Mitro

Strukturat paralele serbe, pengesë e madhe për Kosovën

Ndonëse po bëhen gati nëntë vjet që kur u shpall pavarësia e Kosovës, Prishtina zyrtare ende nuk ka arritur ta shtrijë në tërësi autoritetin shtetëror në veri.

Periskopi.com Lajme

 

Funksionimi i strukturave paralele të themeluara nga Beogradi zyrtar që nga paslufta, si dhe tendenca e kundërshtimit nga ana e banorëve serbë të asaj pjese ndaj këtij autoriteti shtetëror, është pengesë e madhe që po i bëhet shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, pas interpelancës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se njëra nga sfidat më të madha mbetet vendosja e normalitetit në veri. Ai duke folur para deputetëve për gjendjen në veri, tha se ndërhyrja e Serbisë nga strukturat paralele është akoma evidente, por që qeveria po punon në këtë drejtim. “Si qeveri po punojmë në bashkëpunim me përfaqësuesit serbë në kuvend dhe qeveri, si dhe me kryetarët e komunave të komunitetit serb, për të zgjidhur problemet e mbetura atje, përfshirë këtu edhe shuarjen e strukturave paralele të cilat në rend të parë po i pengojnë këto komuna në funksionimin e tyre”, ka thënë Mustafa

Analisti Nexhmedin Spahiu, theksoi se përkundër dialogut dhe bisedimeve të vazhdueshme, asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket strukturave paralele në veri.Ai e ka quajtur jo serioz delegacionin kosovar në bisedime, duke thënë se mekanizmat shtetëror të Kosovës duhet të jenë garanci të marrëveshjeve të arritura, e jo strukturat paralele.  “Po natyrisht, strukturat paralele funksionojnë në veri, asgjë nuk ka ndodhur përkundër dialogut, fjalëve se nuk funksionojnë më, në fakt ato funksionojnë…Delegacioni i Prishtinës është tepër joserioz, është aq joserioz sa njerëzve nuk ua merr mendja …kur bëhet një marrëveshje… mekanizmat shtetëror të Kosovës duhet të jenë garanci dhe jo strukturat paralele që janë garanci për implementimin e marrëveshjes”, tha Spahiu. Elfije Boletini, gazetare, ka bërë të ditur për KosovaPress se strukturat paralele serbe i gjejmë jo vetëm në veri, por gjithandej Kosovës.Madje, shtoi ajo, ato janë prezente edhe në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës. Në anën tjetër, analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, tha se qytetarët në veri nuk i konsiderojnë si struktura paralele funksionimin e institucioneve të shëndetësisë, arsimit dhe të tjerave sipas sistemit të Republikës së Serbisë. Sipas tij, institucione të tilla nuk funksionojnë vetëm në veri, por gjithandej Kosovës, si në Graçanicë, Shtërpcë dhe vende tjera. Ai ka potencuar se për gjithçka që ndërlidhet me Kosovën, veçanërisht veriun, zgjidhjen duhet kërkuar në radhë të parë në Beograd. Tvërdishiq në krejt këtë situatë e sheh problematike faktin që njerëzit të cilët punojnë në këto institucione dhe janë në listën e pagave të Serbisë, në të njëjtën kohë marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës./KosovaPress/