Kryeprokurori i Shtetit urdhëron ekspertizë mjekoligjore të trupit të vajzës së policit

Periskopi.com Lajme

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku ka urdhëruar që t’i kryhet obduksioni trupit të pajetë të Mediana Thaçit që dyshohet se u vetëvra.

Maloku i ka thënë Insajderit se ka dhënë urdhër që trupi i vajzës 17 vjeçe nga Rogana e Kamenicës të dërgohet në Prishtinë për obduksion.

“Sapo kam urdhëruar që menjëherë trupi të dërgohet për obduksion në Prishtinë. Obduksioni do të kryhet gjatë natës dhe nesër do t’i kthehet familjes për varrim”, ka thënë Maloku.

Maloku ka thënë se këtë urdhër e ka dhënë me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Këtë vendim Maloku e ka marrë pak pas raportimit të Insajderit se prokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Rabije Jakupi, nuk ka lejuar kryerjen e ekspertizës mjekoligjore. Si pasojë, trupi i ishte kthyer familjes për varrim.

Mediana Thaçi, ka vdekur si pasojë e shkrepjes së një plumbi nga një armë me leje që besohet se ka qenë e axhës së saj. E ndjera është vajza e një polici të Kosovës.

Insajderi ka zbuluar se vajza ka vdekur si pasojë e goditjes nga një plumb në zemër.

Megjithëse, vajza ka vdekur në rrethana të paqarta si pasojë e gjuajtjes me armë, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Rabije Jakupi nuk ka lejuar që trupit të pajetë t’i kryhet obduksioni.

Gazetari thotë se shteti e dinte një muaj më parë se do të ketë “eliminime të disa personave”

“Jashari ka provuar ta vrasë Vllasin. Sido që të ketë deklaruar ai, dora terezi nuk ka. Ai ka qenë i përgatitur mirë për ta kryer aktin”.

Periskopi.com Lajme

Kështu ka thënë Vehbi Kajtazi në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

Sipas tij, “Jashari ka qenë mik i ngushtë me presidentin Thaçi e me kryeparlamentarin Veseli sepse kanë qenë bashkë në një organizatë. Ky njeri është shumë i afërt me njerëzit e pushtetit dhe me presidentin Thaçi të cilin tashmë e ka futur në listën për vrasje. Është një listë që është bërë në Zvicër”, ka thënë ai.

Kajtazi foli edhe për organizatën Syri i Popullit dhe listën që sipas tij ekziston dhe është hartuar në Zvicër.

“Është presidenti, është kryeministri, është Limaj. Kam informacione prej asaj që është kryer një hetim por e keqja më e madhe është te dështimi i shtetit që në këtë rast nuk ka arritur të mbrojë integritetin fizik të Vllasit. Shteti ka pas informacione të paktën një muaj më herët se do të ketë eliminime të njerëzve. Ka pasur informacione se kush janë caqet e mundshme”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi potencoi se Jashari nuk është një njeri i çmendur që thjeshtë ka ardhur për të kryer një vrasje.

“Murat Jashari ka fal namazin, është kryqyar dhe e ka pirë një gotë raki, për të treguar se nuk është fetar por atdhetar”, ka thënë Kajtazi.

E në gjithë këtë, Kajtazi nuk e gjen Jasharin si një të çmendur që ka ardhur në Prishtinë për të plagosur Vllasin.

Rexhep Qosja: Qytetarët jetojnë me frikë, një nga ta e vrau shteti në burg

Akademiku Rexhep Qosja ka thënë se është e vështirë jeta në “Kosovën e oligarkëve”, të cilët sundojnë për shkak se intelektualët kanë interesa të lidhura me ta.

Periskopi.com Lajme

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar, Rexhep Qosja në Zona e Debatit në Klan Kosova, ka thënë se qytetarët e vendit sot jetojnë me frikë, të llojeve të ndryshme.

Ai ka përmendur arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe vdekjen e njërit prej tyre, Astrit Dehari, si një nga llojet e frikës me të cilën kalojnë jetën ata.

“Në jetën tonë sot sundon frika. Njerëzit frikësohen. Më parë jemi frikësuar nga UDB-ja. Sot shumica nuk i frikësohemi burgut. Megjithëse jo të gjithë. Disa aktivistë të Vetëvendosjes mbahen në burg tash e disa muj. Dhe nuk mund t’i gjykojnë, sepse nuk kanë fakte. Një qytetar na vdiq në burg. E vrau shteti në burg”.

“Por sot në përgjithësi kemi frikë tjetër nga kjo. Ta përzë djalin nga puna, atë tjetrin nga puna dhe t’i bën njëqindmijë të zeza. Kjo është politika e oligarkisë tonë”.

Sa i përket heshtjes së intelektualëve për nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, Qosja ka thënë se kjo është rrjedhojë direkte e interesave të tyre, të lidhura me këto dukuri.

“Sot kemi profesorë që japin mësim në pesë fakultete. Kemi një profesoreshë që ka qenë pjesë e pesë bordeve. Ndaj nuk flasin. Nuk duan t’i prishin punë vetes. Prandaj nuk u pengon korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar. Kështu është gjendja jonë. Ka korrupsion të përgjithshëm. I niveleve të ulëta dhe të larta”.

Vetëvendosje nuk ka informacion nëse është lejuar hetim ndërkombëtar për Astrit Deharin

Shkodran Hoti nga zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se nuk ka asnjë informacion nëse Shteti i Kosovës ka lejuar hetim ndërkombëtar lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

“Personalisht nuk kam ende ndonjë informacion nëse është lejuar hetimi ndërkombëtar nga institucionet për Astrit Deharin. Në rast se do të ketë ndonjë informacion më të ri do të ju kontaktojmë”, tha Hoti.

Analisti Halil Matoshi, përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se Institucionet e Kosovës kanë lejuar një shtet evropian të bëjë hetimet e pavarura lidhur me vdekjen e Astrit Deharit. Këtë informacion nuk e ka konfirmuar ende as avokati Tomë Gashi.

Shteti dëshpëron edhe viktimat e dhunës seksuale, nuk i përkrahë (Video)

Vazhdon të zvarritet formimi i Komisionit, që do të verifikonte viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton KTV.

Periskopi.com Lajme

Kjo kategori e grave shprehet tejet e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes institucionale tash e 17 vjet pas përfundimit të luftës.

Ministria e Punës arsyetohet se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, po ecin me hapa të sigurt.

Ndonëse në shtator kjo ministri hapi konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të këtij komisioni, i cili do të përbëhet nga një psikolog, sociolog, jurist dhe një organizatë Joqeveritare, përzgjedhja e tyre ende nuk është bërë.

Zyrtarë të Ministrisë arsyetohen se për shkak të ndjeshmërisë së kësaj kategorie, janë duke shkuar në hapa të sigurt.

Bytyçi thotë se deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm nuk pritet të nisë punën ky komision, ngase pas formimit të tij, anëtarët duhet të përpilojnë formularët, pastaj të mbajnë trajnime për këtë çështje dhe vetëm më vonë të merren në intervista viktimat e dhunës seksuale.

Derisa gjatë luftës së fundit në Kosovës konsiderohet se numri i grave të dhunuara është 22 mijë, Ministria e Punës nuk beson në këto shifra, pasi, sipas kësaj Ministrie, më shumë se një mijë viktima nuk mund të jenë.

KMDLNj: Shteti ka përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, u ka bërë thirrje palëve t’i ulin tensionet në mënyrë që t’u lejohet organeve të hetuesisë ta zbardhin të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se në qoftë se nuk ndriçohet rasti nga kjo ekspertizë, atëherë duhet të bëhet një ekspertizë tjetër.

Shala ka thënë për “Epoka e re” se shteti ka përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit meqë, sipas tij, është bërë një lëshim i madh kur Astriti është lënë i vetëm në dhomë, përderisa të tjerët kanë dalë në shëtitje.

Sipas Shalës, është dashur të mos lejohet një gjë e tillë apo të ketë një mbikëqyrje në mënyrë që të evitohet çdo situatë e cila mund ta rrezikojë jetën e tij.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se pas vdekjes së Deharit, zyrtarët e burgut, rojtarët në atë pavijon, mbikëqyrësi dhe drejtori i burgut, është dashur të japin dorëheqje.

Qytetarët fajësojnë shtetin për vdekjen e Deharit (Video)

Vdekja e aktivistit të subjektit më të madh opozitar, Astrit Dehari, në qendren e paraburgimit në Prizren, ka tronditur gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Shumë qytetarë kanë bërë homazhe, dhe kanë marrë pjesë në marshin për të si dhe në varrimin e të ndjerit.

Astrit Dehari, vdiq në rrethana ende të pa qarta përderisa ishte në paraburgim për shkak se ishte akuzuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht, vdekja e tij u paraqit nga autoritet e burgut dhe policisë në Prizren, si vetëvrasje. Pati deklarata të ndryshme dhe kontradiktore. U tha se Dehari ka vdekur si pasojë e përdorimit të barnava.

Mirëpo, sipas rezultateve të para nga autopsia ka dalë se ai nuk ka vdekur nga përdorimi i barnave dhe se Dehari ka pasur një vdekje të dhunshme.

Edhe përfaqësuesit e subjektit të cilit i përkiste ai, por edhe familjaët e tij, thanë se sipas informatave që u janë dhënë nga ekspertët që kanë kryer autopsinë, Dehari nuk ka bërë vetëvrasje por dyshimet më të madha janë se ai është vrarë.

Periskopi ka pyetur qytetarët në lidhje me atë se çfarë mendojnë për vdekjen e 26-vjeçarit, kush është fajtor sipas tyre dhe a besojnë ata në pafajësinë e Deharit dhe 5 aktivistëve të tjerë që po akuzohen për terrorizëm.

Rreth 100 qytetarë të intervistuar kanë thënë se shteti mban përgjegjësinë për vdekjen e Deharit dhe janë shprehur se besojnë në pafajësinë e tij dhe aktivistëve të tjerë përderisa Prokuroria nuk ka arritur ta dëshmojë të kundërtën.

Qytetarët kanë thënë që këto raste, ku të burgosurit politikë janë nxjerrë të vdekur nga burgjet, kanë ndodhur vetëm para luftës nën regjimin e Millosheviqit.

“Unë mbaj mend që para luftën, në kohën e Millosheviqit të burgosurit shqiptarë kanë dalë të vdekur nga burgjet. Mirëpo, nuk kam pritur që kjo të ndodhë tash në këtë kohë”, është shprehur Metush Sahiti.

”Është e sigurt që brenda praburgimit përgjegësinë për çfardo që ndodhë e mbajnë autoritetet. Sido që të ketë vdekur ai, autoritet e burgun janë përgjegjës që nuk janë kujdesur mjaftueshëm për sigurinë e tij. Po, sigurisht që besoj në pafajsinë e tyre, përderisa janë bërë rreth tre muaj që janë duke u hetuar dhe Prokuroria ende nuk ka dalë me ndonjë fakt që dëshmon të kundërtën”, është shprehur një qytetar.

Shumica e qytetarëve kanë pasur mendim të njëjtë në lidhje me këtë çështje. Fajtorë, sipas tyre, janë organet përgjegjëse dhe shteti.

”Policinë e Kosovës, sistemin e drejtësisë, gjyqësorin”.

”Besoj 100% në pafajsinë e tyre.  Është absurde, arrestimi i tij, zgjatja e hetimve dhe gjithçka tjetër”.

”Natyrisht që pushteti ka faj për të gjitha.Edhe për arrestimin e tyre”.

Ka pasur edhe të tillë që vdekjen e Astritit e kanë cilësuar si vrasje politike.

“Kjo është një vrasje politike”.