi themeluar le të bashkëpunojë me arsimin kombëtar të Kosovës dhe të shkollojmë të rinjtë idealist të Kosovës. Ti shkollojmë si atdhedashës. Mos të jemi hezitues që nuk do të funksionojë, tradhtarë nuk do të dalin. Tradhtarë janë këta dhe ne paguam për këtë. Po e përsëris, nuk duam që edhe Kosova ta paguajë. Sepse Kosova nuk mundet ta përballojë këtë. Turqia kishte një fuqi për ta përballuar, por Kosova nuk mundet ta përballojë” ka theksuar ai.

Thaçi ndërkaq në përgjigjen e tij, pas takimit me Erdogan, është shfaqur më i rezervuar duke thënë se çështja Gylen po vëzhgohet dhe  se nuk do të prishen raportet me Turqinë e Erdoganit.

Thaçi madje e ka vlerësuar lartë vizitën duke thënë se ajo është kurorëzim i vizitave që ka zhvilluar në vitin 2016.

Në ueb faqen e Presidencës turke thuhet se “një gazetar nga Kosova ia ka përkujtuar Presidentit Thaçi se nga disa qarqe vizita në Turqi është vlerësuar si një vizitë që nuk do të duhej të ndodhte, duke e kërkuar një përgjigje në lidhje me këtë vlerësim”

“Për mua është një vizitë e rëndësishme dhe e fundit për këtë vit. Me këtë vizitë e kemi kurorëzuar vitin 2016”, tha Thaçi.

“Ne jetojmë në demokraci, ne respektojmë pikëpamjet e ndryshme. Por marrëdhëniet strategjike të shtetit, asnjë njeri nuk mundet ti përcaktojë i vetëm. Këto janë vlerësime nën ndikimin e të tjerëve, dhe janë qasje  jo qëllimmira” ka shtuar ai.

Më pas Thaçi ka thënë se Turqia është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, “ndërsa Presidenti Erdogan e ka uruar me telefon para se të shpallet pavarësia”.

Edhe pse në konferencën për media me Erdogan, Thaçi është shfaqur i kujdesshëm që të mos premtojë mbylljen e shkollave të Gulen – ekstradimin e të cilit Turqia është duke e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës- Thaçi është shfaqur i drejtëpredrejtë me Kryeministrin e Turqisë Binali Yildirim.

“Çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë” ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi fton investitorët turq që t’i rrisin investimet në Kosovë

Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, presidenti Thaçi është nderuar edhe me titullin “Doctor Honoris Causa” në universitetin “TOBB”, si dhe ka vizituar Odën Tregtare të Ankarasë, ku ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Në takimin e organizuar nga Oda Tregtare e Ankarasë, që ka mbi 150 mijë anëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se investitorët nga Turqia kanë bërë disa prej investimeve më të rëndësishme në Kosovë.

“Këta kanë hapur rrugën edhe për investitorë dhe investime tjera”, është shprehur presidenti Thaçi.

Pasi ka treguar me shifra për nivelin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është “shtet i ri me potencial të madh” dhe ka shpalosur mundësitë për investime në bujqësi, energji, xehetari dhe sektorët e tjerë.

Në Universitetin për Ekonomi dhe Teknologji “TOBB”, presidenti Thaçi ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin për kontribut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të arritura në zhvillim ekonomik dhe social, për paqe në Ballkan, dialog mes komuniteteve dhe zhvillim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka arritur shumë prej se është shpallur shtet i pavarur.

“Ende nuk janë bërë as 9 vite që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është mirënjohje e sukseseve të Kosovës në reformat në ekonomi, në instalimin e ligjit e rendit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot është shembull i dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë.

u-006 u-001 u-002 u-003 o-01 o-02 o-03

Shqiptarja e shkolluar në Turqi, sot ka një punë në Durrës që do t’ju lërë pa fjalë

Ajo është 31 vjeçe dhe ka përfunduar studimet për Financë-Publike në Ankara. Pas tre vitesh si e punësuar në kompani të ndryshme private ajo zgjedh të ndryshojë tërësisht drejtim duke kaluar nga profesioni i financieres në atë të themelueses dhe drejtueses së një ferme me 250 kokë dhi.

Periskopi.com Lajme

Rruga për të nuk ka qenë e thjeshtë. Nëse shumë bashkëmoshatare të sajat e kalojnë ditën mesa kafeneve apo duke diskutuar për mundësit e pakta të punës, Ejona, e shtynë ditën mes dhive, duke i ushqyer dhe mjel ato. Edhe pse kur ishte e vogël mund t’i kenë thirrur “dhi” me përkëdheli, ajo kurrë nuk e kishte menduar që një ditë dot kishte një fermë të veten më këtë kafshë.

31-vjeçarja ka lindur në Tiranë, por fermën e saj e ka ngritur në Durrës ku edhe jeton për momentin. I duhet të jetë pranë punës. Refuzimet shpesh të bëjnë të provosh veten dhe aftësitë e tua, kjo i ka ndodhur edhe Ejonës, e cila sot është pronarja e 250 dhive…

“Pas studimeve në Turqi, u ktheve në Shqipëri në 2010, sigurisht nuk gjeta punë sapo u ktheva po kam filluar të punoj si ekonomiste e thjeshtë në disa firma private derisa arrita të bëhesha zëvendëse CEO në një firmë e cila merrej me shfrytëzimin e pasurive të nëntokësore në Shqipëri. Si fillim asgjë nuk e plotësonte ambicien time, por nuk refuzova të punoja fillimisht si ndihmës ekonomiste dhe të vazhdoja të fitoja eksperiencën e duhur gjate këtyre viteve. Çdo punë e kam bërë me pasion”-tregon Ejona për Dita-n.

Por edhe Zaimaj ka kaluar nëpër një situatë të ngjashme për shumëkënd që përfundon shkollën dhe përballet me tregun e punës.

“Gjetja e një pune ishte e vështirë dhe ka qenë me raste dhe demoralizuese. Kur u ktheva fillova të punoja përsëri me prindërit kjo gjë nuk më mundonte mua po më shumë mundonte ata. E kuptueshme.

Aplikoja pa fund dhe të dërgoja Cv dhe email-e në kompani apo shoqëri që kërkonin staf dhe nuk merrja asnjë përgjigje, qoftë dhe për arsyen e refuzimit nga punëkërkuesi, në momentet e dhënies së intervistës skualifikohesha pa ditur arsyen. Sapo ke dalë nga bankat e shkollës dhe një nga kriteret që kërkojnë është eskeperienca, madje merr edhe përgjigje të tilla si; je shumë e kualifikuar për këtë që po aplikon. Se sigurisht unë vija me një diplomë master shkencore në Financë-Publike dhe me një mesatare të konsiderueshme nga fakulteti. Gjithsesi durim, pasi asgjë nuk është e pa mundur.”

Ejona i beson asaj shprehjes që thotë se, jo çdo kush që të refuzon, të bën keq. Në rastin konkret kanë bërë shumë mirë. Madje e kanë shtyrë këtë vajzë të kërkojë më tepër nga vetja. Madje të ndërtoj diçka të sajën. Një punë, të cilën e menaxhon vetë.

“Pas 4 vjetësh punë, firma ku punoja filloj të tërhiqte investimet e saj nga Shqipëria dhe unë do ngelesha prape pa punë. Ishte momente ku duhet të bëja prapë një zgjidhje, ishte momenti ku kisha shumë kohë të lirë dhe nuk doja më të filloja aplikimet dhe të njëjtin rrugëtim që kisha bërë vite më parë. Shkaku ishte një lajmërim në gazetë mbi subvencionet që shteti shqiptar jepte në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Kështu që duke pasur dhe një mbështetje të konsiderueshme nga grandet e qeverisë, të Ministrisë së Bujqësisë pse jo mos merrja një sipërmarrje të tillë. Ishte koha e duhej”.

Ndoshta do ishte me e përshtatshme dhe e modës për një vajzë të re që të hapte një…linjë kozmetike, por jo, Ejona zgjodhi… dhinë Por ka nje arsye se përse e u pleks pas kësaj kafshe, në dukej të egër, por me plot të mira për njeriun.

“Sigurisht që e ka një shpjegim. Pasi bëra një studim fizibiliteti dhe studiova ligjet e BE-së për kriteret e ndërtimit të fermave blegtorale, vizitova dhe fermat në rajon u njoha me faktin që Shqipëria në rajon, për vetë klimën e saj, është konkurruese në blegtori me dhi. Ne kemi diku racat tona autoktone të dhive më tepër se në vendet fqinje. Gjithashtu dhe orientimi i tregut ishte kërkesa që kishin konsumatorët për nënproduktet e qumështit të dhisë. Kjo ishte arsyeja përse dhia”.

Përfitimet prej saj janë të shumta. Nuk mund të pretendosh që t’ia marrësh frytet që vitin e parë, por e ardhmja duket e begate.

“Përfitimet? Në aspektin ekonomik: qumështin, gjalpin, djathin, plehun, kecat të cilat sjellin një të ardhur të konsiderueshme, megjithëse si vitin e parë si çdo biznes dhe ky ka vështirësitë e tij. Në aspektin social unë kam të punësuar 4 persona të cilët vijnë nga një shtresë e varfër, por janë shumë punëtorë dhe kontribuoj direkt në rritjen e mirëqenies në këto familje. Unë tashmë kam mundësi të jap sugjerimet e mia për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori dhe të jem pjesë aktive në hartimet e legjislacioneve të ndryshme për formalizimin e këtij sektori. Përveç kësaj kënaqësia që merr në darkë pasi mbyll dritat e fundit në fermë është e pa krahasueshme”- rrëfen Ejona, pa mundur ta fsheh lumturin në sytë e saj.

Ferma ka një kapacitet të bollshëm prej 1800 kokë dhish, por momentalisht ajo ka 250, dhe pretendon që në fund të 2016 t’i çoj në 350. Ejona nuk e ka për turp të punojë në fermën e saj duke u kujdesur për dhitë.

“Merrem me mirëmbajtjen e tyre, me ushqimin e tyre. Kur ndonjë nga punëtorët ka probleme dhe nuk vjen në punë merrem dhe me mjeljen. Sigurisht me menaxhimin e fermës dhe punët administrative. Nuk është e lehtë, nuk do të demoralizohesh dhe duhet patjetër të ekonomizosh çdo gjë pasi janë gjë e gjallë që duhen të ushqehen njëlloj si ne. Tek unë alternohet puna në fermë me punën administrative”. Dhe në fund, një mesazh për bashkëmoshatarët e saj që nuk e kanë gjetur ende vetën në këtë vend i cili, sipas shumë syresh ofron pak mundësi për brezin e ri:

“Ne jetojmë në Shqipëri vend i cili të ofron shumë mundësi, mjafton të guxosh dhe të realizosh ato që ti dëshiron. Gjithmonë ka një derë hapur për ty.

Hoxhaj për investimet turke në Kosovë: Më shumë mit, se realitet

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova se investimet e Turqisë në Kosovë, por edhe në Ballkan, më shumë janë mite, sesa një realitet.

Periskopi.com Lajme

Porse, sipas Hoxhajt, Turqia padyshim është një nga aleatët e fuqishëm të Kosovës.

“BE është partneri ekonomik më i madh i Kosovës. Shërbimet më të mëdha i kemi nga BE-ja, por edhe donatori më i madh.  Pastaj, pos SHBA-së, Gjermania është donatori më i madh”, ka thënë Hoxhaj, duke mohuar se vec Turqia investon në Kosovë.

“Nëse hymë me statistika, investimi më i madh ka qenë nga Sllovenia, kur është blerë IPKO. Prandaj investimet turke në Kosovë dhe në Ballkan më shumë janë një lloj miti, sesa një realitet”.

“Ne jetojmë në një botë të ndërvarur dhe unë s’kisha pasur problem për investimet kineze, indiane e japoneze. Por, këtu po flitet për debat ideologjik bardhezi”.

Hoxhaj ka siguruar se Kosova po shkon drejt Bashkimit Europian dhe në asnjë drejtim tjetër.

“Sot Kosova politikisht dhe rajoni është diçka që i takon vetëm pjesës perëndimore dhe orientimi i jonë pro-anëtarësimit është rikthim politik në Europë, ku kemi qenë histrokisht. Por, ne si shtet i pavarur na duhen miq dhe partnerë dhe Turqia gjithmonë e ka përkrahur Kosovën”.

“Turqinë nuk e shoh në një raport bardhezi, dhe ne s’kemi nevojë të jemi mes Turqisë e BE-së. Turqia është partner i rëndësishëm i Kosovës dhe një vend aleat”, pohoi Hoxhaj.

Ambasada ruse në Tiranë nën shënjestrën e ISIS

Ambasada ruse në Tiranë është në listën e selive diplomatike që ISIS planifikon të sulmojë. Lista është publikuar nga vetë ISIS. Ambasada ruse në Tiranë është në krye të listës, siç shihet në foton më poshtë në lajmin e lapsi.al.

Periskopi.com Lajme

Publikimi ka për qëllim të nxisë sulme të ngjashme me atë ndaj ambasadorit rus në Turqi, i cili u vra nga një efektiv i policisë së Ankarasë gjatë një ekspozite pikturash.

Menjëherë pas sulmit, në Tiranë policia shtoi masat e sigurisë në ambasadën ruse.

Ajo po ruhet jo vetëm nga policë me uniformë, por edhe nga agjentë të antiterrorit. Ndërkohë që shërbimet e inteligjencës po mbajnë nën mbikëqyrje disa individë të veçantë, raporton lapsi.al.

Masat e sigurisë janë rritur edhe në disa seli të tjera diplomatike.

Evakuimet nga Aleppo përfundojnë nesër

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar sot se 37.500 civilë janë evakuuar nga lindja e Aleppos dhe se evakuimet synohet të përfundojnë nesër.

Periskopi.com Lajme

Këtë deklaratë Çavuşoğlu e ka bërë në llogarinë e tij zyrtare në Twitter. Ai ka nënvizuar se nga evakuimet të cilat kanë nisur më 15 dhjetor deri më tani janë nxjerrë nga lindja e Aleppos 37.500 civilë, raporton AA.

“Deri nesër synojmë që të përfundojnë të gjitha evakuimet”, është shprehur Çavuşoğlu.

Nga ana tjetër ditën e djeshme nisën evakuimet edhe nga rajonet Fua dhe Kefreja të cilat janë nën kontrollin e Hizbullahut.

Sipas marrëveshjes evakuimet nga lindja e Aleppos do të kryen në të njëjtën kohë me ato nga rajoni Fua dhe Kefreja. Marrëveshja mes palëve është garantuar nga Turqia dhe Rusia.

Turqit shesin masivisht dhe djegin dollarin pas thirrjeve të Presidentit Erdogan (Video)

Turqia është duke u përballuar më një dobësim të monedhës vendase pas paqëndrueshmërive politike si edhe futjes në luftë në frontin e Sirisë.

Periskopi.com Lajme

Ditët e fundit një euro u këmbye me 3.9 lira, kurse 1 dollar me mesatarisht 3.6 lira.

Ky ndryshim i fortë në kursin e këmbimit filloi të shkaktonte probleme të theksuara në ekonomine turke duke shtrenjtuar ndjeshëm importet, përcjell Albeu.com.

Përballë kësaj situate, Presidenti Erogan bëri një thirrje publike ndaj të gjithë atyre që kishin dollar në shtëpitë e tyre që t’i këmbenin me lira me qëllim forcimin e kësaj të fundit.

Fill pas kësaj thirrjeje, turqit mësynë nëpër pikat e këmbimit të valutës duke blerë lira, ç’ka ka ndikuar në kursin e këmbimit duke e zbritur atë në 1 dollar/ 3.4 lira.

Madje, pati edhe prej atyre që filluan të djegin monedhën amerikane me mendimin se ishin bankat e huaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po e shkaktonin këtë situatë në Turqi.

 

 

Erdogan: Turqia më nuk ka durim të vrapojë pas Evropës

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sot deklaroi se kur Bashkimi Evropian do t’i përmbushë premtimet për liberalizimin e vizave dhe ndihmë humanitare dhe kur do të hapë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim, Turqia madje atëherë do të tregojë vullnet të mirë nga ana e saj.

Periskopi.com Lajme

Erdogani, i cili foli para një grupi liderësh lokalë në pallatin presidencial në Ankara, theksoi se Turqia më nuk ka durim dhe energji të vrapojë pas Evropës.

Ai gjithashtu deklaroi se Ankaraja dëshiron të zhvillojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Rusinë, Iranin, Kinën dhe vendet nga Azia Qendrore në nivel më të lartë.

Ai shtoi se megjithatë marrëdhëniet e mira me Lindjen, nuk janë alternativë në marrëdhëniet me Perëndimin dhe e kundërta.

Arrestohet personi që xhiroi një tjetër teksa hiqte flamurin turk në Prizren (Video)

Sektori i hetimeve të stacionit policor në Prizren, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarin P.B i cili ka postuar në rrjetet sociale një incizim ku shihet një person duke heq flamurin turk nga një shtyllë ku ishte i vendosur në kuadër të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë.

Periskopi.com Lajme

Një i dyshuar e heq flamurin turk kurse dëgjohet një zë duke e përkrahur veprimin, raporton Periskopi

Pasi që postimi është bërë nga i dyshuari në rrjetet sociale i njëjti është sjell në stacion dhe nga ai është marrë një deklaratë ku ai e mohon që t`a ketë hequr flamurin kurse e pranon postimin e bërë me telefonin e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Shtetit dhe në konsultim me të, i dyshuari P.B ndalet në ndalim policor për 48 orë. / Periskopi

Qytetarët heqin flamujt e Turqisë në Prizren (Video)

Presidenti Thaçi dënoi sulmin kundër Konsullatës turke në Prizren

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar sulmin e Konsullatës turke në Prizren dhe ka uruar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe kapjen e të dyshuarve.

Periskopi.com Lajme

“E dënoj ashpër sulmin kundër Konsullatës turke në Prizren”, është shprehur Presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka lavdëruar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe identifikimin dhe ndalimin e të dyshuarve për këtë rast.

“I përgëzoj organet e rendit për reagim të shpejtë dhe të suksesshëm. Çështja tani është në duart e drejtësisë ”, ka përfunduar Presidenti Thaçi.

Qeveria dënon sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, të kryer nga persona të pandërgjegjshëm gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Periskopi.com Lajme

Qeveria konsideron se veprime të tilla të shëmtuara, në radhë të parë kanë për synim që të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe të lëndojnë miqësinë e saj me shtetet partnere.

Duke vlerësuar punën e organeve të rendit dhe të drejtësisë në arrestimin e kryesve të këtij akti të ulët, Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin plotësisht motivet, të vënë kryesit e saj para drejtësisë si dhe të ndërmarrin masa që akte të tilla të mos përsëriten më.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve miqësore me Republikën e Turqisë.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit arsyeton vendosjen e flamurit turk

Fotografi të flamujve të Turqisë të vendosur në qytetin e Prizrenit më 27 nëntor kanë vërshuar gjithandej nëpër internet. E një ditë më pas, sot, 28 nëntor, ndodhi edhe një sulm në objektin e Konsullatës së Turqisë në Prizren. Krejt kjo si pakënaqësi për vendosjen e flamujve.

Teuta GASHI Lajme

Por, Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit për Periskopi.com jep një arsyetim për këtë.

Ai thotë se që nga paslufta në Komunën e Prizrenit është një Komision i cili vendos për vendosjen e flamujve gjatë festave, e që sipas tij, gjithmonë ka edhe flamuj të shteteve të tjera.

Berisha për Periskopi.com thotë se vendosën flamuj të shteteve mike që ndihmuan pavarësinë e Kosovës.

“Që nga paslufta ne vendosim edhe flamuj të shteteve të tjera. Turqisë, Amerikës, Britanisë dhe eventualisht shteteve që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës. Kësaj radhe përveç këtyre, ka pasur edhe flamuj të shtetit gjerman, meqë KFOR-i gjerman është i vendosur në Prizren” tha ai.

Berisha shpjegon se si vendosja e flamujve nuk ka të bëjë me lidershipin e Komunës së Prizrenit, por që Komisioni teknik vendos për ta.

“Në Prizren kanë qenë të vendosur tre flamuj të shtetit turk, pesë amerikan, pesë britanik, pesë gjerman, krahas atyre kombëtar për festën e 28 nëntorit”, tha Berisha për periskopin.

Sa i përket fotografive që u shpërndanë gjithandej dhe reagimeve të qytetarëve ai thotë se është veprim dhe zgjedhje e paqëndrueshme e atyre që zgjodhën të fotografohen vetëm para atyre tre flamujve të Turqisë.

Berisha e konfirmon se pati një sulm te Konsullata e Turqisë në këtë qytet, por thotë se me pjesën tjetër po merret Policia.

“As që e kemi diskuar çështjen e reagimeve të disa personave në lidhje me vendosjen e flamujve. Nuk është çështje që meriton vëmendje. Ne, festojmë bashkë me të gjithë miqtë që kanë ndihmuar pavarësinë e Republikë së Kosovës”, thotë Berisha.

I pyetur se sa për qind e banorëve në Prizren janë të komuniteti turk, tha se janë diku rreth 5 %, por që sipas tij, vendosja e flamujve nuk ka të bëjë me numrin e banorëve të këtij komuniteti./ Periskopi

Ymer Berisha

Sulm me lëndë djegëse në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren (Foto)

Objekti në të cilën është e vendosur Konsullata e Përgjithshme e Turqisë në Prizren është sulmuar të hënën në orët e hershme të mëngjesit me lëndë djegëse, që fillimisht dyshohet të jetë koktej molotovi.

Periskopi.com Lajme

Si pasojë e sulmit objekti ka pësuar dëme të vogla materiale, përkatësisht janë thyer xhamat e një dritareje, njofton “Koha Ditore”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 4 të mëngjesit. “Objekti i Konsullatës së Turqisë në Prizren është sulmuar, me ç’rast janë shkaktuar dëme të vogla materiale dhe nuk ka persona të lënduar. Hetuesit e forenzikës kanë dalë në vendngjarje, kanë grumbulluar prova dhe ekspertiza do të përcaktojë se me ç ka është sulmuar ky objekt”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me hetimin e rastit dhe si pasojë e tyre tashmë janë ndaluar pesë persona të dyshimtë për këtë rast. “Pesë persona janë duke u intervistuar në Policinë rajonale të Prizrenit”, ka deklaruar ai, duke shtuar se hetimet janë në vijim e sipër për zbardhjen e këtij rasti.

20161128120701124

Në Prizren krah flamurit shqiptar edhe ai turk, qytetarët të pakënaqur

Në Prizren flamuri i Shqipërisë dhe ai i Turqisë janë vendosur krah njëri tjetrit.

Periskopi.com Lajme

Vendosja e tyre nga Komuna e Prizrenit për nder të 28 nëntorit nuk po pëlqehet nga qytetarët pasi Shqipëria ishte e pushtuar pikërisht nga perandoria osmane.

Për qytetarët secili flamur duhet të valëvitet në vendin e vet.

Të pakënaqur me këtë veprim ka edhe prej atyre që erdhën nga Shqipëria në Kosovë për këtë 28 nëntor.

Përveç flamurit të shtetit turk, në Prizren janë vendosur edhe disa flamuj të shteteve mike të Kosovës.

Prandaj, edhe zëdhënësi i kësaj Komune, Ymer Berisha, i tha Klanit që Komisioni përgjegjës ka marrë vendim që të vendosen flamujt për nder të miqësisë ndaj shteteve.

Ai ka shtuar se edhe pse dikur ishin armiq, tani Turqia dhe Kosova kanë miqësi të mirë mes vete.