auto_shtypja1432935652

Si ta zgjidhni problemin e shtypjes së ulët të gjakut në mënyrë natyrale

Kini kujdes se me çfarë ushqimi mund të rregulloni shtypjen e gjakut nëse vuani nga hipotensioni.

Periskopi.com Shëndeti

Personat të cilët vuajnë nga tensioni i ulët i gjakut më së shpeshti ankohen në vështirësitë e zgjimit nga gjumi, përgjumje, marramendje, rraskapitje, lodhje të shpejtë, humbje vullneti, përqendrim dhe memorie të dobët.

Në raste të shumta, transmeton Telegrafi, me aplikimin e ilaçeve natyrore të zakonshme dhe lehtë të arritshme, shtypja e ulët e gjakut mund të mbahet nën kontroll dhe me sa më pak simptoma, madje edhe mund të rregullohet tërësisht.

Shtypja e gjakut është më e ulëta gjatë orës së parë pas ngrënies. Ajo bie, për shkak se organet për tretje kanë nevojë për gjak për ta kryer funksionin e tyre. Ky efekt është më i dobët, nëse konsumoni porcione më të vogla të ushqimit (tri shujta kryesore dhe dy zamra).

Bëni kura magnezi dhe kaliumi që gjenden kryesisht tek ushqimet e sidomos te bananet. Aleatë të tjerë kundër tensionit të ulët janë gjithashtu jamballi, lëngu i panxharit, shega dhe rrushi pa fara.

Është e nevojshme që të konsumoni një sasi më të madhe të kripës, sigurisht duke mos e ekzagjeruar.

Pini ujë dhe lëngje! Është shumë me rëndësi që gjatë ditës të pini shumë ujë dhe lëngje. Pos ujit, mund të pini lëngje dhe lloje të çajit. Limonada është e shëndetshme.

Ndalohet alkooli! Alkooli nxit largimin e lëngjeve nga organizmi dhe pengon punën e qendrës për ekuilibër në tru.

Në situata emergjente, si për shembull në rastin e rënies të menjëhershme të tensionit, duhet të pini një gotë me ujë dhe sheqer ose thjesht të vendosni një lugë me sheqer në gjuhë. Efekt të njëjtë ka edhe pirja e kakaos, kafes dhe e çajit, pasi të gjitha mundësojnë ngritjen e tensionit.

Nëse keni problem me shtypje të ulët të gjakut, dushin gjithmonë përfundojeni me ujë të ftohtë.

Kur të shtriheni në shtrat, vendosini disa jastëkë nën kokë dhe qafë, në mënyrë që kalimi nga pozita e shtrirë në të ulur të mos jetë tepër impulsiv. Në këtë mënyrë do ta shmangni marramendjen.

Po kështu duhet të bëni shumë aktivitet fizik, por duhet të mos dilni gjatë orëve më të nxehta apo të kryeni sforcime të tepruara.

Nëse vuani në mënyrë konstante nga tensioni i ulët është e këshillueshme që të bëni një vizitë te mjeku specialist, i cili do të mund t’ju japë një kurë më të saktë për problemin tuaj. /Telegrafi/

Diabeti

OBSH ka shpallur diabetin si epidemi, në Kosovë nuk dihet sa persona janë të prekur

Më 14 nëntor është dita botërore kundër diabetit. Në këtë ditë të gjithë komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi”të re globale.

Periskopi.com Lajme

Sëmundja e diabetit, e njohur edhe si sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe proteinave.

Endokrinologët në Kosovë, bëjnë të ditur se gjatë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë trajtuar 789 pacientë të shtrirë me diabet, derisa në ambulancën specialistike kontrollohen deri në 50 pacientë në ditë, raporton Periskopi

Numri i saktë i të prekurve me diabet në Kosovë nuk dihet, pasi nuk ka statistika.

Trajtimi i kësaj sëmundjeje bëhet me insulinë antidiabetik oraldhe analog të inkretineve.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, kohë më praë ka thënë se pavarësisht se nuk ka statistika të sakta për sëmundjen, janë nxjerrë disa të dhëna për të prekurit me diabet e që trajtohen me insulinë, në mënyrë që furnizimi me këtë ilaç të jetë adekuat.

“Ne, si Ministri e Shëndetësisë, kemi evidentuar mbi 11 mijë njerëz që tashmë trajtohen me insulinë. Por, ky numër nuk është i saktë, pasi që çdo ditë mund të përditësohet. Ka edhe të tjerë që mjekohen me barna orale. Në tregun kosovar të farmaceutikës ka lloje të ndryshme të terapisë që e përmbush nevojën e pacientëve”, deklaron Rrahmani.

Sipas ministrit Rrahmani, kërkesa e endokrinologëve për përditësimin e listës esenciale me barna për sëmundjen e diabetit, do të shqyrtohet dhe do të marrë përgjigje pozitive.

“Nga mjekë të këtij lëmi është kërkuar që në listë esenciale të futen edhe barna të tjera shtesë dhe ne do të mundohemi t’ju përgjigjemi pozitivisht. Sa i përket insulinës, kemi qenë kryesisht të furnizuar, derisa këtë vit herë – herë janë paraqitur probleme për shkak të tenderimit dhe procedurave të zgjatura”, thekson Rrahmani.

Për faktin që sëmundja e diabetit po shënon rritje në nivel botëror, Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas zyrtarit të saj në Kosovë, Sami Uka, para disa muajsh ka bërë thirrje për aksion global, për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje.

“Raporti i parë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i botuar sivjet për diabetin, thotë se në vendet në zhvillim jetojnë mbi 400 milionë njerëz të rritur me diabet. Në Kosovë, nuk ka statistika të sakta lidhur me numrin e të sëmurëve me diabet. Mirëpo, trendi në rritje që ka shënuar katërfishim prej vitin 1950 në botë, nuk ka si të ketë përjashtim për Kosovën”.

“Numri i të sëmurëve me diabet është në rritje, andaj edhe OBSH-ja e ka shpallur diabetin si epidemi, dhe ka thirrur aksion global për luftimin e kësaj sëmundjeje duke përmirësuar të ushqyerit, mënyrën e jetës më aktive, për parandalimin e vdekjes nga kjo kësaj sëmundje”, thotë Uka.

Ndërkaq, Tahire Gjergji, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë të ditur kohë më parë për Radion Evropa e Lirë, se diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, pavarësisht që punohet në parandalimin dhe luftimin e saj.

Një rëndësi të veçantë ajo kërkon që të kihet në raport me shëndetin e fëmijëve, sidomos atyre me mbipeshë, për shkak të rrezikut që mund të ketë për ta edhe paraqitja e diabetit.

“Diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, e që është pikë e dobët e punëtorëve shëndetësorë. Instituti Kombëtar punon vazhdimisht për parandalimin e sëmundjes. Në kuadër të parandalimit, instituti bën hulumtime e që shënjestër i ka fëmijët”.

“Në Kosovë vetëm 3 për qind e fëmijëve në shkolla kanë rezultuar me mbipeshë. Po e përmendi këtë shifër pasi që jemi në kohën e duhur për parandalimin e diabetit, e që një ndër shkaktarët, është mbipesha”, ka theksuar Gjergji.

Numri i fëmijëve me diabet është trefishuar krahasuar me pesë vitet paraprake. Çdo vit paraqiten më shumë se 40 raste të reja me diabet.

Diabeti njihet si sëmundje mjaft e shpeshtë dhe konsiderohet si sëmundja numër tre në botë. Për pasojë, ajo godet edhe disa nga organet vitale të njeriut, si veshkat, zemrën, të pamurit e të tjera.

Ndërsa, trajtimi i diabetit, tashmë është i mundshëm edhe në Kosovë, por tërhiqet vërejtja se ende ka nevojë për një edukim më të mirë të popullatës për të parandaluar sa më tepër këtë çrregullim në organizimin e njeriut.

Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje./ Periskopi