tifozja

Humbi ndjenjat, tifozja e Partizanit tregon momentet e tmerrit në spital (FOTO)

Trevisa Tufa, mbrëmjen e djeshme humbi ndjenjat dje në stadiumin e Elbasanit. Nuk ka mjaftuar vetëm tensioni që shkaktuan forcat e policisë në stadium, por më pas e kanë “terrorizuar” sërish në ambientet e spitalit, ndërkohë që ajo ende nuk e kishte marrë veten mirë.

Periskopi.com Sporti

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ajo rrëfen incidentin dhe më pas orët e sikletshme që iu desh të kalonte në spital. “Më vjen keq ta them, por policët më sëmurën më tepër në spital, sesa vetë incidenti që përjetova në stadium”, tregon tifozja e Partizanit.

“Pashë tifozë që ishin duke u ngjeshur drejt radhëve tona. Nuk e kuptova se përse një moment policët hynë brenda në stadium dhe nisën të ushtronin dhunë. Në fillim as që arrita ta kuptoj se çfarë po ndodhte, sepse shikoja vetëm tifozë që vinin drejt nesh.

Unë isha me babanë në krah dhe për një moment u merakosa edhe për të. Humbja e ndjenjave? Nuk e di nëse kjo më ndodhi prej shqetësimit apo sikletit që përjetova, apo se dikush më goditi. Nuk mbaj mend asgjë të them të drejtën”, tregon tifozja e Partizanit.

Trevisa më tej në intervistën e saj tregon se ka përjetuar momente të vështira edhe në spital nga forcat policiore.

“Sapo nisa të marr veten dhe të kuptoja pak nga pak se çfarë kishte ndodhur. Por nuk zgjati shumë dhe erdhën policët duke ngritur zërin e duke bërtitur në kupë të qiellit. Aty u sëmura më keq pastaj.

Nisën të debatojnë me babanë tim. Ai po u thoshte se si ka mundësi që policia sillet kaq keq në stadium, por ata nisën t’i hakërrehen dhe të ngrenë zërin”, përfundoi intervistën e saj tifozja e zjarrtë e të kuqve.