Trajneri i Prishtinës shqelmon fëmijën 14 vjeç

Periskopi.com Sporti

Ndeshja e Ligës Rajonale të Prishtinës në futboll, ndërmjet ekipeve të grupmoshës 15-vjeçare “2 korriku” dhe FC Prishtina, të shtunën përfundoi me sulmin e trajnerit Ali Osmani ndaj lojtarit 14-vjeçar të “2 Korrikut”, L.B.

Trajneri i “2 Korrikut”, Mustafë Pronaj, tha për Insajderin se pas rezultatit 1:1, lojtarët ishin përleshur me njëri tjetrit kurse Ali Osmani e ka sulmuar me këmbë në gjoks lojtarin e tij, i cili  ka qenë i shtrirë për toke.

Sipas Pronajt, lojtari 14-vjeçar kishte mbetur për disa minuta pa ndjenja, ndërsa ka kërkuar ndihmë në QKUK.

“Lojtari jonë pasi është sulmu me këmbë në gjoks nga trajneri Ali Osmani ka pasur probleme me frymëmarrje dhe nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë në këmbë, derisa ka kërkuar ndihmë në QKUK”, tha ai.

Trajneri i skuadrës U-15 të “2 Korrikut” konfirmon se gjendja mjekësore e 14-vjeçarit është e mirë, tashmë.

“Tash gjendja shëndetësore e lojtarit është e mirë, pasi fatmirësisht nuk ka pasur të thyer asgjë”, tha Pronaj.

E trajneri i Prishtinës U-15, Ali Osmani, i cili akuzohet se sulmoi 14-vjeçarin, në një prononcim për Insajderin ka pohuar sulmin ndaj L.B. Ka thënë se nuk e ka pasur ndonjë qëllim të keq ndaj 14-vjeçarit.

“Unë e kam shkelë atë fëmijën, nuk e mohojë atë që e kam shkelë me qëllim, por në atë moment kam rrëshqit duke i ngreh fëmijët dhe e kam qit pak kamën kështu. Po jo edhe ashtu që e kam lënë pa ndjenja, sepse ai djali ka qenë shtrirë kur kam hyrë unë aty”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, gjatë përleshjes mes futbollistëve të mitur të “2 Korrikut” dhe Prishtinës, L.B kishte qenë i shtrirë në momentin që ai kishte mbërritur në turmën me futbollistë.

“E kam cekur edhe tek kryetari i tyre. Faktikisht e kam shkelur atë fëmijën pak. Momentin që kam hi ai fëmija ka qenë shtritë. Edhe i kam ndarë fëmijët se kanë qenë duke sjellë në të. E unë e kam qëllimin me familjen e fëmijës më u pajtu e me i kry disa hesape”, ka thënë Osmani.

Trajneri i Shkollës së Futbollit Prishtina ka mohuar ta ketë lënë pa ndjenja 14-vjeçarin e skuadrës kundërshtare.

“Nuk është e vërtetë. Djali është çu në këmbë ka ecë, normal. Unë do të ulem do të diskutojë me familjen e djalit, dhe do të dalë me një komunikatë”, ka treguar Osmani.

Me rregullat e futbollit, trajnerit të një skuadre futbolli nuk i lejohet të futet brenda fushave të lojës. Por, Osmani ka thyer edhe këtë rregull për t’u përfshirë në përleshje.

E trajneri i “2 Korrikut” U-15, Mustafë Pronaj tha se lidhur me këtë rast është duke përgatitur raportin që do ta dorëzojë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Edhe policia e Kosovës është njoftuar me këtë rast.

“Në Pranverë, Çiro Bllazheviq mund të jetë përzgjedhës i Kosovës”

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Predrag Joviq, ka shprehur dëshirën që legjendën e futbollit kroat, Çiro Bllazheviq, ta sjell sërish në Kosovë.

Periskopi.com Sporti

Por, kësaj radhe jo që ta drejtojë KF Prishtinën, por pikërisht përfaqësuesen e Kosovës, e cila u mposht të enjten në Shkodër nga Kroacia me rezultat të thellë, 6:0.

Duke biseduar për mediumin kroat, “Jutarnji”, transmeton Koha.net, Joviq ka lavdëruar skuadrën kroate duke thënë se ata kanë një trajner cilësor, ndërsa Kosovës i mungon një i tillë, ndonëse tha se Albert Bunjaki është trajner me perspektivë.

“Shikoni, ju keni një trajner shumë cilësor, e neve na mungon një i tillë. Bunajki është premtues, por ne gabuam me formacionin qysh në fillim të ndeshjes. Dua ta sjellim Çiro Bllazheviqin. E kujtoj shumë mirë kur ishte trajner i Prishtinës. Ashtu siç edhe është Çiro, mësues i mirë, autoritar, ashtu edhe ka punuar, nuk ka lënë anash asnjë detaj. Na nevojitet një përzgjedhës i tillë, na nevojitet Çira. Veçse kam biseduar për këtë çështje me Fadil Vokrrin, dhe do të bisedojmë sërish. Unë mendoj se nga pranvera e vitit të ardhshëm, Çiro do të mund të ishte përzgjedhës i Kosovës”, ka thënë Joviq për “Jutarnji”, transmeton Koha.net.

Por, ndonëse mediumi kroat ia kujton atij se Bllazheviq aktualisht është 81 vjeç, nënkryetari i FFK-së, Joviq ka thënë se kjo pak ka rëndësi, pasi që “Çiro është lider dhe me përvojë të lartë”.

Për sa i përket përfaqësueses kroate, Joviq ka folur në pietet, duke e cilësuar si më të mirën në Evropë.