Johanes Hahn

Liderët e subjekteve politike nesër ulen në një tavolinë, jo te Thaçi

Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Këtë vizitë ai do ta përmbyll me një takim me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e me të gjithë liderët e partive politike të Kosovës, për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike në vend. Opozita ka deklaruar se do të jetë pjesë e këtij takimi.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri, do të jetë pjesë e takimit me komisionerin Hahn.

Ngjashëm si Ymeri, prezent në këtë takim do të jetë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Këtë e ka konfirmuar anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

E, për dallim nga Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga Nisma për Kosovën në këtë takim nuk do të jetë i pranishëm lideri i subjektit, Fatmir Limaj.

Endrit Shala nga Nisma ka thënë për Telegrafin se Jakup Krasniqi do të jetë pjesë e këtij takimi, pasi të tjerët janë të zënë me fushatën zgjedhore në Drenas.

Vlen të theksohet se kjo është vizita e parë në rajon e komisionerit Hahn, pas miratimit të Pakos për Zgjerim. Vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane.