Targa prej letre

Monopol në MPB – marrëveshjen për targat nuk e kanë parë as disa nga zyrtarët me të lartë të saj

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka hapur ende një tender për targat e makinave me regjistrim të Kosovës, e cila do të mundësonte fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel për qarkullimin e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Periskopi.com Lajme

E, këtë marrëveshje, madje nuk e kanë parë as zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa ka thënë se kjo marrëveshje nuk është diskutuar në kabinet, dhe sipas tij, për këtë duhet të kërkojë përgjegjësi edhe kryeministri – shkruan Gazeta Monitor.

“Sa i përket rastit në fjalë, e them me përgjegjësi të plotë se pjesa më e madhe e kabinetit asnjëherë nuk e kemi parë Marrëveshjen për Targat”, ka thënë Nehat Mustafa.

Sipas Mustafës, brenda MPB-së është krijuar një monopol mbi informacionet nga grupe të caktuara, duke shtuar se informacionet asnjëherë nuk shpërndahen tek të gjithë.

“Fatkeqësisht, mënyra e raportimit  dhe debatimit brenda MPB-së është në nivel jo të kënaqshëm, ku grupe të caktuara mbajnë si monopol ekskluziv të tyre informacionet që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme”, ka shtuar zëvendësministri Mustafa.

Madje, sipas Mustafës, meqë kjo marrëveshje nuk është përcjellur zyrtarisht, tregon edhe për gjendjen e llogaridhënies në këtë ministri.

“Nuk na është përcjellur zyrtarisht , ashtu siç edhe e do rendi. Prandaj, unë as nuk mund të them se është apo nuk është pjesë e përgjegjësisë së MPB-së apo e Ministrisë për Dialog. Kjo është edhe një dëshmi se llogaridhënia në institucionet tona qeveritare është pika më e dobët”, ka thënë ai.

Bile, për Mustafën, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, llogaridhënia nuk ekziston fare.

“Në MPB pothuajse nuk ekziston fare”, ka përfunduar Nehat Mustafa, zëvendësministër në MPB.

Tutje, zëvendësministri Mustafa ua ka bërë me dije udhëheqësve të MPB-së se ai aty përfaqëson partinë më të madhe në vend, dhe se nuk pranon të jetë dekor i grupeve të interesit nga jashtë ministrisë

“Askush nuk duhet ta harroj se unë në MPB përfaqësoj partinë më të madhe politike në vend ,  Partinë Demokratike të Kosovës  dhe rrjedhimisht nuk do të lejoj që të jem dekor I grupeve të ndryshme të interest brenda dhe jasht ministrisë”, ka thënë për fund, Mustafa.

 

 

auto-kufiri-kolonat1431638931

Kthehen mbrapsht kosovarët që nuk kanë autorizimet e veturave në serbisht

Policia e Serbisë po kthen qytetarët e Kosovës të cilët me vetura po mësyjnë shtetin fqinjë e që nuk kanë autorizimet për ngasjen e veturave të përkthyera në gjuhën serbe. Noterët po detyrohen që shqiptarëve që synojnë të shkojnë në Serbi t'iu shkruajnë autorizimet edhe në serbisht

Periskopi.com Lajme

Ai ka bërë 75 kilometra deri në pikën kufitare të Depcës.

Por, ndonëse kishte të gjitha dokumentet e nevojshme për të kaluar me veturën e të vëllait të tij në Serbi, Flamur Ejupi nuk ka arritur të kalojë kufirin me veturë.

Autorizimin që kishte marrë tek një noter në Prishtinë për të ngarë veturën që kishte në emrin e vëllait e kishte vetëm në gjuhën shqipe, që nuk është pranuar nga policët kufitarë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“E kalova kufirin e Kosovës mirëpo sapo arrita në anën serbe më urdhëruan se duhet të kthehem apo të kaloj pa veturë, pasi autorizimin e kisha vetëm në gjuhën shqipe. Vetura është e regjistruar në emrin e vëllait tim dhe për ta ishte e papranueshme që ishte vetëm në gjuhën shqipe”, thotë Ejupi.

Dy orë në kufi “sherri” i autorizimit shqip

Ai ka thënë se ka pritur rreth dy orë në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, derisa një familjar i bashkëshortes së tij ka shkuar nga Presheva për ta marrë me veturë të regjistruar në Serbi.

“Një person tjetër u kthye mbrapsht pasi edhe ai kishte të njëjtin problem”, tregon burri rreth 40 vjeç.

Ai ka thënë se vendi ku kanë pritur ishte shumë i bezdisshëm.

“Dy orë aty me fëmijë. Ata nuk rrinin. Kur dilnin nga vetura ishte shumë ftohtë”, thotë Ejupi për “Zërin”.

Sipas tij, gjithë këto lojëra po bëhen nga ana e Serbisë, pasi pala kosovare nuk është treguar syçelë për të siguruar materiale të nevojshme siç është letërngjitësi që do të mundësonte respektimin e Marrëveshjes për qarkullimin e lirë për dy palët.

Edita Tahiri ne Bruksel

Pavarësisht bisedimeve në Bruksel, ende do përdoren targat KS

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi trilateral për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 14 shtator 2016 e cila parasheh reciprocitet në tabelat e veturave në mes të dy shteteve.

Periskopi.com Lajme

Në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, prezantoi progresin në përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në kuadër të lëvizjes së lirë, e cila do të heqë nga përdorimi tabelat ‘prova’ të cilat njëanshëm janë aplikuar nga ana e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Delegacioni konfirmoi se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, si Ministria për Dialog, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, etj janë duke punuar intensivisht për t’i realizuar obligimet zbatuese në raport me këtë marrëveshje.

Edhe pala serbe konfirmoi gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjes si dhe paraqiti progresin në procesin përgatitor për implementim, raporton Perskopi

Pas diskutimeve rreth pajisjes së veturave me letër ngjitëse që do të vlejnë për të dyja palët, BE-ja kërkoi që të dyja shtetet të marrin përsipër që pajisja e veturave me letër ngjitëse të bëhet pa pagesë e cila nënkupton se qeveritë e të dyja shteteve duhet t’i marrin përsipër shpenzimet për prodhimin e tyre.

Po ashtu u caktuan edhe specifikat e letër ngjitësve dhe modalitetet e zbatimit të këtij dakordimi.

Në këtë takim po ashtu u fol edhe për zbatimin e heqjes së targave ilegale që ende në disa raste përdoren nga qytetarët në komunat veriore të Kosovës. Të gjithë u pajtuan që kjo të shoqërohet nga një fushatë informuese e cila do të fillojë këtë vit, si dhe për të stimuluar këtë proces do të vazhdohet validiteti i targave KS.

Në këtë takim, delegacioni i Kosovës raportoi për progresin që është bërë për hapjen e zyrave të regjistrimit civil dhe gjendjes civile në katër komunat veriore, ku u theksua se procesi i rekrutimit, integrimit, trajnimit si dhe i krijimit të hapësirave të punës ka shënuar progres dhe se hapja e këtyre zyrave do të ndodhë gjatë muajit nëntor. Këto zyra të Qeverisë së Kosovës do të pajisin qytetarët me dokumentet e shtetësisë së Kosovës dhe të gjendjes civile.

Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Dren Zeka koordinator i çështjes, Elona Cecelia koordinatore për çështjen e zyrave, Qemajl Marmullakaj drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Shaban Guda nga Policia e Kosovës dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel./ Periskopi