Sislej Xhafa

Vendi ku kam lindë është një pasuri, nuk mund të definohet me dy fjalë

Sislej Xhafa, artisti shqiptar që po fascinon botën me artin e tij, së fundi ka gjetur kohë të jetë pjesë e jurisë së edicionit të parë të ekspozitës “AR”, të organizuar nga Galeria Kombëtare të Kosovës. Përderisa në të njëjtën mbrëmje ishte hapur një ekspozitë me punën e tij në Stamboll të Turqisë, ai kishte zgjedhur të vinte në Kosovë, që t’iu jepte zemër të rinjve. “Në këto ftesa, si artist nuk guxon të mungosh” ka thënë mes tjerash Sislej Xhafa në një intervistë për KultPlus, i cili ka folur edhe për rëndësinë e rikthimit të tij në vendlindje, sipas të cilit, merr edhe një pasuri shpirtërore.

Adianë Pajaziti Intervista

KultPlus: Këpucë, karroca, frigorifer, cigare…, janë vetëm disa pjesë nga prezantimet e tua nëpërmjet artit bashkëkohor, dhe të cilat janë prezantuar në shumë galeri prestigjioze të botës, në dukje të parë të duken të thjeshta por zbërthimi i tyre shkon përtej saj, pse kjo ndalesë në këto detaje?

Sislej Xhafa: Për mua realiteti është më i fortë se sa arti, sa i përket angazhimit tim estetik në raport me realitetin, është shumë më i rëndësishëm ndriçimi i jetës së përditshme, sigurisht në një formë dhe në një dimension tjetër të përdorimit. Po mundohem , sepse nuk mendoj rreth qëllimit, cakut, besoj më shumë në përvojën personale në raport me materialin.

KultPlus: Dhe përgjatë këtyre eksperiencave, sa të shërben kultura ballkanike, apo edhe më ngushtë ajo e Kosovës, që të jesh më i veçantë në paraqitjet e tua?

Sislej Xhafa: Unë nuk besoj se në aspektin lokal të mendimit duhet të stereotipojmë, në aspektin lokal të mendimit, edhe pse vendi ku kemi lindur është i shenjtë. Përvoja me vendin ku kemi lindë, është një përvojë që nuk kam dëshirë ta keqpërdor apo ta abuzoj, kam dëshirë që të shkoj më tutje se sa në aspektin gjeografik, posaçërisht ne ku kemi lindë, në një vend i cili është një pasuri që nuk mund të definohet me dy fjalë. Si individ që angazhohem në artin bashkëkohorë, ndjenjat e mia dua ti ndaj në përgjithësi në botë, pavarësisht vendit, ku pavetëdijshëm është e inkorporuar me ndjenjën.

KultPlus: A mendoni se është edhe një trend i artistëve që të kthehen te rrënjët, që më pas ta kombinojnë me artin bashkëkohorë, apo është më shumë si një natyrë individuale?

Sislej Xhafa: Unë nuk di çka është trend, unë nuk di nëse më pyet për muzikë se çfarë dëgjohet, apo se çfarë vishet. Nëse eskzitojnë trendet, unë nuk jam aspak i vetëdijshëm për këtë, sepse trendet vijnë e shkojnë, roli i veprës se artit është një angazhim që e shpik kohën e vetë dhe nuk e posedon.

KultPlus: Mirëpo, jo gjithherë arti bashkëkohorë është i kapshëm për të gjithë, si e shpjegoni këtë, një mundësi më e madhe drejt shpjegimit të ndjenjave, por që i adresohet një rrethi të caktuar të njerëzve?

Sislej Xhafa: Nuk është me rëndësi a është një performancë, video apo instalacion, është gjithmonë një përvojë personale, ajo përvojë që shkon deri në një ndjeshmëri që unë nuk jam i vetëdijshëm, atëherë mund të thuhet se ia ke arritë qëllimit. Ajo përvojë aq është personale, dhe pikërisht atë përvojë, mandej e dërgon në një dimension tjetër, që është rezultat i një përvoje prej një individi.

KultPlus: Ju, brenda vitit u prezantuat edhe në shumë ekspozita nëpër shtete të ndryshme, duke përfshirë Italinë, Spanjën dhe vende të tjera në botë, por gjithnjë duke bartë mesazhe të forta, si: migrimin, identitetin, dhunën në shoqëri, … pika të fuqishme sidomos në art, sa po mendoni se po ka fuqinë arti, se shumë herë veprat me të cilat prezantoheni nuk janë vetëm vepra arti, por edhe si një thirrje për ndryshime?

Sislej Xhafa: Unë nuk besoj që roli i artistit është që të ndihmojë shoqërinë, njeriu që ndihmon shoqërinë është ekonomia, politika… Artistët bëjnë pyetje, nëse zgjohet një debat nga pyetja e artistëve, atëherë është një sukses, atëherë ja ka arritur qëllimit.

KultPlus: Dhe, përderisa flasim për krejt këto suksese ndërkombëtare, rikthimi në Kosovë, lëvizjet në raport me Kosovën, sa janë interesante. Të gjithë artistët flasin se si ju pëlqen rikthimi në vendin prej nga kanë dalë, personalisht, këto lëvizje sa të mbushin apo sa zbrazin shpirtin tuaj artistik?

Sislej Xhafa: Pyetje shumë me vend, në fakt mua personalisht më pasuron. Dhe mendoj se artistët sot nuk kanë nevojë me qenë në Paris, për tu dalluar individualiteti i tyre, ata mund të jetojnë sot edhe në Fushë Kosovë e në Rahovec, informatat sot vijnë ndryshe për dallim nga vitet e 60-ta, sepse fuqia individuale depërton shumë më shumë. Kështu që rikthimi im në Kosovë më pasuron, më pasuron në çdo moment, kam nderin të jem këtu si anëtarë i jurisë, ndiej një pasuri shumë të madhe, në çdo dimension të jetës sime, sepse vendi yt është i shenjtë, duke e përfshirë edhe lloçin edhe bërllogun ku jam rritë, për mua është pasuria më e madhe edhe kur kaloj te çajtoret e para kur kam pirë qaj me shokët e mi në shkollën e mesme, ose kur kam luajtur futboll qoftë në Pejë apo në Prishtinë, është pasuri e padiskutueshme dhe e sheh prej një këndvështrimi tjetër, për tu kthyer prapë në individualitetin tim. Dhe mandej krejt kjo shndërrohet në një evolucion të pandalur.

KultPlus: Nuk jeni emër i vogël për fushën në të cilën punoni, në anën tjetër është edicioni i parë i çmimit Ar, që është organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, dhe ju pranuat të jeni anëtarë i jurisë së kësaj ekspozite, pse besuat në këtë iniciativë?

Sislej Xhafa: Ne kemi nevojë që të jemi prezent në përkrahje të të rinjve, qoftë nga distanca por edhe nga afër, kështu që këtë kërkesë për të qenë anëtarë i jurisë për stimulimin e artistëve të rinj, e kam pranuar pa mëdyshjen më të vogël. Ne si individ, ne që kemi përvojë në fushën e artit e kemi për obligim, si profesional edhe shpirtëror që ti japim hapësirë artistëve të rinj. Në këto ftesa, si artist nuk guxon të mungosh.

KultPlus: Nëse nisemi vetëm në fushën e artit pamor, kemi shumë artistë të fuqishëm shqiptarë nëpër botë, a ka ardhur koha që të bëhet një ekspozitë e madhe me vetëm artistët shqiptarë, në një galeri të madhe ne Evropë?

Sislej Xhafa: Ne në mënyrë individuale dhe kolektive jemi gjithmonë prezent, ne veç u prezantuam së fundi katër artistë shqiptar në Stamboll. Në mënyrë individuale ose shoqërore, ne gjithmonë e prezantojmë kulturën prej nga vijmë, por ideja që të bashkohemi varet prej hapësirës dhe kohës, absolutisht jam i hapur.

 

KultPlus: Dhe për fund, kësaj here erdhët si anëtar jurie, mund të na shpjegosh se kur mund të na prezantohesh me ndonjë ekspozitë?

Sislej Xhafa: Unë jam shumë i hapur, personalisht deri tash nuk ka pas ndonjë propozim serioz sa i përket një ftese./KultPlus.com