Anton Berisha

Ish-kreu i ART-së thotë se Edita Tahiri po e përfaqëson interesin e Serbisë

Ish-shefi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Anton Berisha, ka hedhur kritika të mëdha në adresë të Qeverisë Mustafa, sa i përket bisedimeve për kodin telefonik të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

“Kjo qeveri, me këtë zonjën Edita Tahiri, de fakto i ka shndërruar bisedimet Kosovë-Serbi në bisedime Serbi-Serbi, sepse pala kosovare është përfaqësuese e interesit të Serbisë e kjo marrëveshje (kodit telefonik) nuk i jep asnjë dobi Kosovës”, ka thënë Berisha në Tribuna Channel.

Sipas tij, pala kosovare në Bruksel ka bërë një marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës dhe në dëm të infrastrukturës telekomunikuese të Kosovës, pasi që ajo i ka legalizuar uzurpimet që kanë ndodhur në pjesën veriore – si bashkëngjitje e telekomit serb.

Berisha e ka quajtur mashtruese të vazhdueshme ministren e dialogut Edita Tahirin.

“Po me vjen keq më përdor fjalorin e merituar për këtë, por nuk mund t’i ikim fjalës mashtruese. Ajo është shndërruar në një mashtruese të opinionit publik dhe ka marr për detyrë mashtrimin e vazhdueshëm”, ka deklaruar Berisha.

Madje ai thotë se kjo ministre po i përfaqëson interesat e Serbisë në dialog.

“Ministre e përfaqësimit të interesave të Serbisë. Kjo qeveri në masë të madhe të gjitha marrëveshjet e periudhës së fundit i ka nënshkruar në favor të Serbisë”, ka thënë ish kreu i ART-së.