Shqiperia ARKIV

Pakoja e zgjerimit 2016, krejt çka Komisioni rekomandon lidhje me Shqipërinë

Pakoja e zgjerimit 2016: procesi i besueshëm i zgjerimit, çelës i nxitjes së transformimit dhe ankorimit të stabilitetit në Evropën Juglindore Komisioni Evropian miratoi sot Pakon vjetore të Zgjerimit. Ajo vlerëson se në cilën pikë të implementimit të reformave kyçe politike dhe ekonomike gjenden vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia dhe se çfarë duhet bërë për t’i adresuar sfidat e mbetura.

Periskopi.com Lajme

Përveç tjerash, Komisioni rekomandon që vendet anëtare të mendojnë rreth hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo megjithatë varet nga progresi i besueshëm dhe i qartë në implementimin e reformave gjyqësore, në veçanti nga rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve (“verifikimi”).

Gjatë prezantimit të Pakos së Zgjerimit, komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn tha: “Perspektiva e anëtarësimit në BE vazhdon të nxisë transformimin dhe ankorimin e stabilitetit në vendet e Evropës Juglindore si dhe procesi i besueshëm i zgjerimit mbetet mjet i pazëvendësueshëm për forcimin e këtyre vendeve dhe përkrahjen ndaj tyre në zbatimin e reformave politike dhe ekonomike. Sot ne rikujtojmë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj këtyre përpjekjeve dhe i bëjmë thirrje qeverive të vendeve në zgjerim t’i përmbahen reformave në mënyrë aktive dhe në të vërtetë t’a bëjnë këtë agjendën e tyre politike- jo pse BE-ja e kërkon këtë por sepse kjo është në interes të qytetarëve të tyre dhe Evropës si tërësi”, raporton Perikopi

Komisioneri Hahn shtoi se raporti vjetor i këtij viti mbi Turqinë vie në një pikë të rëndësishme në kohë për Turqinë dhe marrëdhëniet BE-Turqi: “Ne jemi shumë të shqetësuar për degradimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë si pasojë e përpjekjes së dështuar për grusht shtet. Në interesin e saj, Turqia urgjentisht duhet të ndalojë largimin nga BE-ja.”

Politika e zgjerimit vazhdon të japë rezultate dhe reformat janë duke ecur përpara në shumicën e vendeve, ndonëse me shpejtësi të ndryshme. Një angazhim i vazhdueshëm drejt parimit të drejtave themelore, pra, mbetet thelbësor: Komisioni do të vazhdojë t’i përqëndrojë përpjekjet në sundimin e ligjit, duke përfshirë sigurinë, të drejtat themelore, institucione demokratike dhe reformën e administratës publike, si dhe në zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën. Roli i fortë i shoqërisë civile dhe grupeve të interesit më gjerësisht mbetet vendimtar.

Gjendja në terren

Në fushën e sundimit të ligjit, në përgjithësi, janë bërë përpjekje për të modernizuar kornizat ligjore dhe infrastrukturë. Shqipëria miratoi unanimisht ndryshimet kushtetuese të cilat ofrojnë bazën për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor. Megjithatë, shumica e vendeve vazhdojnë të përballen me probleme të efikasitetit dhe mungesës së pavarësisë dhe përgjegjshmërisë të mjaftueshme së gjyqësorit.

Në vitet e fundit, të gjitha vendet kanë forcuar kornizat e tyre për trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përpjekjet tani duhet të përqendrohen më shumë se kurrë në krijimin e një historie të hetimeve, ndjekjeve penale dhe vendimeve të gjykatave në rastet e të gjitha niveleve. Vendet e zgjerimit kanë ndryshuar edhe ligjet e tyre penale dhe legjislacionin kundër terrorizmit, duke armatosur veten me mjetet më të fuqishme për t’i luftuar këto fenomene. Disa prej tyre kanë miratuar strategji të anti-terrorizmit dhe plane të veprimit të reja , por duhet të punohet më shumë për të kundërshtuar radikalizmin, në veçanti në fushën e arsimit dhe nëpërmjet kontrollit më të mirë të fondeve të huaja që nxisin përmbajtje radikale.

Të drejtat themelore janë shumë të mishëruara në legjislacionin e vendeve të zgjerimit. Në Ballkanin Perëndimor, mangësitë në praktikë vazhdojnë të ekzistojnë mirëpo situata është e qëndrueshme.

Turqia ka ecur mbrapa në këtë fushë dhe zbatimi praktik shumë shpesh ka shfaqur mangësi të dukshme. Pas përpjekjeve për grusht shtet në korrik, është shpallur gjendja emergjente gjatë të cilës janë marrë masa me ndikim të gjerë në kufizimin e të drejtave themelore. Shumë shkelje të rënda të ndalimit të torturës , keqtrajtimit dhe të drejtave procedurale dyshohet se kanë ndodhur si pasojë e përpjekjes për grusht shtet.

Liria e shprehjes dhe media mbeten një shqetësim i veçantë në shumicën e vendeve të zgjerimit, edhe pse në shkallë të ndryshme. Mungesa e progresit në këtë fushë, tashmë e vëzhguar gjatë dy viteve të fundit, ka vazhduar dhe, në disa raste është intensifikuar.

Diskriminimi dhe armiqësia ndaj grupeve të cenueshme, përfshirë edhe për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, mbetet një shqetësim serioz.

Kriza e migrimit ka qenë një nga çështjet kyçe në agjendën politike gjatë vitit të kaluar. Ajo vazhdoi të demonstrojë rëndësinë strategjike të politikës së zgjerimit në rajon. BE-ja ka reaguar në mënyrë të plotë dhe ndjeshme ndaj të drejtave. Mbyllja efektive e rrugës së Ballkanit Perëndimor nga vendet në fjalë në lidhje me deklaratën BE-Turqi të 18 marsit ka dhënë rezultate të qarta në terren, dukë marrë parasysh uljen e numrit të emigrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve të cilët kanë arritur në ishujt grekë ,nga disa mijëra në ditë në më pak se 100 në ditë mesatarisht. Kjo çoi edhe në një rënie të konsiderueshmë të numrit të jetëve të humbura në det.

Funksionimi i duhur i institucioneve demokratike mbetet një sfidë kryesore në një numër vendesh. Roli qendror i parlamenteve kombëtare për demokraci duhet të jetë i ngulitur në kulturën politike. Në Turqi, përpjekja për grushtshtet në korrik ishte një sulm tronditëse dhe brutal ndaj institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike. Duke pasur parasysh kërcënimin serioz ndaj demokracisë turke dhe shtetit turk, një reagim i shpejtë dhe vendimtar ndaj këtij kërcënimi ishte legjitim.

Megjithatë, shkalla dhe natyra kolektive e masave të marra si pasojë e përpjekjes për grusht shtet ka ngritur një numër pyetjesh.

Progresi në reformën e administratës publike ka qenë i pabarabartë mes vendeve. Të drejtat e qytetarëve për administrim të mirë, qasje në informata dhe drejtësi administrative duhet të sigurohet më mirë.

Situata ekonomike është përmirësuar gradualisht në të gjithë rajonin, me rritje të fortë,

investime më të mëdha dhe më shumë vende pune të krijuara nga sektori privat. Megjithatë, të gjitha vendet e zgjerimit përballen me sfida të mëdha strukturore ekonomike dhe sociale, me efikasitet të ulët të administratës publike dhe norma të larta të papunësisë. Papunësia e të rinjve në veçanti mbetet ende tepër e lartë. Klima e investimeve poashtu ndikohet negativisht nga dobësitë e vazhdueshme në sundimin e ligjit.

Shtytja e dhënë gjatë “procesit të Berlinit” dhe gjashtë iniciativave të Ballkanit Perëndimor, sidomos në lidhje me agjendën e lidhjes të BE-së, ka vazhduar nxisë rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke mbështetur stabilitetin politik dhe mundësitë ekonomike.

HISTORIKU

Procesi i zgjerimit

Agjenda aktuale e zgjerimit mbulon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Negociatat e anëtarësimit janë hapur me vendet kandidate Turqinë (2005), Malin e Zi (2012) dhe me Serbinë (2014), por jo edhe me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (një vend kandidat që prej vitit 2005), as Shqipërinë (statusin e kandidatit në 2014). Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë kandidate potenciale./ Perikopi

http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_strategy_paper_en.pdf