Kuvendi i Kosoves

Institucionet e Kosovës më të rrezikuara nga sulmet terroriste

Kosova është e rrezikuar nga sulmet e mundshme terroriste, por ka një vigjilencë të madhe të organeve të rendit për parandaluar akte të mundshme terroriste dhe nuk ka vend për panik, thonë ekspertë të sigurisë.

Periskopi.com Lajme

Sipas tyre, Kosova, në këtë fazë, ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, si dhe për aktet konkrete të mundshme terroriste.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, drejtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, thekson se Kosova është një territor i vogël dhe numri i qytetarëve që kanë shkuar në Siri dhe Irak apo individë që bashkëpunojnë më këto grupe është i menxhueshëm, në kuptimin e sigurisë.

“Rreziku ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë. Nuk është fjala për ndonjë sulm të barabartë apo ngjashëm që kemi parë në Evropë, por sidoqoftë ka tendenca për sulme të caktuara, mbase ndaj institucioneve të vendit dhe ndaj akterëve të caktuar. Pra, mendoj që rreziku ekziston, por nuk ka nevojë për panik dhe hapësirë për panik, pasi që ka një vigjilencë të madhe të organeve të rendit”, thotë Qehaja.

Që nga rasti i parë i shkuarjes së shqiptarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, e deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë.

Aktualisht, rreth 70 qytetarë nga Kosova, vlerësohet se ndodhen në këto vende, ndërkohë që nga viti 2013, Policia e Kosovës ka hapur hetime për mbi 200 persona. Sipas shënimeve zyrtare, janë arrestuar 119 persona dhe deri tash janë dënuar 35 prej tyre.

Profesori i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreziku më i madh në Kosovë është nga përhapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

“Kosova, sikurse rajoni i Ballkanit, ka nivel mbi mestar të rrezikimit nga terrorizimi, por mbi të gjitha ka nivel mbi mestar të rrezikimit nga përhapja e ideologjisë të ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe kjo është faza në të cilën edhe më tutje rajoni, duke përfshirë edhe Kosovën, është duke u rrezikuar më së shumti. Kjo pastaj mund të rris nivelin për akte konkrete terroriste”, thotë Ramadani.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë së fundit kanë arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon.

Cak i këtyre sulmeve të planifikuara, sipas Policisë, ishin edhe tifozët dhe përfaqësuesja e Izraelit në futboll, e cila zhvilloi ndeshje me Shqipërinë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë realizimit të disa operacioneve policore gjatë ditëve të fundit, ka arrestuar 19 persona të dyshuar, 18 prej tyre shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë. Ky grup, sipas policisë, u përpoq të funksionojë mbi bazën e urdhrave të Lavdërim Muhaxherit, i kërkuar si terroristi kryesor nga Kosova që lufton në krah të organizatës së shpallur terroriste ISIS.

Eksperti i sigurisë, Florian Qehaja, vlerëson se ky bashkëpunim që autoritetet e sigurisë kanë me vendet e rajonit dhe më gjerë, rrit nivelin e sigurisë nga sulmet e mundshme terroriste.

“Bashkëpunimi i inteligjencës është në funksion të parandalimit të ekstremizmit. Në të kaluarën ka pasur shumë hapësirë që të tjerët nuk kanë bashkëpunuar me Kosovën, prandaj kemi pasur edhe raste më shumë të rekrutimeve, kurse tash ka një vetëdijesim të shteteve që të bashkëpunojnë më shumë me Kosovën dhe si rrjedhojë ka pasur sukses në këtë drejtim”, thotë Qehaja.

Veprimet e Policisë së Kosovë dhe mekanizmave tjerë të rendit, edhe njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani i quan veprime të duhura.

“Institucionet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit kanë marrë veprime të duhura deri më tani, por në të njëjtën kohë institucionet e sigurisë duhet të njoftojnë publikun për rreziqet, sikurse edhe për veprimet e tyre dhe duhet të qartësojnë nivelin e bashkëpunimit në rajon dhe në botë, pasi që nuk mund të parandalohen aktet terroriste nëse nuk ka bashkëpunim të Kosovës me vendet e rajonit dhe më gjerë”, shton Ramadani.

Autoritetet në Kosovë vlerësojnë se kanë shënuar përparime të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe Ligjin që ua ndalon “qytetarëve të Kosovës bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie”. (REL)